Dje n’Kosovë
9 Mars, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Është shumë komplekse të jesh një grua në këtë kohë, kur në të vërtetë supozohet të jesh vetëm diçka: “një grua e mirë.” Urime 8 Marsi!
***
Çka e karakterizoi 8 Marsin në Kosovë?
Përderisa fotot me gratë e AKI-së dhe ato të Shërbimit Korrektues ishin kryesoret në të cilat presidentja Vjosa Osmani uroi 8 Marsin, duke vlerësuar ekzistencën dhe punën e grave, kryeministri Albin Kurti u mburr me ndërtimin e barazisë gjinore dhe mbështetjen gjatë qeverisjes së tij, e cila qenka më e mira deri sot në aspektin socio-ekonomik, shëndetësor, si dhe në luftën kundër dhunës në familje, asaj seksuale, etj.
Ndërsa nuk mund të kalojë kjo datë pa tërhequr këtë paralele, pa përmendur se për 14 vjet, 58 gra janë vrarë në Kosovë nga bashkëshortët, ish-bashkëshortët apo familjarë të tyre. Vetëm gjatë vitit të shkuar kanë ndodhur tri vrasje.
Një vrasje e rëndë në Kosovë dënohet me minimumi 10 vjet burgim dhe maksimumi burgim të përjetshëm. E kjo masë është shqiptuar nga gjykatat në tri raste, teksa njëri është rrëzuar nga Gjykata e Apelit.
A nuk janë këto dënime për të akuzuarit për vrasjen e grave të buta dhe të vonuara?
A ka mundësi që rastet për të cilat gratë raportojnë për dhunë në polici të merren seriozisht që në momentin e raportimit dhe të mos arrihet deri te vrasja? A mund të hyjë në funksion Strategjia Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe ndaj Grave, e pastaj të përmendet si mburrje?
***
S’don me u bo puna kurrqysh për rezultatet preliminare të zgjedhjeve, që sot bëhen një muaj prej kur janë mbajtur, ndërsa dje, me ankesat që kanë shkuar në PZAP, nuk mundësohet publikimi i tyre.
Anulimin e votave me postë dhe përsëritjen e votimit jashtë vendit e ka kërkuar Lëvizja Vetëvendosje përmes një ankese në PZAP. Vetëvendosje po pretendon se është votuar kolektivisht për LDK-në dhe, për pasojë, ajo u rrit artificialisht e disproporcionalisht shumë, duke u shkelur edhe ligji. Nëse PZAP-ja e rrëzon këtë ankesë, LVV-ja ka të drejtë të ankohet në Gjykatën Supreme brenda 24 orëve, ndërsa kjo gjykatë ka afat 72 orë për të marrë vendimin. Deri në zbatimin e këtyre rezultateve, nuk ka zgjedhje.
Pini maca ujë… Se kush do ta bëjë shumicën e nevojshme për ta zgjedhur qeverinë, po shihet që po del të jetë një proces jo i lehtë. Një situatë gati paradoksale, në të cilën asnjë subjekt nuk ka iniciativë konkrete që çon kah formimi i qeverisë, sepse çdo kombinim duket të jetë i brishtë dhe më shumë iu pëlqen të mos marrin përgjegjësi në këto ndryshime të papara gjeopolitike.
***
Dje, pas marshimit për ndryshim dhe fuqizim, organizatat kryesore feministe i kanë ftuar pjesëmarrësit të bashkohen të hënën për muzikë dhe shkrime feministe, si dhe për t’u njohur me punën e organizatave dhe artisteve vendase: AWEN, BERK, HBS, Kolektivi Zanat, Radical Sense. Të gjitha botimet do të shiten me çmime promocionale. Ftesa e tyre ishte e qartë: “Le të festojmë fuqinë dhe kreativitetin e grave.”
***
Xhudistja Laura Fazliu është kthyer me medalje nga garat e xhudos, ndërsa arenën e lëshoi me lot në sy. Laura garoi dje (8 mars) në Grand Prix Upper Austria, në Linz. Fitoi medalje të bronztë në kategorinë deri në 63 kilogram.
Të premten, medalje të argjendtë në Austri fitoi Distria Krasniqi. Në finale të kategorisë deri në 52 kilogram, u mposht nga japonezja Iroha Oi.
***
Fitoret e tilla vetëm sa tregojnë për forcën e grave dhe përkushtimin e tyre për sukses dhe ne i gëzohemi e krenohemi çdo suksesi që sjellin gratë në shoqërinë tonë… Por kjo nuk do të thotë asnjëherë që, për t’u pranuar nga shoqëria, duhet të jesh gjithmonë fituese dhe garuese. Ti je e mjaftueshme me atributet e tua si njeri që je. Mjafton ekzistenca jote.