Prishtinë
1 Shtator, 2026
Salsa, mambo dhe bachata veç kur i dëgjon si terme të duken “cool”, paramendo edhe me i mësu disa hapa për me dalë mirë në pistë, qysh të duket.
Si e vogël, kam pas qejf me e paramendu vetën me taka në pistë vallëzimit; veç një dritë në qendër që në fokus m’ka pas mua e unë në anën tjetër tu e djeg vallëzimin. Nejse këto kanë qenë veç ëndërra të një fëmije që e ka dasht “spotlightin” ( jo bash qaq hapur)
Sa i përketë historisë të këtyre tri vallëzimeve, Salsa u formësua nga muzika kubane dhe u zhvillua fuqishëm në New York, ku komunitetet latino i dhanë ritmit një identitet të ri. Mambo lindi në Kubë në vitet ’30 dhe ’40 dhe më vonë u bë një prej ritmeve më të mëdha të vallëzimit në Amerikë. Ndërsa bachata vjen nga Republika Domenikane dhe për shumë vite lidhej me lagjet dhe festat e njerëzve të zakonshëm, para se të bëhej një prej valleve më të njohura latine në botë.
Pra, kur dëgjon salsa, mambo apo bachata, në fakt po dëgjon histori të ndryshme të Karaibeve që kanë udhëtuar shumë larg vendit ku kanë nisur.
E këtë shtator, disa prej këtyre ritmeve do të jenë edhe në Prishtinë.
Ndoshta edhe për mua që kam ëndërruar por kurrë se kam realizuar mund të jetë shansi i parë, ja pse…
Prishtina do të ketë edhe këtë vit festivalin e saj të vallëzimt. Nga 4 deri më 7 shtator, Klan Arena do të mbledhë valltarë nga vende të ndryshme, artistë ndërkombëtarë, DJ dhe njerëz që duan ta provojnë vallëzimin edhe për herë të parë.
Bëhet fjalë për edicionin e dytë të Prishtina Dance Festival, i cili këtë vit vjen në një format dukshëm më të madh.
Për festivalin dhe atë që pritet të sjellë ky edicion foli Rroni në emisionin “Drive Time” me Shukin, ku tregoi se ideja e festivalit vitin e kaluar nisi edhe si një lloj testi për të parë nëse një ngjarje e tillë mund të funksiononte në Kosovë.
“Vitin e kaluar hera e parë edhe e testuam a bën në Kosovë me u ndërtu një festival i vallëzimi? Po bëjke. Edhe tash edicioni i dytë është trefish më i madh”, tha ai.
Sivjet synimi është që festivali të mos mbetet vetëm një ngjarje për komunitetin lokal të vallëzimit. Organizatorët duan të sjellin në Prishtinë edhe pjesëmarrës nga Evropa.
“Targetin e kemi prapë Evropën, me mund me i sjellë të paktën 1.000 veta prej Evropës”, tregoi Rroni.
Përveç vetë festivalit, kjo do të thotë edhe më shumë vizitorë në qytet dhe më shumë qarkullim për bizneset lokale. Rroni e sheh këtë si një prej përfitimeve që mund të ketë Prishtina nëse një event i tillë arrin të rritet.
Nëse mendoni se duhet të jeni valltar profesionist për të marrë pjesë, festivali nuk është i ndërtuar kështu.
Një pjesë e programit u dedikohet edhe atyre që nuk kanë vallëzuar më parë. Pjesëmarrësit mund të zgjedhin mes niveleve fillestare, mesatare dhe të avancuara, ndërsa workshop-et përfshijnë stile të ndryshme.
“Ne po kemi qejf me ardhë njerëz që nuk kanë vallëzuar asnjëherë në jetë edhe me marrë mësime për herë të parë”, tha Rroni.
Gjatë ditës do të zhvillohen workshop-et, ndërsa pjesëmarrësit do të kenë mundësi të zgjedhin mes stileve dhe niveleve të ndryshme.
Në festival do të jenë gjithsej 32 artistë, të cilët do të zhvillojnë mësime në dy salla, ndërsa të dielën do të ketë edhe një hapësirë të veçantë për fëmijë.
Të premten programi nis në mbrëmje, ndërsa të shtunën dhe të dielën workshop-et zhvillohen gjatë ditës.
Festivalit i shtohen performancat, DJ-të dhe festat në disa skena, ku pjesëmarrësit mund të vallëzojnë me instruktorë, artistë apo me njerëzit që kanë takuar gjatë festivalit.
“Ti shkon në cilin stage, ti kërcen me atë artistin që e ke aty ose kërcen me pjesëmarrës të tjerë që janë në festival, bën shoqni, kënaqesh, provon diçka të re”, shpjegoi ai.
Pritshmëritë e organizatorëve për këtë edicion janë mes 1,500 dhe 2,000 pjesëmarrës gjatë tri ditëve dhe tri netëve.
Për fëmijët, sivjet është paraparë një program i veçantë me tri workshop-e për moshat 11 deri në 14 vjeç.
Edicioni i dytë nuk do të ketë garë finale. Fokusin, siç shpjegoi Rroni, e kanë vendosur më shumë te mësimi, përvoja dhe komuniteti.
“Gara nuk po bëjmë njëherë, për shkak që hala nuk e kena nivelin e duhur. Është më shumë edukative dhe sociale, edhe ka performanca natën e shtunë”, tha ai.
Kjo nuk do të thotë se mungon pjesa performuese. Përkundrazi, performancat e së shtunës janë një prej pikave kryesore të programit.
Vallëzimi, për organizatorët, duket se po bëhet gradualisht edhe një mënyrë për të krijuar komunitet.
Në bisedën për “Drive Time”, Rroni tregoi se gjatë viteve janë krijuar edhe histori personale brenda këtij komuniteti, duke përmendur çifte që janë njohur në sallat e vallëzimit dhe më pas janë bërë prindër.
Ndërkohë, një tjetër synim është përfshirja e valltarëve shqiptarë nga diaspora, të cilët, sipas tij, janë shumë më të shumtë dhe më të suksesshëm nga sa mund të mendohet.
“Ka shumë më shumë se që mendojmë ne”, tha Rroni për valltarët shqiptarë në diasporë.
Organizimi i një festivali të kësaj madhësie kërkon edhe mbështetje nga bizneset dhe partnerët lokalë.
Rroni foli edhe për pjesën e punës që publiku zakonisht nuk e sheh.
“Njerëzit nuk e shohin këtë punën që është building up, ose me e ndërtu një send. E shohin në fund kur ndërtohet”, tha ai.
Sipas tij, bizneset kanë ndihmuar në forma të ndryshme, nga akomodimi dhe ushqimi deri te transporti për artistët dhe pjesëmarrësit.
Në fund, synimi mbetet që Prishtina Dance Festival të rritet çdo vit dhe të krijojë një vend për Kosovën në hartën e festivaleve evropiane të vallëzimit.
Për katër ditë, Klan Arena do të jetë vendi ku do të takohen 32 artistë, qindra valltarë dhe mijëra njerëz që duan të mësojnë, të kërcejnë ose thjesht të kalojnë disa net me muzikë të mirë.
Dhe për ata që ende mendojnë se nuk dinë të vallëzojnë, Rroni e ka një përgjigje të thjeshtë:
“Nuk është nevoja me qenë… thjesht me e shiju.”

