Live Stories from Prishtina

LIVE

May 3, 2024

Java që shkoi ishte e suksesshme për Kosovën gjë që e mundësuan njerëzit e talentuar të këtij vendi. Përfaqësuesit e artit si artisti Petrit Halilaj dhe filmbërësi më i suksesshëm kosovar Samir Karahoda ja dolën me anë të punës së tyre të zënë vend edhe në kryetitujt më të famshëm botëror. (New York Times, Vogue, Guardian)

Që nga momenti kur rritemi, na thuhet se disiplina është ajo që e bën jetën më të mirë. Edhe pse nuk e di nëse rregulla e njëjtë vlen edhe në art. A është konsistenca që sjell sukses apo puna është më e suksesshme vetëm atëherë kur krijojmë vepra pasi inspirohemi.

Këtë javë, artisti i mirënjohur nga Kosova, Petrit Halilaj hapi në njërin ndër institucionet më prestigjioze të artit pamor në botë, në Muzeun Metropolitan të Nju Jorkut, një instalacion të artit bashkëkohor, të quajtur “Abetare.”

Abetare, instalacioni poetik-skulpturor i Petrit Halilajt ka dërguar atje merimanga, mbishkrime, tituj këngësh, zogj, përjetime, zhgënjime, shpresë e imagjinatë të fëmijëve që dikur jetonin në ish-Jugosllavi mandej në Kosovën e viteve 90 nën okupim, fëmijëve që përjetuan luftën dhe mesazhe lirie të viteve të para pas përfundimit të luftës.

Skulpturat janë derivat i vizatimeve të nxënësve mbi bankat e shkollës fillore në Runik të Skenderajt ndërtesa që u rrënua para 14-të vjetësh. Në ato dërrasa të fabrikuara ai gjente imagjinatën. Vizatimet gjenden si instalacione në tarracën e një prej çative më të famshme të muzeve nëpër botë.

Midis emocionesh, Petriti tha se veprat artistike ua ka dedikuar fëmijëve të Kosovës dhe atyre të gjithë botës.

Në ceremoninë e ingurimit të ekspozitës, Halilaj me interpretimin e tij përshkruan bankat shkollore, si shpirta që mbanin gjithçka përfshirë edhe detajet për UÇK-në.

“Abetarja”, që shndërron gdhendjet, shkrimet dhe gërvishtjet, ndonjëherë më të vogla se 1 centimetër, të nxënësve në bankat shkollore, në skulptura gjigande tredimensionale të vendosura në tarracën e muzeut, është pjesë e një udhëtimi më të zgjeruar nëpër rajon, që provon t’i lidhë përvojat universale me traumat intime dhe nevojën për t’u përballur dhe për të imagjinuar një të ardhme ndryshe.

“Këto vizatime janë nga Prizreni, nga shkolla të komunitetit turk, rom nga Obiliqi, nga shtetet e ndryshme si Shqipëria, si Maqedonia, Mali i Zi, por edhe shtetet si Serbia, ose shtete të tjera, të cilat jo domosdo sjellin kujtime dhe eksperienca të cilat ne i kishim dëshiruar. Më duket që këto vizatime, që vijnë nga këto shtete të Ballkanit, sjellin një ëndërr që nuk është utopike për një të ardhme ku të gjithë kemi vendin dhe mundësinë për ta krijuar një bisedë të re në aspektin kulturor dhe në të gjitha aspektet tjera,” ka thënë Halilaj.

Në qiellin e Nju Jorkut është një thirrje për një botë ku brezat e ardhshëm do të jenë të lirë të ëndërrojnë. Ekspozita “Abetare” do të jetë e hapur në Muzeun Metropolitan të Nju Jorkut deri më 27 tetor.

Një gjë nuk ka nevojë të diskutohet; kreativiteti i shqiptarëve për të treguar dhe shkruar histori.

Kur në fillim të këtij artikulli u përmend disiplina, në këtë fenomen një rol kryesor e ka edhe  Samir Karahoda. Filmbërësi më i suksesshëm i Kosovës, me punë shumë, modest dhe me sukses të garantuar është duke shkruar kapitullin e radhës të kinematografisë së Kosovës në botë: atë të cilin historia gjithmonë do ta përmend. Filmi i tij “Rrugës” është i dyti me radhë që është në konkurrencë zyrtare për “Palmën e Artë” të Festivalit të festivaleve, atij të Cannes.

Kjo nuk është vula e vetme në Cannes nga Kosova, në vitin 2021 Karahoda shkoi edhe me filmin “Pa vend”. Por kjo herë është më e veçanta, midis 4 mijë e 420 filmave të metrazhit të shkurtë selektorët kanë përzgjedhur 11 sosh për të qenë në garën për film të shkurtër.

“Rrugës” sjell tregimin e një babai dhe djalit të tij në rrugën e tyre për në aeroport për të marrë një dhuratë të ardhur nga jashtë, e dërguar nga kumbari i djalit. Ndërsa përballen me pengesa burokratike dhe një perspektivë të pakëndshme për ndryshime reale politike dhe sociale në vendin e tyre, ata gjejnë ngushëllim dhe forcë në optimizmin e tyre të përbashkët për të ardhmen. Rrëfimi zë fill nga vakia e vetë regjisorit. Më të birin e kanë provuar katrahurënë procedurale të pranimit të një dhurate.

Në filmin prej 15 minutash ngjarja tregohet nga aktorët Ylber Mehmeti dhe Miron Karahoda. Në skenar pos Samir Karahodës ka autorësi edhe i biri, Miron Karahoda.

“Rrugës” është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Televizioni Kulturor Europian ‘ARTE’ dhe Televizioni Finlandez ‘Yle’. Suksese “Rrugës” dhe fat Petritit.