Më 9 nëntor, Kosova do të kthehet sërish në kutitë e votimit. Balotazhi, si gjithmonë, është raundi i dytë i shpresave, pazareve dhe deklaratave për “të mirën e qytetarëve”. Këtë herë, gara zhvillohet në 18 nga 38 komunat e vendit përfshirë emrat e komunave të mëdha si Prishtina, Prizreni, Peja, Gjilani, Gjakova e Mitrovica e Jugut.
Zyrtarisht, fushata fillon të hënën (sot) dhe zgjatë vetëm gjashtë ditë, nga 3 deri më 9 nëntor. Por, në stilin e zakonshëm kosovar, partitë nuk e kanë pritur gongun. Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur tubim në Prishtinë, Përparim Rama i LDK-së ka dalë me video të sponsorizuar, dhe të gjithë duket se janë futur në garë para se ora e KQZ-së të niste të tik-takojë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i lodhur tashmë nga entuziazmi i hershëm, ka bërë thirrje që fushata të zhvillohet “në frymën e respektit” dhe pa “gjuhë urrejtjeje”.
Me fjalë të tjera kanë dashtë me thanë që debatoni sa të doni, por mos e teproni.
Zëdhënësi Valmir Elezi ka kujtuar se ligji ndalon çdo formë pengese, kërcënimi apo dhune ndaj kundërshtarëve politikë ndonëse kjo pjesë zakonisht kuptohet më mirë pas ditës së votimit.
Ai ka kujtuar edhe një afat praktik: qytetarët që për shkak të shëndetit ose paaftësisë nuk mund të dalin nga shtëpia duhet të regjistrohen për votim deri më 4 nëntor.
Ndërkohë, prapa skenës po ndodhin lëvizjet e zakonshme: marrëveshjet. Deri tani janë tetë marrëveshje politike në 18 komuna dhe AAK-ja është kampione e tyre me katër marrëveshje në xhep. Në Junik, Aleanca ka marrë përkrahjen e Vetëvendosjes, ndërsa në Prizren, ajo ja kthen nderin duke e mbështetur VV-në.
Në Gjakovë, ku Ardian Gjini po kërkon mandatin e dytë, AAK-ja është bashkuar me LDK-në. Dhe për ta mbajtur balancën, në Prishtinë Bekë Berisha ka shpallur mbështetjen për Përparim Ramën të LDK-së kundër Hajrulla Çekut të Vetëvendosjes.
Vetëvendosja që ka arritur të hyjë në balotazh në 12 komuna, këtë herë ka preferuar më pak aleanca ndoshta për ta mbajtur “pastërtinë politike”.
Përveç marrëveshjeve me AAK-në në Junik e Prizren, ajo do ta mbështesë Shaban Shabanin e PDK-së në Dragash, dhe ka një marrëveshje të diskutueshme me Xhafer Tahirin e LDK-së në Vushtrri, që LDK-ja e mohon, por Tahiri nuk heq dorë prej saj.
Nga ana tjetër, LDK-ja dhe PDK-ja po bëhen gjithnjë e më miq. Dy partitë kanë arritur marrëveshje bashkëpunimi në Gjilan, Fushë-Kosovë dhe Mitrovicë të Jugut, duke e bërë të qartë që në politikën lokale nuk ka armiqësi të përhershme, vetëm interesa të përbashkëta.
Në raundin e parë të zgjedhjeve, më 12 tetor, LDK-ja doli e para në Prishtinë dhe Pejë, PDK-ja në Prizren, Vetëvendosja në Gjilan dhe Mitrovicë të Jugut, ndërsa AAK-ja në Gjakovë. Ferizaj, për ndryshim, e mbylli punën qysh në raundin e parë duke rizgjedhur Agim Aliun e PDK-së, pa shumë dramë.
Kosova po hyn në një tjetër javë fushate të shkurtër por intensive, ku kandidatët do të përpiqen të tregojnë se janë “për njerëzit”, ndërsa partitë do të vazhdojnë të tregojnë se janë “për njëra-tjetrën” të paktën deri më 9 nëntor. Pas asaj date, të gjitha marrëveshjet, premtimet dhe fjalimet do të varen në ajër, derisa të numërohen votat dhe të shpallet fituesi i radhës.
