Live Stories from Prishtina

LIVE

1 Tetor, 2026

Nga Ditari i Paper  | 2026

Në betejën ku bëhej luftë për liri, për dinjitet dhe për çlirimin e popullit ndaj një agresori, ata që zgjodhën të ishin luftëtarë duke marrë vendimin të lënë gjithçka mbrapa dhe duke rrezikuar të humbasin jetën apo edhe ndjenjën e tyre për veten, nofka që u vendosej ishte ndër gjërat e vetme që ata kishin me vete kur ndodheshin në vijat e frontit.

Historikisht, nofkat e këtyre luftëtarëve u bën edhe simbole krenarie siç ishte e Mujë Krasniqit, që njihej me kodin 506, Bekim Berisha i njohur me nofkën e luftës Abeja, Abedin Rexha i njohur me nofkën Sandokani, të cilët ranë duke luftuar e sot njihen me këta emra.

Edhe të atyre që sot janë gjallë si “Sulltani” që ishte pseudonimi i luftës i Sylejman Selimit, Ramush Haradinaj me pseudonimin Smajli, Daut Haradinaj me pseudonimin David, Shukri Buja me pseudonimin Gazetari e shumë të tjerë.

Meqenëse është thirrur protestë gjithëpopullore për sot (e enjte) në orën 16:00 në Prishtinë për ta kundërshtuar vendimin e Gjykatës Speciale për katërshen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nga platforma “Liria ka Emër”, pasi Specialja shpalli fajtorë për kinse krime lufte dhe i dënoi me nga 25 vjet heqje lirie Hashim Thaçin e Jakup Krasniqin, ndërsa Kadri Veselin me 18 dhe Rexhep Selimin me 13, le të flasim sot për nofkat e katër ish-komandantëve dhe çka kishte treguar secili për pseudonimin e vet.

Ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi – “Komandant gjarpri”

Gjatë kohës së luftës në Kosovë ai kishte kaluar kufirin më vdekjeprurës shumë herë në heshtje.

“Unë kam kaluar kufirin shpesh Shqipëri – Kosovë, Kosovë – Maqedoni, përmes Preshevës, përmes trekëndëshit Kosovë – Mali i Zi – Shqipëri, dhe bashkëluftëtarët duke parë gjithë këto lëvizje të shpeshta, duke më parë se Serbia nuk mund të më kapte, sepse unë isha i dënuar edhe më herët nga Serbia qysh në vitin 1993 dhe me shumë aktakuza pastaj një pas një, atëherë shokët filluan të më thërrisnin “Komandant gjarpri”, kishte treguar ish-presidenti i Kosovës.

 

Kadri Veseli më shumë është thirrur me emrin “Luli”.

Kadri Veseli në emisionin televiziv të gazetës inFokus, n’Konak, kishte treguar se nofkën e morri në shtëpinë e gjyshss së Ramush Haradinajt.

“Nofka ‘Lul’ më ka mbetë në Jabllanicë ku kom qëndru, i jam shumë falenderues nënës Azë që na ka mbajtë si fëmijët, e vet nëna e Lahisë, Ibrahimit, gjyshja e Ramushit, kam qëndru me dhjetëra netë në Jabllanicë, bisedonim filluan me ma përmend emrin tim, unë isha në Zvicër thash nuk bën kështu duhet një nofkë, deri atëherë s’kam pasë nofkë, Lahija tha Luli edhe ashtu më mbeti”.

 

 

Rexhep Selimi “10-shi”

Thuhet se gjatë periudhës së ilegales dhe luftës, anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe krerët e saj përdornin numra ose pseudonime të ndryshme si kode sekrete radiolidhjeje dhe komunikimi për të mbrojtur identitetin e tyre nga shërbimet sekrete armike, Rexhep Selimi mori numrin/kodin 10 (duke u njohur si “10-shi”).

Ramadan Selimi, vëllau i Rexhës, në një intervistë për gazetën “Demos” tregoi se ai kishte shumë nofka madje nga Shqipëria njerëzit e njihnin edhe me nofkën “Agron” ndërsa 10-shi i mbeti në bazë të aksioneve që kanë pasë UÇK-ja.

Jakup Krasniqi – Baci

Krasniqi në vitin 2018, kishte shkruar një reagim online për nofkën e tij të luftës ku kishte thënë:

Në luftë nuk kam pasur pseudonim, ndonëse ne ndonjë rast, ish-nxënësit më kanë thirrur mësuesi, e në ndonjë rast më kanë thirrur dhe Baci, që më thonë edhe sot. Opinionit të gjerë, vendor e ndërkombëtar nga 10/11 qershori 1998 i jam prezantuar, me emrin e mbiemrin: Jakup Krasniqi. Në fakt, pseudonim kam pasur në ilegalitet nga viti 1973/74 deri në prill të vitit 1981. Kam pasur dy pseudonime: “Naimi” e “Skënderi””, kishte shkruar Krasniqi.

E sot le të dalim të gjithë në protestë për luftën e drejtë të UÇK-së me “Lulin, “Gjarprin”, “10-shin” dhe “Bacin”.