Live Stories from Prishtina

LIVE

23 Mars, 2026

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje e ditës me lajme që kryesuan ditën dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

Ka qenë një javë që të lë me ndjesi të përziera, nga njëra anë, dyshime që paralajmërojnë ndryshime në politikë, nga ana tjetër ngjarje të rënda që të kujtojnë sa e brishtë mbetet përditshmëria.

Vjosa Osmani ka dalë shpesh këto ditë në terren, duke takuar qytetarë në disa komuna. Zyrtarisht nuk është thënë qartë pse po ndodhin këto takime, por është e vështirë të mos shihen si një hap drejt rikthimit në skenën politike pasi t’i përfundojë mandati.

Fakti që është shoqëruar nga njerëz të Guxo dhe diskutimet për një afrim të mundshëm me Lidhjën Demokratike të Kosovës e bëjnë situatën edhe më interesante. Në të njëjtën kohë, vendi mbetet në pritje me çështjen e presidentit të ri të bllokuar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës dhe me mundësinë e zgjedhjeve që vazhdon të qëndrojë pezull.

Ndërkohë, tri vrasje brenda pak ditësh kanë lënë një shije të rëndë. Raste që nuk lidhen mes vete, por që bashkë krijojnë një ndjesi pasigurie që nuk mund të anashkalohet. Aso informata që të vynë me lexu arsyen mbrapa veprës së pa arsyeshme. E pastaj thehesh edhe më shumë, se e mëson që njerëzit binë pre e momenteve të liga, e me veprimin e tyre shkatërrojnë vetën dhe jetën e atyre që ndajnë jetën me ta dhe atyre që lënë pas.

Një tender i madh për pajisje stomatologjike ka mbetur sërish në vend. Akuza për favorizim, ankesa të njëpasnjëshme dhe një proces që po zvarritet prej muajsh. Në fund, ai që pret më shumë është qytetari sepse pajisjet mungojnë, ndërsa procedurat nuk ecin.

Bëhet fjalë për një tender rreth 2 milionë euro i hapur nga Qendra Klinike Stomatologjike e Kosovës për furnizim me pajisje. Në letër, arsyeja është e drejtë, pajisjet ekzistuese janë të vjetruara dhe duhet modernizim. Problemi nis te mënyra si është shkruar tenderi.

Një kompani (“Dua 5N2”) ka bërë ankesë duke thënë se specifikat teknike janë shumë të ngushta aq sa përputhen pothuajse vetëm me produkte të disa prodhuesve të caktuar (si Melag, Dentsply Sirona, etj.), të cilët në Kosovë përfaqësohen nga një distributor i vetëm (“Bora Dental”).

Pra nuk po kërkohen “pajisje të mira” në përgjithësi por po kërkohen karakteristika shumë specifike që i ka vetëm një brend.

Sipas rregullave të prokurimit publik, nuk lejohet që specifikat të “përshtaten” për një kompani apo të kufizohet konkurrenca, lejohet vetëm nëse thuhet “ose ekuivalente” pra edhe produkte të tjera me cilësi të njëjtë mund të aplikojnë.

E megjithatë, nuk është krejt errët. Ka diçka pozitive në faktin që këto gjëra po dalin në sipërfaqe. Që po flitet për to, që po kundërshtohen, që nuk po kalojnë në heshtje. Ndoshta nuk është shumë, por është një fillim.

E lexova një artikull të koha.net-it, për përpjekjet e operës për të gjallëruar pavarësisht çdo gjëje. Në pamje të parë, historia e Opera e Kosovës duket si një rreth që përsëritet, çdo vit audicione të reja, trupa të përkohshme, skena të improvizuara. Një institucion që ekziston, por ende nuk është vendosur plotësisht në këmbët e veta.

Por, po ta shohësh pak më ndryshe, ka edhe diçka që ia vlen të theksohet.

Fakti që çdo vit hapen audicione nuk është vetëm mungesë stabiliteti është edhe një derë që nuk mbyllet. Artistë të rinj, studentë, muzikantë nga brenda dhe jashtë vendit vazhdojnë të kenë mundësi të bëhen pjesë e saj. Pastaj bashkëpunimet, si ato me Teatrin e Operës në Tiranë, tregojnë se mungesa e kapaciteteve nuk po e ndal krejtësisht punën. Përkundrazi, po i shtyn drejt lidhjeve më të gjera dhe përvojave të përbashkëta.

Pastaj janë vetë veprat që po përgatiten nga operat e Giacomo Puccini si “Gianni Schicchi” dhe “Suor Angelica”, te homazhet për figura si Nexhmije Pagarusha. Këto janë përpjekje për ta mbajtur gjallë një frymë kulturore që edhe pa një shtëpi të vetën po gjen mënyra të ekzistojë.

Paradoksi mbetet një operë pa trupë të qëndrueshme e pa objekt të vetin por brenda këtij paradoksi ndodhet edhe këmbëngulja për të ndërtuar diçka që ende nuk është kompletuar.

Nuk janë zhvillimet e mëdha që e ndryshojnë gjithçka menjëherë. Janë këto momentet e vogla kur dikush kërkon llogari, kur dikush refuzon të pajtohet, kur dikush vendos të bëjë pak më mirë dhe prej aty, dalëngadalë, fillon të shihet edhe pak dritë.