Dje n’Kosovë
2 Tetor, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje e ditës me lajme që kryesuan ditën dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Përderisa je gjallë mund të fillosh përsëri, përsëri dhe përsëri!
Çka po ndodh në Kosovë?
Kosova po që po kalon në një periudhë të ngarkuar me zhvillime politike, gjyqësore, e cila rrjedhimisht na ndikon të gjithëve sepse Kosova është aq vend i vogël sa që në një mënyrë gjithmonë dikë e njeh dikah dhe dikë e ke diçka.
Nervoza e dikujt në punë prej një eprori, që këtë eprorin e ka nervozu diçka sistemi, se me fillim të muajit i kanë shku paret në rroga, i ndikon nanës të këtij punëtorit kur fëmijet e saj nervozën me shefin e “shprazin” tek nana, një zinxhirë që nuk ndalet edhe në fushat tjera.
Në skenën politike, vendi vazhdon të mbetet pa institucione të plota. Pas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, është bërë e qartë se Kuvendi nuk mund të konstituohet pa zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb. Gjykata ka urdhëruar që procesi të përfundojë brenda 12 ditëve, ndërsa Bashkimi Evropian dhe OSBE kanë bërë thirrje për respektim të vendimeve dhe formim sa më të shpejtë të qeverisë së re. Megjithatë, tetë muaj pas zgjedhjeve, deputetët ende nuk kanë arritur ta përmbyllin këtë proces, duke reflektuar mungesë të vullnetit politik.
Në planin gjyqësor, në Hagë po vazhdon procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Ish-diplomati James Covey, dikur zëvendësshef i UNMIK-ut, ka dëshmuar për rolin politik të Hashim Thaçit dhe zhvillimet e pasluftës, por shpesh ka thënë se nuk i mban mend detajet e raporteve të asaj kohe.
Një prej pyetjeve që ju shtrua Covey-t nga prokurorja ishte për librin që ky i fundit kishte shkruar:
Ku thuhej se LDK gjatë viteve ’90 kishte ngritur një aparat paralel për shkolla e shëndetësi, por një pjesë e nacionalistëve dhe studentëve, mes tyre edhe Hashim Thaçi i ri, e shihnin Rugovën si të lidhur me regjimin serb. Takimi i Rugovës me Millosheviqin shihej prej tyre si provë bashkëpunimi.
“Që të jem i saktë, kur kam thënë janë bërë personazhe kryesore në UÇK, nuk i kam përshkruar rolet e tyre”, ka thënë ish-diplomati Covey.
Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi po gjykohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza që ata i mohojnë duke insistuar se UÇK-ja luftonte vetëm kundër forcave serbe.
***
Ndërkohë, në prag të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është përballur me dyshime mbi disa organizata që kanë aplikuar për vëzhgim, përfshirë një OJQ të regjistruar vetëm një javë më parë me mbi 250 vëzhgues. Disa anëtarë të KQZ-së kanë paralajmëruar rrezikun e ndikimeve të huaja, ndërsa u vendos që për shtatë organizata të kërkohen sqarime shtesë para akreditimit.
***
Në fushën e kulturës, vendi ka kujtuar figurën e Jusuf Gërvallës në 80-vjetorin e lindjes së tij. Shkrimtari, gazetari dhe kantautori, i vrarë nga shërbimet jugosllave në vitin 1982, mbetet simbol i një trashëgimie të dyfishtë arti dhe idealizmit kombëtar. Megjithëse ceremonia e organizuar në Bibliotekën Kombëtare u kritikua për mungesë niveli, fjalimet dhe interpretimet artistike risollën në vëmendje veprën dhe sakrificën e tij.
***
Në sport, skuadra e Sigal Prishtinës ka nisur me fitore rrugëtimin në Ligën ENBL, duke mundur Gimle Basket nga Norvegjia me rezultat 90:79. Me lojë të shkëlqyer të Deondre Burns dhe bashkëlojtarëve të tij, prishtinasit shpresojnë për rezultate të mira edhe në përballjet e ardhshme, përfshirë ndeshjen kundër Brussels Basketball në Belgjikë.
***