Live Stories from Prishtina

LIVE

5 Tetor, 2025

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje e ditës me lajme që kryesuan ditën dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

I dashur lexues, Murakami ka thënë: “Çka ndodhë kur njerëzit e hapin zemrën? Lirohen! Bëhen më mirë!”. Asnjë akt mirësie, sado i vogël të jetë, nuk shkon kot, mos lëviz me mënyrën se si frika të bën të ndjehesh, lëviz me mënyrën si dashuria të bën të ndjehesh!

Çka e karakterizoi Kosovën tonë?

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të premten se “të gjithë po përgatiten për luftë” dhe se Kosova po “përpiqet ta përdorë këtë kohë para luftës” për t’i bindur shumicën e shteteve evropiane dhe vendet e NATO-s t’ia mbajnë anën Prishtinës.

Vuçiç i bëri këto komente pasi u pyet nga një gazetar për thirrjen e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, që Evropa t’i parandalojë taktikat agresive dhe destabilizuese të Serbisë ndaj fqinjëve të saj.
Duke folur për Samitin e Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Kopenhagë, Vuçiq tha se “bota do të bëhet gjithnjë e më e vështirë” dhe se ai “mendon se po shkojmë drejt një konflikti të madh”.

Pra ne i kemi të vrarë rreth 13 mijë njerëz të vrarë prej luftës edhe përfshirë çdo situate eskaluese pas luftës që ka përfshirë ndikimin serb, si në trazirat e marsit në 2004-ën ku situata shpërtheu pas një incidenti tragjik në lumin Ibër, ku tre fëmijë shqiptarë u mbytën, si në situatën në 2011-ën ku mbeti i vrarë polici i njësisë speciale, Enver Zymberi, gjatë aksionit policor në veri të vendit, në përpjekje për të vendosur kontrollin e institucioneve të Kosovës në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, si sulmet më të fundit të 2023-ës në veri, sulmin në Banjskë ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku e edhe sulmi ku ndodhi shpërthimi i fuqishëm që goditi kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, të cilat u menaxhuan si mos me qenë ne viktima… prap se prap dhe prap, prap e zgjedhëm paqen dhe sot na thuhet që ne po tregohemi dinak për të marrë përkrahje evropiane. Wow! Çfarë diplomacie a!!!

Pas kësaj erdhi reagimi i presidentes Vjosa Osmani, që e quajti deklaratën e tij si një thirrje të rrezikshme për luftë dhe e krahasoi Vuçiqin me Sllobodan Millosheviqin, duke thënë se edhe ai po përpiqet të ruajë pushtetin përmes nxitjes së konflikteve.

Ajo theksoi se Serbia dikur kreu krime të rënda në Kroaci, Bosnje e Kosovë dhe se historia do të përsëritet nëse Beogradi vazhdon me të njëjtën qasje.

***

A di lexues i dashur çka është “fatkeqësia”, që “natyra njerëzore është si uji. Merr formën e enës ku gjendet”, mendojmë që gjanat janë tonat dhe vetëm tonat. Mendojmë që kur kemi biznes e pare, kemi të drejtë edhe për thyrje të rregullave. Prej frikës që na ik fuqia prej dorës, përshtatemi aq mirë sa nuk e kuptojmë ku e kemi gabim, mendojmë që kemi të drejtën të sillemi në mënyra të caktuara, zotëruese.

Qe pse po them kështu:

Në vetëm një ditë, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) i ka dënuar partitë me mbi 5000 euro.

Qemajl Aliu, kryetari aktual i Shtimes, e tash prap kandidat për këto zgjedhje lokale e ka përdorur faqën zyrtare të Komunës së Shtimes për promovim elektoral. Aliu është dënu me 2 mijë euro.

1,000 euro për kandidatin e pavarur Nedzmidin Sejdilar në Dragash, për shfrytëzim të hapësirave të komunës dhe përdorim slogani elektoral.

800 euro për Listën Serbe, për vendosje të posterëve në hapësira publike pa leje.

500 euro për Lirak Musliun e Partisë Demokratike të Kosovës, ku për vendosje posterësh ka shfrytëzuar udhëkryqin mes Rrugës B dhe rrugës Enver Maloku.

***

Çysh bre në një organizim ku pjesëmarrës janë figurat më të rëndësishme shtetërore nuk ka vend për kryeparlamentarin e vendit.

Sa siklet e sa turp, me pa një person duke u sillë e duke i fërku duart derisa nuk ka karrige me u ulë, në një ngjarje ku vetë e kanë ftuar, e ku pozita e tij është me rëndësi e dyta pas presidentes.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, u gjend në një moment të paqartë protokollar, duke mos e ditur saktësisht se ku duhej të ulej gjatë ceremonisë së Ndërrimit të Komandës në KFOR edhe kërkush nuk lëvizi me i bo vend.

Sa keq… shumë keq!

***

Vintage shopi Blyshy dee Blush ka festuar një vjetorin e veprimtarisë, duke e shënuar këtë ditë të veçantë aty ku gjithçka ka nisur, te Tat’s. Të shtunën, më 4 tetor, vizitorët kanë zbuluar një koleksion të ri me veshje vintage dhe krijime të ricikluara, të përzgjedhura me kujdes.