Live Stories from Prishtina

LIVE

30 Prill, 2025

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

Në thellësinë e dimrit, më në fund mësova se brenda meje ndodhej një verë e pathyeshme. Ka ditë kur gjithçka përreth duket e ngrirë; bota heshtë, njerëzit ftohen, mendimet errësohen. Në ato çaste, kur vetmia merr formë konkrete, vetëm atëherë e kuptojmë që çka na mbanë gjallë nuk është drita nga jashtë, por gjithçka që kemi nga brenda.

Çka ndodhi dje n’Kosovë?

Afrim Caka ishte njëri prej dëshmitarëve, i cili e kishte identifikuar Milan Radoiçiqin si pjesëmarrës në dëbimet dhe vrasjet e civilëve shqiptarë në Gjakovë, për të cilin, një ditë më parë, Gjykata Themelore lëshoi fletarrest për krime lufte, së bashku me 19 serbë të tjerë.

Dështoi sërish konstituimi i legjislaturës së 9-të; Haxhiu mori tri vota më pak se në raundet e kaluara, e partitë e opozitës nga mandati i kaluar akuzojnë njëra-tjetrën.

Ani pse nuk i kanë 61 vota për rizgjedhjen e Haxhiut, po vazhdojnë ta ruajnë konsistencën në propozimin e njëjtë… u bë edhe “sebep” që Glauku ta fitojë epitetin si person stabil.

“Kur s’të don i joti, nuk të don as kojshia.” Nëse vetë bashkëpartiakët nuk marrin pjesë në sallën e Kuvendit, dhe po e dinë që edhe mungesa e atyre tri votave nuk luan rol në zgjedhjen tënde, atëherë pse shkon propozimi që nuk po votohet, o shok?

Dje, në Debat Plus, Gani Geci dha një deklaratë përmes së cilës tha se Glauk Konjufca ka kërkuar votën e Marigona Gecit, deputetes nga radhët e LDK-së, për ta votuar konstituimin e Kuvendit.

Kemi pritur “peshkim” nëpër deputetë, sidomos te ata që kanë potencial për bashkëpunim, por nëse është apo s’është kërkuar diçka në këmbim ende nuk e dimë — të cilën edhe Geci zgjodhi ta mbajë sekret.

Dje, Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, nuk e ka përjashtuar mundësinë e zgjedhjeve të reja pas bllokadës së krijuar për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

***

Deri në 30 për qind pritet të shtrenjtohet energjia elektrike për bizneset e mëdha, paralajmërojnë përfaqësues të disa kompanive të licencuara për furnizimin me energji elektrike në Kosovë.

Këto kompani aktualisht kanë shtuar përpjekjet për sigurimin e energjisë, në prag të nisjes së procesit të liberalizimit të tregut të energjisë.

Çfarë do të thotë liberalizimi i tregut të energjisë?
Procesi i liberalizimit të tregut të energjisë në vendet e Bashkimit Evropian ka filluar në fund të viteve ’90, me qëllim rritjen e konkurrencës, efikasitetit, sigurisë dhe zgjedhjes për konsumatorët.

Në Kosovë, ligji për energjinë elektrike është miratuar në vitin 2017, por është vonuar në zbatim. E tash, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka marrë vendim që nga data 1 qershor, të gjitha kompanitë e mëdha – konkretisht ato me mbi 50 të punësuar ose me qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro – të kalojnë në tregun e hapur të energjisë.

***

Amnesty International publikon raportin më të fundit për të gjeturat në Kosovë: përmend IVF, të pagjeturit dhe mospërparimin në Kodin Civil.

Në raportin e publikuar dje (29 prill), e që tregon sa po respektohen të drejtat e njeriut nëpër botë, AI ka kujtuar edhe dështimin e Kosovës për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës, për shkak të “kërkesës së minutës së fundit” për të themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

***

Dështoi prap seanca e thirrur për Planin Zhvillimor Komunal të Prishtinës; kryetari Rama akuzon për sabotim.

***

Lufta e njeriut kundër pushtetit është lufta e kujtesës kundër harresës. Në një botë ku shpesh ndodhin gjëra që duam t’i harrojmë, ose që na bëjnë t’i harrojmë, mbajtja gjallë e kujtesës është mënyra si e ruajmë identitetin, si i qëndrojmë besnik të vërtetës, si i themi jo manipulimit të historisë.