Dje n’Kosovë / foto: AP
12 Tetor, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje e ditës me lajme që kryesuan ditën dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Serbia mund të flas pafund për Kosovën, por beteja e saj është mbyllur prej kohësh. Humbjen e parë e pësoi në vitin 1999, kur një popull i vogël i tregoi se liria nuk mposhtet me tanke. Pastaj e humbi në sallat e Hagës, ku u shkrua e zeza mbi të bardhë për krimet e saj. Më vonë e humbi në tryezat e diplomacisë, teksa mbi njëqind shtete ngritën dorën për Kosovën e pavarur. E dëshmoi në sport kur Kosova hyri në UEFA e FIFA, e sot garon me flamur e himn të vet. Serbia nuk kontrollon më as ndeshjet, as emocionet dhe as të vërtetën.
Mbrëmë Leskovci nuk u zgjodh rastësisht!
Pas ngjarjeve të dhjetë viteve më parë në Beograd, momentin ku droni me flamurin “autokton” zbriti në stadiumin serb, Serbia zgjodhi ta zhvendosë ndeshjen në Leskovc një qytet vetëm pak dhjetëra kilometra larg kufirit me Kosovën.
Dikur, në kohën Osmane, kjo zonë kishte shumicë shqiptare dhe bënte pjesë në Sanxhakun që i përkiste Vilajetit të Kosovës për disa shekuj. Historia mori drejtim tjetër pas luftërave serbo-osmane, kur në vitin 1878 Serbia e aneksoi këtë territor dhe dëboi me dhunë mbi 30 deri në 40 mijë shqiptarë që sot i njohim si “muhaxhirë”.
Ata që mbetën, u përfshinë në një proces të gjatë asimilimi, por gjurmët shqiptare nuk u zhdukën kurrë. Mbiemrat e shqiptarëve i mbijetojnë emrat e fshatrave në toponime dhe madje në mbiemra të serbizuar si “Djimsiti” / “Gjimshiti”.
Në Leskovc, aty ku dikur u shua zëri i mijëra shqiptarëve të dëbuar, Berat Gjimshiti e udhëhoqi Shqipërinë drejt fitores. Kapiteni ynë nuk mbante vetëm një fanellë, por edhe një histori të tërë në shpinë, plagën e asimilimit që Serbia për dekada ua ka shkaktuar shqiptarëve në trojet e tyre. Mendoje për pak momente barrën e tij dje.
Berati vjen nga Bujanovci, ku ende sot gjurmët shqiptare mbijetojnë në heshtje. Në dokumentet zyrtare, mbiemri i tij figuron “Djimsiti” një kujtim i detyruar i politikave të serbizimit. Por në fushë, kur mbanë fanellën kuqezi, ai kthehet në Gjimshitin e vërtetë dhe çdo herë që luan, ai nuk përfaqëson vetëm një kombëtare por gjithë ata që u përpoqën t’u ndërronin emrin, gjuhën e kujtesën.
Kur Rey Manaj, golashënuesi pak para përfundimit të 45-minutëshit të parë shënoi gol, nuk ka zemër shqiptari që qëndroi në vend.
Manaj ngriti duart dhe bëri simbolin e shqiponjës, e gjithë tribuna shpërtheu nga mllefi. Ky gjest krenarie e feste me simbolin kombëtar, për Serbinë është fyerje, sepse “provokohet” nga gjithçka shqiptare.
Kjo është arsyeja pse çdo ndeshje kundër Serbisë është betejë më vete.
Ne vazhdojmë të shembim çdo iluzion të Serbisë për “Kosova është Serbi” atë e kemi bërë dhe po e bëjmë me fitore të betejave. Tek serbët kjo përshkruhet me “tragjedi” dhe “skandal”, njësoj si titujt e mbrëmshëm në mediat e tyre që flisnin për rezultatin e lojës.
Serbia humbi sërish, jo vetëm tri pikë, por edhe ëndrrën për të parë Botërorin nga brenda.
Ndërkohë, Kosova mbetet në garë, duke e ndjekur vendin e dytë me hapa të sigurt. Shqipëria, me fitoren e së shtunës, u rikthye fuqishëm në lojë.
Dyjat ngjallën shpresën që ende digjet e gjallë në fund të çdo ndeshjeje.
Trajneri i Serbisë, Dragan Stojkoviç, dha dorëheqjen në mënyrë sensacionale, vetëm pak minuta pas humbjes ndaj Shqipërisë.
Rezultati nënkuptonte humbje të njëpasnjëshme për Serbinë, e cila u mund 5-0 nga Anglia në shtator.
Serbia tani është e treta në Grupin K me shtatë pikë, katër pikë pas rivalit të saj, Shqipërisë.