Live Stories from Prishtina

LIVE

January 17, 2024

NOTE: Ky blog është krijuar për t’iu ofruar juve një këndvështrim të sinqertë rreth temave të caktuara, duke filluar nga librat dhe kultura, e deri tek mendimet dhe qëndrimet tona. Çfarëdo që të duket personale, mos e konsidero të tillë. Disa janë të bazuara në eksperienca personale, disa në vlerësime filozofike e psikologjike, e disa të tjera në evidencë. Ideja është që të mësosh diçka nga përvojat tona dhe pse jo të të gjenden ndonjëherë në jetë. No hard feelings. It’s all based on a true story. Paper Team

Vitet e fundit, Shqipëria ka kaluar një udhëtim frymëzues dhe është bërë subjekt titujsh në revistat dhe gazetat ndërkombëtare për pamjen e saj natyrore të mahnitshme.

Çdo transformim i madh, nga panorama e mrekullueshme e Tiranës deri te trashëgimia e lashtë në Butrint, ka tërhequr vëmendjen e medias, duke shënuar një ndryshim të padiskutueshëm që nuk mund të mos vihet re.

Në veçanti, ndryshimi ka prekur pamjen arkitekturore të Tiranës. Nga ndërtesat administrative dhe kulturore që shtrihen përgjatë bulevardit, ky qytet ka filluar të shfaqë një dominim të arkitekturës moderne. Ky proces nisi me iniciativën e Edi Ramës, aktualisht kryeministër i Shqipërisë dhe ish-kryetar bashkie i Tiranës, i cili ndryshoi drastikisht pamjen e qytetit, me ngjyrosjen shumëngjyrëshe të ndërtesave të vjetra në qendër. Ndryshimet vazhduan edhe gjatë mandatit të Erion Velijajt, ku simbolet historike të arkitekturës u transformuan në hapësira moderne, duke i dhënë qytetit një aurë të re dhe të freskët.

Për çfarë bëhet fjalë? (Restaurimi i Piramidës)

Mes dy godinave ikonike të Tiranës, Kryeministrisë dhe Hotel Dajtit, ndodhet Piramida e Tiranës. Piramida u ndërtua në vitin 1985, pas vdekjes së liderit komunist Enver Hoxha. E projektuar në vitin 1988 nga vajza e tij Pranvera Hoxha, dhëndri Klement Kolaneci, dhe arkitekti Pirro Vaso dhe Vladimir Bregu, objekti do të shërbente si muze për jetën dhe veprën e Hoxhës.

Sa i përket gjinialitetit arkitekturor, Piramida ngjall në të njëjtën kohë efektin kur drita e diellit depërton në mënyrë radiale në retë e errëta. Arkitektët ndërthurën parimet socio-realiste (forma e yllit, simetria, shkallët e procesionit, ngritja në piedestal, etj.) me një formë mjaft të pastër dhe të artikuluar, duke i dhënë një aspekt modern ndërtesës. Fasada e pjerrët e Piramidës krijoi një perspektivë iluzionare, një veçori unike në atë kohë. Sipas arkitektit Pirro Vaso, për realizim u përdorë një plan i hapur, i cili më vonë do t’i lejonte edhe transformime hapësirës. Nivelet e dyshemesë ishin projektuar si një seri platformash që dalin nga perimetri duke krijuar një amfiteatër të madh, me një statujë mermeri të bardhë të ish-diktatorit në qendër të tij.

Sipas faqës “Architectul,” gjatë periudhës së ndërtimit, nën udhëheqjen e partisë komuniste, u shpenzuan mbi 4 milionë dollarë për realizimin e Piramidës, edhe pse vendi ndodhej në kulmin e varfërisë.

Vitet e 2000-ta

Pas vitit 2000, e ardhmja e monumentit bëhet diskutim i madh. Disa e shihnin si provokim që kujton periudhën komuniste, ndërsa disa e kërkonin ndryshimin e funksionit dhe morën një qëndrim radikal për shembjen e tij. Ndonëse kjo gjë nuk ndodhi dhe prap u vendos që të ruhet monumenti. Meqenëse Piramida ishte e vendosur në sheshin e Tiranës, parakalimi i qytetarëve dhe turistëve e ndihmoi monumentin të shndërrohej në atraksion kryesor turistik. Pas vitit 2000, ndërtesa iu nënshtrua një procesi rinovimi që nuk përfundoi kurrë. Në vitin 2007 u mbajt një konkurs ndërkombëtar për ta shndërruar atë në një teatër dramatik dhe qendër për artet pamore. Asnjë nga propozimet nuk u realizua dhe piramida mbeti e njëjta.

Në vitin 2010, u organizua një konkurs tjetër – i fituar nga Coop Himmeb, që propozoi prishjen e piramidës dhe krijimin e një godine të re parlamenti në vend të saj. Me këtë propozim pasoi një debat publik me shumë peticione dhe protesta u zhvilluan përpara ndërtesës duke i dhënë fund projektit për ta mbajtur Piramidën gjallë. Në vitin 2021, e mveshur me mermer dhe mbishkrim, Piramida po ristaurohej.

