27 Prill, 2026
Ka moment që punojmë për t’i harruar dhe pastaj ka momente që punojmë për të mos i harruar.
Portreti i Ferdonije Qerkezit në pritjen tek tavolina e ngrënjës tashmë është shndërruar në mural në Prishtinë.
Vepra është realizuar nga artistja Ermira Murati, e njohur si “Orange Girl”, e frymëzuar nga fotografia ikonike e Artan Korenicës dhe ekspozita e tij e vitit 2023 në Muzeun Etnologjik të Prishtinës, ku historia e Qerkezit ishte vendosur në qendër të vëmendjes.
Në mural paraqitet Ferdonije Qerkezi, nëna nga Gjakova, përballë një tryeze me gjashtë pjata. Janë bërë 27 vjet që kur forcat serbe ia morën me dhunë katër djemtë dhe bashkëshortin nga shtëpia. Dy prej djemve u gjetën të vrarë në vitin 2005, ndërsa për dy të tjerët dhe bashkëshortin ende nuk dihet asgjë.
Ky imazh përfaqëson jo vetëm dhimbjen personale të saj, por edhe fatin e mijëra familjeve shqiptare që humbën më të dashurit gjatë luftës së viteve 1998–1999 dhe vazhdojnë të jetojnë mes pritjes dhe pasigurisë.
Murali është vendosur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe është realizuar me rastin e Ditës Kombëtare të Personave të Zhdukur në Kosovë. Ai synon të nderojë kujtimin e viktimave, të mbështesë familjet që kërkojnë ende të vërtetën dhe të rikujtojë rëndësinë e drejtësisë, llogaridhënies dhe solidaritetit.
Sipas organizatorëve nga Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, vepra nuk tregon vetëm historinë e Ferdonije Qerkezit, por mishëron dhimbjen, shpresën dhe qëndresën e të gjitha familjeve që ende presin përgjigje.
Fotografia origjinale e Artan Korenicës kishte tërhequr vëmendje të madhe që nga viti 2018, ndërsa më pas u bë pjesë qendrore e ekspozitës së tij në Muzeun Etnologjik. Atje, historia e Qerkezit u prezantua përmes fotografive, instalacionit me tryezën e shtruar dhe një filmi artistik që pasqyronte përditshmërinë e saj mes mungesës dhe pritjes së pafund.
Sot, kushdo që parakalon nga rruga kryesor dhe do ta kenë para syve historinë e Ferdonijes dhe familjes së saj e cila ndanë dhimbjen e njëjtë me shumë shqiptarë të tjerë. Njëkohësisht, le të jetë ky mural edhe ftesë për të vizituar shtëpinë-muze të Ferdonije Qerkezit në Gjakovë, ku ruhen sendet e familjarëve të saj të zhdukur dhe ku ajo vetë rrëfen historinë që vazhdon ta mbajë gjallë prej gati tri dekadash.
Edhe 25 vjet pas konfliktit, familjet shqiptare, serbe dhe ato të nacionaliteteve tjera, janë ende në pritje për të kuptuar më shumë për më të dashurit e tyre. Të pagjetur vazhdojnë të jenë 1.612 persona.
Dita e të Pagjeturve në Kosovë shënohet më 27 prill, ndërsa më 30 gusht shënohet Dita Ndërkombëtare e Viktimave të Zhdukjeve me Forcë.

