Live Stories from Prishtina

LIVE

3 Gusht, 2026

Blog: Aroma është magjistari më i fuqishëm që na bartë përmes mijëra miljeve dhe  nëpër të gjitha vitet që kemi jetuar.

Thuhet se Kleopatra e ka pritur Mark Antonin në një varkë me vela të parfumuara pas vrasjes së Jul Cezarit dhe u bë mbretëresha e Egjiptit.

Fjala parfum vjen nga fraza latine, “per” që do të thotë “përmes” dhe “fumus” që do të thotë “tym”. Francezët më vonë i dhanë emrin “parfum” aromave të prodhuara nga djegia e temjanit.

Tejmani është një lëndë e trashë ngjitëse që merret nga trungu i pemëve të gjinisë Boswellia. Ai njihet gjithashtu me emrat olibanum ose frankincense dhe përdoret prej mijëra vitesh.

Tejmani edhe ishte forma e parë e parfumit e prodhuar për herë të parë nga Mesopotanezët rreth 4000 vjet më parë. Kulturat e lashta digjnin një shumëllojshmëri lëndësh ngjitëse dhe drunjë në ceremonitë e tyre fetare.

Temjani arriti në Egjipt rreth vitit 3000 para Krishtit, por deri në fillim të Epokës së Artë të Egjiptit, parfumet përdoreshin vetëm në ritualet fetare. Ato u bënë të disponueshme për të gjithë egjiptianët, ndërsa priftërinjtë gradualisht hoqën dorë nga të drejtat e tyre ekskluzive. Qytetarët bënin banjo duke e zhytur lëkurën e tyre në vajra aromatike për kënaqësi.

Grekët e lashtë mund të marrin meritat për parfumin e parë të lëngshëm por ishin arabët ata që realizuan destilimin e parfumit gjë që e bëri të realizueshëm prodhimin e parfumeve.

Parfumi gëzoi një sukses të madh gjatë shekullit të shtatëmbëdhjetë, veçanërisht në Francë. Higjiena në ato ditë ishte mjaft e dobët dhe aromat përdoreshin për të maskuar aromat e pakëndshme të trupit.

Në Angli, parfumet u përdorën gjerësisht gjatë mbretërimit të Henry VIII dhe Mbretëreshës Elizabeth I. Të gjitha vendet publike ishin të parfumuara gjatë sundimit të Elizabeth sepse ajo nuk toleronte aromat e këqija.

Ashtu si industria dhe arti, parfumi do të pësonte ndryshime të thella në shekullin e nëntëmbëdhjetë. Ndryshimi i shijeve dhe zhvillimi i kimisë hodhën themelet për parfumerinë moderne. Në fillim të shekullit, parfumi zakonisht nxirrej nga një aromë me një lule të vetme. Sot, parfumet janë jashtëzakonisht komplekse, të përbëra nga shumë kimikate natyrale dhe sintetike, të cilat shpesh quhen “nota” ose “tone”.

Chanel No5 ishte parfumi i parë i krijuar duke zbatuar parimet moderne kimike dhe i pari që përmbante sintetikë.

Uji i kolonjës, i përdorur zakonisht nga burrat, u shpik nga një berber italian në fillim të shekullit të tetëmbëdhjetë në qytetin gjerman të Koln-it, prandaj edhe erdhi emri kolonjë. Në atë kohën funksiononte si pjesë e administratës franceze.

Emri origjinal i kësaj përzierjeje ishte “Aqua Admirabilis” (Ujë i Admirueshëm) dhe u shit si një “ilaç mrekullibërës”. Uji i mrekullueshëm u lavdërua shumë nga Napoleoni dhe u shit për herë të parë si aromë me emrin 4711, adresa e dyqanit të parë të ujit të kolonjës në Koln. Është ende aroma më e vjetër në botë e prodhuar vazhdimisht.

Si prodhohet parfumi?

Prodhimi i një parfumi fillon me nxjerrjen e vajrave esencialë aromatikë nga bimët. Metoda më e përdorur është distilimi me avull. Në këtë proces, lulet, gjethet ose pjesët e tjera të bimëve zihen në ujë. Nxehtësia bën që vajrat esencialë të avullojnë bashkë me avullin e ujit. Më pas, avulli ftohet dhe kthehet në lëng, duke bërë të mundur ndarjen e vajit nga uji.

Për të prodhuar vetëm një kilogram vaj esencial mund të nevojiten mijëra kilogramë lule, prandaj shumë parfume kanë çmime të larta.

