N’Kosovë
3 Tetor, 2024
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndan me ty!
Kur në mëngjes dielli prek flokët e mi dhe më ngroh kokën, paramendoj se çfarë i bëjnë zemrës sime njerëzit që janë si dielli me prezencën e tyre dhe ngrohin çdo zbrazëti të shpirtit.
24 orët e fundit në Kosovë:
***
Emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka rekomanduar që autoritetet e Kosovës të marrin veprime në kohën e duhur. Ai ka thënë se, sikur Manastirit të Deçanit t’i ishin dhënë me kohë pronat, Kosova do të ishte sot anëtare e Këshillit të Evropës. Sarrazin nuk ka treguar nëse Kosova do të ketë pasoja edhe nga refuzimi për ta hequr masën e sigurisë ndaj importeve nga Serbia.
Pse sot nuk jemi pjesë e KE-së, i nderuar Sarrazin, meqenëse një gjë e tillë tashmë veçse ka ndodhur? A nuk thanë ndërkombëtarët të njëjtën gjë për demarkacionin në 2017, se vizat do të liberalizoheshin menjëherë pas tij?
***
A po e rrezikon qeveria pjesëmarrjen në Procesin e Berlinit? A është treguar i ngadalshëm Kuvendi i Kosovës në përmbushjen e zotimeve që dalin nga Procesi i Berlinit?
Një proces kaq i rëndësishëm dhe, kur Kosova ka marrë paralajmërime për përjashtim, a ka zgjedhur qeveria e Kosovës të refuzojë të gjitha zgjidhjet?
Sivjet do të shënohet 10-vjetori i lansimit të Procesit të Berlinit, nismë që ka për qëllim rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe integrimin e vendeve të rajonit në BE.
Emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka paralajmëruar mundësinë e përjashtimit të Kosovës nga Procesi i Berlinit nëse Qeveria nuk e heq masën e sigurisë të vendosur për mallrat e importuara nga Serbia.
***
Në radhët e festivaleve të muzikës, Festivali Ndërkombëtar i Muzikës “DAM” ka kohë që u bën vend formacioneve “më ndryshe”. Pianisti dhe kompozitori i njohur nga Luksemburgu, Francesco Tristano, është rikthyer për një koncert pikërisht në “DAM”. Bashkë me perkusionistin Pascal Schumacher dhe gjashtë anëtarë të Filharmonisë së Kosovës, ata kanë dhuruar spektakël. E kanë bërë këtë me muzikë minimaliste, koha.net.
***
Ndoshta mësimi më i mirë që kam marrë këtë vit, i dashur lexues, është të mos japësh gjithçka për njerëzit që nuk bëjnë të njëjtën për ty!