Bashkia e Tiranës vendosi ta shndërrojë Piramidën në një qendër për IT për të rinjtë me një kosto prej 12 milionë eurosh. Rikonstruktimi i saj u financua nga qeveria dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit. Piramida ka ruajtur bazën e saj ndërsa rreth saj janë ndërtuar një shumëllojshmëri me 48 kuti shumëngjyrëshe të shpërndara brenda, mbi dhe rreth strukturës së vjetër si blloqe ndërtimi nga kompania arkitekturore holandeze MVRDV. Dikur njerëzit që e vizitonin Piramidën i ngjiteshin asaj edhe në majë, tash janë projektuar tamam shkallë që njerëzit të mund të ngjiten më sigurtë se më parë. Ky modifikim i objektit, të dhuron ndjesinë e të qenurit mbi Tiranë. Kutitë përbëhen nga kafene, studio, punëtori, zyra për start-up, një Airbnb dhe një postë e ambasadës franceze. Rreth gjysma e mbetur e hapësirës janë për përdorimin e TUMO-së, një institucion arsimor jofitimprurës që ofron arsimim pas shkollës, falas për adoleshentët në teknologjitë e reja. Dy shtëpiza tjera, janë anuar për të shërbyer si teatro të vogla për fëmijë. Multifunksionale, e pa parë në Ballkan dhe shumë moderne, kjo po që ishte Piramida e Re e Tiranës.

Çfarë shkruajtën mediat e huaja për ”Piramidën e Re”?

Rowan Moore, kritiku i arkitekturës dhe fitues i çmimit “Critic of the year” nga shtypi britanez në vitin 2014, i vuri këtë epitet Piramidës së Tiranës: Nga monumenti i tiranit në simbolin e gëzueshëm të Shqipërisë moderne. Sipas Moore, Piramida ishte një monument i kotë për të përkujtuar një diktator, një objekt që përfaqësonte ekstravagancë në një vend ku buka ishte e racionuar, njerëzit e të cilit mezi hanin bukë. Duke tingëlluar më shumë si kritik personal rreth kompanisë MVRDV, shkrimi i Moore në gazetën Guardian, e paraqet skandaloz faktin që mungon qasja për njerëzit me karroca dhe  propagandike faktin që pretendon të kap imazhet e ndritshme të kapitalizmit të teknologjisë në një vend që është ende i varfër. Nuk mungojnë as komentet pozitive, si ajo për fuqizimin e mënyrës për të ribërë një të kaluar të trazuar pa e fshirë atë. “Vepra e re nderon kompleksitetin e historisë së ndërtesës, e cila përfshinë punën dhe aftësinë e njerëzve që e ndërtuan atë. Zbulon krenarinë për të kaluarën krahas shpresës për të ardhmen”, ka shkruar ai për Guardian.

Në anën tjetër, Andrew Higgins, gazetari dhe shefi i zyrës për Evropën Lindore dhe Qendrore me qendër në Varshavë nga New York Times, e titulloi Piramidën e Tiranës, si “Tel Avivi i Ballkanit”. Me një foto të qendrës së Tiranës gjatë stinës së ftohtë në ballinën e artikullit, e cila më shumë ngjante me ndonjë qytet hungarez, artikulli i NYT, ishte ndryshe, pasi nuk u shkrua nga një kritik i arkitekturës. Në të përfshiheshin disa këndvështrime, të njerëzve që e urrenin dhe donin ta shkatërronin përmbajtjen e saj së bashku me kujtimin, si dhe të atyre që e donin ndryshimin.

Çka meriton vëmendje është ndarja në gjysmë e hapësirës së kutive për qendrën edukative TUMO Tirana. Një hapësirë e cila mungon në Kosovë, e që në Shqipëri ka ndriçuar mendjen e mbi 1000 adoleshentëve në animacion, filmim, zhvillim lojërash, dizajn grafik, muzikë, modelim 3D, programim dhe robotikë. Qëllimi kryesor është t’u jepet adoleshentëve mundësi për të arritur potencialin e tyre maksimal në industritë konkuruese dhe me rritje të shpejtë në shkallë globale, të zgjerojnë horizontet dhe të zhvillojnë mentalitetin e tyre drejtë një sistemi vlerash qytetare dhe profesionale që bazohet në merita, komunikim, punë ekipore, iniciativë dhe vetëbesimi. Krejt në fund, Piramida brenda saj ruan një kujtim edhe për kosovarët, ajo u përdor si bazë për NATO-n gjatë luftës së Kosovës para se të bëhej gërmadhë.

Përmbledhje e Erletës: sado që nuk mund ta kuptojmë ndjenjën e atyre që Piramida për ta ishte një simbol i turpit, objekti me ”krahë të rinjë”, ka filluar shkrimin e një historie të re. Simbol i shpresës dhe një arkitekturë ekzekutuar në shije të IT-së.