Dje n’Kosovë
20 Shtator, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje e ditës me lajme që kryesuan ditën dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Nuk po di sa shpjegohet, por ka disa muaj që ndiej thuajse jam duke jetuar në një balonë të palëvizshme, në të cilen nuk ndodhë asnjë gjë përtej hajgareve politike. Sikur zgjohem, shkoj në punë, kthehem në shtëpi, dëgjoj për gjëra që nuk ecin, dëgjoj për këste të kredive, problem me qarkullimin e cash-it dhe për kredit kartelat të cilat të thejnë në kurriz.
Thuajse jeta është ndalur për krejt të tjerët, përveç për ata që duan t’i përmbushin ambiciet personale në dëm të krejt të tjerëve.
Për kreativitet të interpetimit të kushtetueses si ne s’ke ku gjenë, kanë mbetur edhe dhjetë ditë afat që Kushtetuesja të na dalë edhe me një interpretim, për t’i dhënë zgjidhje njëherë e mirë ose për ta bërë edhe më lëmsh Kuvendin.
“U’a ka ngrënë macja gjuhën” ekspertave tash prej kur kanë hy në zgjedhje lokale.
***
Një javë pas pezullimit të dialogut strategjik nga SHBA-ja, Kurti na siguron se gjithçka është në rregull – dallimet me Uashingtonin qenkan vetëm “te Serbia dhe strukturat ilegale”. Për pjesët tjera, thotë se bashkëpunimi është shembullor: blerje armësh, programe MCC, gjithçka bukur.
Madje opozita paska faj që e sheh situatën më keq se që është. Në anën tjetër, amerikanët thonë hapur se veprimet e qeverisë së tij kanë rritur tensionet dhe destabilitetin.
Po pse me prishë “nejen”, kur të prishen gjërat e mëdha, gjithmonë mund të ngushëllohemi me ndonjë pako municionesh dhe ndonjë projekt zhvillimi.
***
E pash një përmbledhje të fushatës në KTV, për javën e parë ku u theksuan këto pritje prej gazetarëve, analistëve:
Prognoza për balotazh, shumica e komunave pritet të shkojnë në raundin e dytë, me Prishtinën, Mitrovicën, Prizrenin, Gjilanin e Gjakovën në krye të listës.
Oktaj Hasani, njohës i çështjeve lokale, tha se moskonstituimi i Kuvendit ka sjellë dëshpërim dhe mungesë besimi te qytetarët, teksa partitë e mëdha kërkojnë vota për nivelin lokal.
Sazan Ibrahimi, drejtor i Asociacionit të Komunave theksoi se kandidatët që kanë qenë në pushtet lokal kanë përvojë dhe avantazh kundrejt atyre të rinjve që shpesh nuk njohin përgjegjësitë.
Sipas gazetarit Naim Sadiku, qytetarët nuk po tregojnë shumë interes, ndërsa disa kandidatë po shfaqin arrogancë, gjë që rritë hendekun mes tyre dhe elektoratit.
***
Meqenëse në politikë s’po kemi fat me njerëzit që po na përfaqësojnë ani pse me zgjedhjet tona, ja një lajm i mirë kah kultura.
Baleti Kombëtar i Kosovës do të ngjitet për herë të parë në një prej skenave më të njohura të Italisë, në festivalin prestigjioz “Venezia in Danza”, që mbahet nga 29 nëntori deri më 7 dhjetor në teatrin katër shekullor “Malibran” të Venecias. Trupa do të prezantojë kantatën skenike “Carmina Burana” të Carl Orffit me koreografi të mjeshtrit italian Toni Candeloro, e cila më herët u soll në Prishtinë në bashkëpunim me Filharmoninë dhe Operën e Kosovës.
Koreografi e balerini Sead Vuniqi e ka cilësuar këtë si një prej ngjarjeve më të rëndësishme të vitit për institucionin, duke theksuar se Venecia është një prej qendrave më të vjetra dhe më prestigjioze të kulturës klasike e baletit. Shfaqja me lëvizje abstrakte që ndërthurin fatin e njeriut mes vajtimit e festës, do të interpretohet edhe në qytetin italian Potenza më 1 dhjetor.
A mund ta shohim këtë si një hap të madh drejt afirmimit të artit kosovar në arenën botërore dhe çfarë ndikimi mund të ketë kjo për institucionin dhe repertorin e tij në të ardhmen?
