Live Stories from Prishtina

LIVE

20 Maj, 2025

“Why do you postpone yourself?”
— Seneca

Ky artikull është shënuar duke u bazuar në filozofinë e Lucius Annaeus Seneca. Duke e lexuar mund ta dëgjosh këngën e Rita Orës – Anywhere (pasi kjo po luhej në Paper Play Radio teksa po e shkruja fundin e artikullit dhe u ktheva që t’i shkruaja edhe këta rreshta)!

Çdo mëngjes zgjohemi me njëfarë ndjenje urgjence. Një nxitim i heshtur na shoqëron për të përmbushur detyrat, për të qenë të dobishëm, për të mos mbetur pas. E përsërisim këtë çdo ditë, duke shtyrë atë që ka më shumë rëndësi, vetveten.

Shumë prej nesh kanë një listë të gjërave me më shumë prioritet, tek ato me më pak, gjëra që i konsiderojmë më të rëndësishmet në jetë (ndoshta jo të shkruara por në mendje).

Por nëse i hedhim një sy ditës sonë të zakonshme, kuptojmë se ato gjëra as që janë diku aty.

Mashtrimi i rrugës së gjatë

Na është mësuar të besojmë se lumturia vjen më vonë. Se duhet të punojmë, të kursejmë, të ndërtojmë, e pastaj një ditë… ndoshta një ditë… do të jetojmë vërtetë. Por a vjen ndonjëherë ajo ditë?

“Most people try to live up to a child’s fantasy of adulthood.”

Jemi kapur në një ëndërr të vjetër, një ëndërr që nuk ishte e jona, ishte e një fëmije që merrte brenda vetës gjithçka që mendonte se ishte e mirë kur shihte të tjerët.

Çka mund të jetë ajo që një fëmijë e mendonte si sukses? Një shtëpi, një makinë, një status por që ndoshta më nuk është e jona. Ndoshta asnjëherë s’ka qenë.

Lista e parimeve që nuk ndjekim

Pyete veten: cilat janë gjërat më të rëndësishme për ty? Shkruaji.
Pastaj pyete: Gjatë ditës a i bënë këto “ma t’rëndësishmet për ty?”

Nëse në krye të listës ke shëndetin, por e injoron trupin tënd; nëse vlerëson familjen, por je gjithnjë në punë; nëse e quan krijimtarinë “arsyen pse je gjallë”, por nuk i dedikon as 10 minuta në ditë atëherë po miku im ti po e shtyn veten (dhe më beso…unë ndoshta nuk jam personi adekuat për t’i thënë këto…por po mësoj edhe veten teksa po të shkruaj edhe ty).

“You went to work, but you haven’t put in a single minute on the work of life.”

Punë për para apo jetë për luksin e të tjerëve?

Puna s’është e keqe. Por kur ajo zë të gjitha vendet e tjera në jetën tënde, bëhet një justifikim për ta lënë veten pas, ndërkohë:

“Hunger is cheap. The palate is expensive.” – Seneca

Domethënë nevojat janë të thjeshta. Është dëshira për luks, për status, për miratim që na robëron apo ikja prej diçkaje që nuk dojmë të përballemi. Jemi duke sakrifikuar jetën reale për gjëra që s’na nevojiten vërtet.

A je ende duke pritur të fillosh të jetosh?

Pyetjet që duhet t’ia bëjmë vetes janë të pakëndshme, por të domosdoshme:

A është kjo dita që doja të jetoja?

A është kjo jeta që kam zgjedhur apo ajo që më ka ndodhur?

Po shtyj veten sepse nuk kam kohë, apo sepse kam frikë?

Po, e di ka përgjegjësi, detyra, llogari për të paguar. Por ka gjithashtu një jetë për të jetuar. Dhe jeta s’pret. Vetja jote e ardhshme nuk do të të falënderoj që e vonove për një e-mail tjetër apo për një mbledhje pa kuptim.

Fillo nga pak. Zgjoje veten në mes të ditës. Vendose të parën, atë që është e para në listën tënde të vlerave.