Dje n’Kosovë
29 Prill, 2026
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje e ditës me lajme që kryesuan ditën dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Kur zgjohesh në mëngjes me gjitha hallet që t’i ka sjell jeta, sapo i hapë sytë, krejt çka duhet me të intersua në ato momente është: “Moti sot në Kosovë parashihet të jetë me diell e vranësira të shpërndara. Vranësirat vende-vende mund të sjellin riga shiu”.
Edhe aty këtu me lëshu naj llaf, qysh “po shpejt po ndërron koha, mezi po mësohem me temperatura”. Krejt kjo ish duhet me zgjatë prej orës 06:30-07:00, ose varësisht kur zgjohesh ti, pra nja 30 minuta.
Pas këtyre 30 minutave i kthehesh obligimeve, halleve, derteve që të presin në pjesën tjetër t’ditës. Kjo ish dasht me qenë mëngjesi, jo një ditë që paraprakisht e ke pas informatën që në ora 23:00, ka me u vendos diçka për fatin e kuvendit të vendit tënd, rrjedhimisht kur të zgjohesh ke me dasht me ditë çka është vendos.
Se deshtëm apo nuk deshtëm, politika është pjesë përbërëse e vendit tonë.
Dhe kjo është çka ndodhi mbramë, që nuk të len ty sot të merresh veç me mot.
Kuvendi i Kosovës mbrëmë nuk arriti ta zgjedhë presidentin e ri të vendit, duke e futur Kosovën në një tjetër proces zgjedhor. Pas dështimit të seancës në afatin e fundit kushtetues, vendi tash pritet të shkojë në zgjedhje të parakohshme, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditëve.
Gjatë ditës së martë u zhvilluan katër përpjekje për vazhdimin e seancës plenare dhe për zgjedhjen e presidentit, në orët 10:00, 14:30, 19:30 dhe 23:00. Megjithatë, në asnjërën prej tyre nuk pati kuorum të mjaftueshëm për të proceduar me votimin.
Në sallë ishin deputetët e koalicionit qeverisës të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa deputetët e opozitës refuzuan të marrin pjesë në votim. Opozita kishte bërë të ditur paraprakisht se nuk do të hynte në proces pa një marrëveshje politike mes partive.
Pas tërheqjes së kandidaturave të mëhershme, Vetëvendosje propozoi Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën për postin e presidentit. Por për shkak të mungesës së kuorumit, votimi nuk u zhvillua fare.
Gjatë seancës së fundit, kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu u bëri thirrje deputetëve opozitarë që të kthehen në sallë dhe të marrin pjesë në votim, duke e quajtur këtë moment vendimtar për institucionet e vendit.
Nga ana tjetër, kryeministri Albin Kurti dhe përfaqësues të qeverisë akuzuan opozitën për bojkotim të Kuvendit dhe bllokim të procesit demokratik. Kurti deklaroi se qytetarët do ta japin verdiktin e tyre në zgjedhjet e reja dhe se mbështetja për Vetëvendosjen vetëm do të rritet.
Opozita, ndërkaq, fajësoi qeverinë për mungesë kompromisi. LDK-ja deklaroi se kishte propozuar emrin e presidentes aktuale Vjosa Osmani për mandat të ri, por sipas tyre pushteti nuk ishte i interesuar për konsensus. PDK dhe AAK e kritikuan ashpër mënyrën si u zhvillua procesi, duke e cilësuar të dëmshëm për rendin kushtetues.
Me përfundimin e afatit kushtetues pa zgjedhjen e presidentit, legjislatura u shpërnda automatikisht. Tash vendi hyn në një tjetër garë zgjedhore, ndërsa qytetarët e Kosovës do t’u drejtohen sërish kutive të votimit për të vendosur për përbërjen e re të Kuvendit dhe drejtimin politik të vendit.
Nga kriza në krizë. Qytetarët e Kosovës do të detyrohen të dalin në zgjedhje për herë të pestë në 16 muaj, nëse llogariten edhe dy rundet e zgjedhjeve lokale. Më së largu më 7 qershor, qytetarët e Kosovës do të dalin për të votuar për herë të tretë në zgjedhje parlamentare në më pak se dy vjet.