Pas nxjerrjes, vajrat esencialë përzihen me alkool. Alkooli jo vetëm që hollon aromën, por vepron edhe si fiksues, duke bërë që parfumi të zgjasë më shumë në lëkurë. Më pas, përzierja ruhet për një periudhë në enë prej bakri ose çeliku inox, ku grimcat e dyllit dhe papastërtitë vendosen në fund. Pas kësaj, parfumi filtrohet dhe në fund ambalazhohet.

Specialistët që krijojnë aroma quhen parfumierë. Ashtu si një muzikant ka nevojë për një dëgjim të mirë, parfumieri duhet të ketë një shqisë të zhvilluar të nuhatjes.

Për t’u bërë parfumier kërkohen vite të tëra përgatitjeje. Zakonisht kandidatët trajnohen për të paktën gjashtë vjet. Ata duhet të dallojnë me saktësi qindra lëndë të para aromatike, të kenë imagjinatë, kreativitet dhe njohuri të mira në kimi. Një parfumier i suksesshëm është njëkohësisht shkencëtar dhe artist.

Në industrinë moderne përdoren si përbërës natyralë, ashtu edhe sintetikë.

Përbërësit natyralë përfshijnë ekstrakte nga: lulet, gjethet, rrënjët,
frutat agrume.

Në disa raste përdoren edhe substanca me origjinë shtazore, si myshku ose përbërës të tjerë aromatikë.

Sot, kimistët kanë arritur të krijojnë versione sintetike të shumë aromave natyrale, gjë që e ka bërë prodhimin e parfumeve më të lehtë dhe më ekonomik.

Parfumet klasifikohen sipas sasisë së vajrave aromatikë që përmbajnë:

Parfum (Perfume), përmban 20/50% esenca aromatike dhe është forma më e përqendruar, më e qëndrueshme dhe më e shtrenjtë.
Eau de Parfum, përmban 10/15% esenca aromatike.
Eau de Toilette (Kolonjë), përmban 3/8% esenca aromatike dhe ka aromë më të lehtë.

Një parfum nuk ka të njëjtën aromë gjatë gjithë kohës. Ai zhvillohet në tri faza, të njohura si nota.

Notat e sipërme janë aroma që ndihet menjëherë pas aplikimit. Ato zgjasin vetëm rreth 5/10 minuta.

Notat e mesme, të njohura edhe si “zemra” e parfumit, fillojnë të shfaqen pas rreth 20 minutash. Kjo është aroma kryesore e parfumit dhe ndërvepron me kiminë natyrale të lëkurës.

Notat bazë janë aroma që mbetet pasi parfumi thahet. Ato zgjasin më gjatë dhe përbëjnë karakterin përfundimtar të parfumit.

Për shkak se çdo person ka lëkurë dhe kimi trupore të ndryshme, i njëjti parfum mund të ketë aromë të ndryshme nga një person te tjetri.

Shumë njerëz përdorin parfum jo vetëm për të pasur një aromë të këndshme, por edhe sepse besojnë se aromat mund të ndikojnë në humor, të ulin stresin ose të rrisin energjinë.

Aromaterapia bazohet në idenë se aromat ndikojnë në mirëqenien fizike dhe emocionale.

Ekziston edhe një fushë studimi e quajtur aromakologji, e cila analizon lidhjen mes aromave dhe psikologjisë njerëzore.

Një studim i kryer në Nju Jork tregoi se pacientët që kryenin rezonancë magnetike (MRI) ndiheshin rreth 63% më pak të stresuar kur në ambient përhapej aroma e vaniljes.

Për këtë arsye, shumë kompani kozmetike kanë krijuar parfume që synojnë jo vetëm të japin aromë të këndshme, por edhe të ndikojnë pozitivisht në humor.

Shqisa e nuhatjes është e lidhur ngushtë me kujtesën.

Një aromë mund të rikthejë menjëherë kujtime dhe emocione të vjetra. Kjo ndodh sepse sinjalet e aromës shkojnë drejtpërdrejt në pjesët e trurit që kontrollojnë emocionet dhe kujtesën.

Studime të ndryshme kanë treguar se studentët që mësojnë në praninë e një arome të caktuar mund ta kujtojnë më lehtë informacionin gjatë provimit nëse ndiejnë të njëjtën aromë.

Për shkak se parfumet përmbajnë shumë përbërës të ndryshëm dhe prodhuesit nuk janë gjithmonë të detyruar t’i listojnë të gjithë, shpesh është e vështirë të përcaktohet se cili përbërës shkakton reaksionin.

Për personat me lëkurë të ndjeshme rekomandohet përdorimi i aromave me përqendrim më të ulët, si Eau de Toilette ose kolonja.