Live Stories from Prishtina

LIVE

July 19, 2024

Mbylli sytë për disa momente dhe përpiqu të parafytyrosh vendet më të famshme në botë pa monumentet apo objektet që i karakterizojnë.

Për shembull, imagjinoje Parisin pa Kullën e Eiffel-it, Romën pa Koleseumin e saj, Egjiptin pa piramidat e famshme, Indinë e largët pa Taj Mahal-en, padyshim se këto vende nuk janë njësoj dhe duken të thata dhe pa simbol.

Pikërisht kështu duket edhe Sydney pa Shtëpinë e Operës, ndërtesa e cila e vendosi këtë qytet në hartën e botës.

Ndërtesa me pllaka të bardha e cila ndryshoi imazhin e një qyteti, sot është ndërtesa me arkitekturën më të veçantë të shekullit të 20-të, andaj edhe shumica e vizitorëve duan t’i ndjejnë faktet e ndryshme që kanë dëgjuar, duke e parë ndërtesën dhe pamjen e mrekullueshme që ajo të ofron.

Por, cilat janë këto fakte dhe pse duhet ta vizitojmë një objekt të tillë në një kontinent tjetër?

E cilësuar si një nga “kryeveprat e padiskutueshme njerëzore”, në vitin 2007 nga UNESCO, objekti i operës është i vendosur në Bennelong Point në Sydney dhe i takon llojit të arkitekturës ekspresioniste. E cila në thelb nënkupton:

– Shprehja e emocioneve përmes formave të shtrembëruara;

– Theksimi i shprehjes simbolike ose stilistike mbi realizmin;

– Një përpjekje për të arritur dizajne të reja dhe origjinale;

– Tema mbi natyrën si malet, vetëtimat, formacionet shkëmbore dhe shpellat.

Historia e Shtëpisë së Operës ngjason me përrallat shekspiriane me plot triumf dhe drama. Kur u shpallë fitues dizajni i arkitektit danez Jorn Utzon, lokacioni i paraparë për ndërtesën ishte pranë portit të Sydney, ku dikur pleqtë shkonin dhe përcillnin perëndimin e diellit duke besuar se një energji magjike lëshohej aty ku uji i kripur i portit takohej me ujërat e ëmbla të lumit Parramatta.

Utzon donte që forma e operës të kishte në qendër guaskat e bardha duke bërë kontrast me blunë e thellë të portit të Sydney dhe blunë e pastër të qiellit australian. Ndërsa, për arkitekturën e jashtme gjeti frymëzim tek format Aztec dhe Mayan, ku më vonë u tregua se për pjesën e shkallëve nga betoni u inspirua nga tempujt në Meksikë.

Struktura e objektit është e ndërtuar prej betoni të armuar ndërsa fasadat nga xhami i polarizuar me korniza çeliku. Utzon përfundimisht bëri një ‘zgjidhje sferike’ për të krijuar predha nga sipërfaqja e një sfere imagjinare. Predhat (pllakat), janë të mbuluara me rreth 1 milion pllaka të bardha mat dhe krem të prodhuara në Suedi, edhe pse nga larg duken të gjitha të bardha në sy. Kjo zgjidhje sferike e ngriti arkitekturën përtej një stili të thjeshtë – në këtë rast atij të predhave – në një ide më të përhershme, të natyrshme në gjeometrinë universale të sferës.

Ndërtimi i Shtëpisë së Operës së Sydney parashikohej të zgjaste vetëm 4 vjet. Shumë shpejt u bë e qartë se një gjë e tillë nuk do të ishte e mundur. Ajo përfundoi pas 14 vitesh (1959-1973) me pjesëmarrjen e mbi 10 mijë punëtorëve.

Fillimisht u vlerësua se kostoja fillestare e tij do të ishte 7 milionë dollarë, kurse ajo përfundoi me shumëfishin e saj, përfundimisht 102 milionë dollarë.

E ekspozuar në qendër të diellit, ajo absorbon nxehtësinë shumë lehtë, teksa posedon një sistem interesant pasi që ajo ftohet duke përdorur ujin e detit të marrë direkt nga porti. Sistemi qarkullon ujin e ftohtë nga porti nëpër 35 kilometra tuba për të fuqizuar klimatizimin në ndërtesë.

Brenda “Shtëpisë së Operës”, ndodhet Salla e Koncerteve e cila besohet të jetë më e madhja në botë e veprimit mekanik. E lartë deri në 15 metra, këtë vit salla ka përfunduar renovimet për 50 vjetorin e ndërtesës, në vitin 2023.

Qendra e arteve interpretuese punoi me studiot më të famshme të arkitekturës si ARM Architecture, duke tentuar të mbajë nën kupolë origjinalitetin që la Utzon dhe Hall. Për të përmirësuar akustikën e sallës së koncerteve, ekipi zëvendësoi reflektorët origjinalë të varur me 18 versione tekstil me fije qelqi në formë petale, që përmirësojnë akustikën si për interpretuesit ashtu edhe për audiencën. Me ngjyrë violet, ato gjithashtu i drejtohen ndjesisë origjinale të ambientit të projektuar nga Hall.

Petalet funksionojnë së bashku me detaje të tjera të reja akustike, të tilla si një seri reflektuesish muri që funksionojnë dhe panele druri të gdhendura që mbështjellin skenën dhe stallat. Me anë të këtyre ndryshimeve akustika është përmirësuar dhe zëri arrin barabartë tek të gjitha shtrirjet e audiencës.

Artistë të shumtë dolën si yje nga kjo ndertesë teksa edhe shumë përformuan si të tillë. Paul Robeson ishte personi i parë që performoi në Sydney Opera House. Në vitin 1960, ai u ngjit në skela dhe u këndoi punëtorëve të ndërtimit Ol’ Man River ndërsa ata hanin drekën.

Shtëpia e Operës së Sydney-t u hap nga Mbretëresha Elizabeth II, më 20 tetor 1973.