Live Stories from Prishtina

LIVE

16 Janar, 2025

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

Është e vështirë të ecësh përpara para se të jesh gati, prandaj bëhu pak më i/e durueshëm/e me veten ndërsa përpiqesh të kuptosh çfarë të bësh më pas. Gjithçka do të fillojë të ketë më shumë kuptim së shpejti. Trego kujdes me zemrën tënde që po shërohet dhe beso se ndonjëherë gjërat vërtetë shërbejnë për t’i hapur rrugë diçkaje më të mirë.

***

Çka e karakterizoi ditën e djeshme në Kosovë?

Përkujtimi i Masakrës së Reçakut

Më 15 janar, Kosova shënoi 26-vjetorin e Masakrës së Reçakut, një moment vendimtar që ndihmoi të ndryshonte dinamikën ndërkombëtare në raport me konfliktin në Kosovë. Kryeministri Albin Kurti dhe liderë të tjerë politik morën pjesë në akademinë përkujtimore, duke theksuar se drejtësia për viktimat mbetet prioritet kombëtar dhe ndërkombëtar.

Masakra e Reçakut ka një simbolikë të fuqishme në kujtesën kolektive të shqiptarëve, pasi ajo u bë katalizator për ndërhyrjen e NATO-s. Sidoqoftë, pas 26 vitesh, ende nuk ka një epilog të plotë ligjor për autorët e saj. Kjo vazhdon të krijojë pakënaqësi dhe të nxisë tensione në dialogun Kosovë-Serbi.

A ndikon përkujtimi i Reçakut në mobilizimin e elektoratit, veçanërisht për partitë që mbështeten tek narrativa e luftës dhe sakrificës? Për më tepër, Reçaku është gozhda në kokë, ndaj Serbisë për të pranuar fajësinë dhe për zbatimin e drejtësisë ndërkombëtare.

Mbyllja e institucioneve paralele serbe

Autoritetet e Kosovës mbyllën disa institucione paralele serbe që vepronin në komunat e banuara me shumicë serbe në jug të lumit Ibër. Ky hap u mor pas raportimeve për aktivitet të paligjshëm dhe ndikim që cënonte sovranitetin e shtetit.

A janë institucionet paralele serbe një prej sfidave më serioze për integritetin e shtetit të Kosovës? Vendimi për mbylljen e tyre tregon një qasje më të ashpër të qeverisë Kurti, por mund të komplikojë më tej dialogun me Serbinë.

POR…

Ky zhvillim mund të forcojë mbështetjen në mesin e elektoratit duke theksuar vendosmërinë e qeverisë për të mbrojtur sovranitetin.

Fushata zgjedhore për zgjedhjet e 9 shkurtit

Teksa, kryeministri Albin Kurti prezantoi programin e tij me fokus në drejtësi sociale, anti-korrupsion dhe rritje ekonomike, Bedri Hamza u angazhua për rritje të pensioneve dhe krijimin e vendeve të reja të punës, Lumir Abdixhiku u fokusua në investime në arsim dhe shëndetësi, Ramush Haradinaj po konsiderohet profesor se si duhet të udhëhiqet vendi me prezantimin e tij në Klinë.

Të gjitha partitë po ndjekin strategji të orientuara drejt elektoratit të tyre tradicional. LVV synon të ruajë pozitën dominuese, ndërsa PDK dhe LDK po përpiqen të rifitojnë terren duke adresuar tema ekonomike që prekin drejtpërdrejt qytetarët.

Dje me 15 janar, Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë ka hapë ekspozitën ‘Pas Kujtesës’ nga autorja Zanita Halimi në Bibliotekën ‘Hivzi Sulejamani’. Sipas organizatorëve, “Pas Kujtesës” përshkrun marrëdhanjen që e ka pas brezi i fëmijve të lindun mas luftës, me përvojat e plota, shpesh traumatike, që i kanë paraprirë lindjeve të tyre.

***

Mos ndje se duhet t’i përshpejtosh proceset e jetës dhe mos u dëshpëro nëse po zgjat pak më shumë sesa mund të përballosh tani. Edhe nëse po ecën ngadalë, çdo ditë po i afrohesh më shumë vendit ku duhet të jesh.