Ne as nuk e imagjinojmë sa “mrekullitë” u bashkuan, vetëm që ti/unë/ secili prej nesh të jemi këtu, pikërisht tani. Andaj gjithçka që kemi sot, janë falë gjithçkaje që u gjendëm dhe falë gjithçkaje që u rethuam në momente të caktuara.
Nganjë ditë nuk është aspak e lehtë i dashur lexues, sidomos kur je duke u marrë me diçka që e don dhe ndihesh sikur nuk je duke e dhënë më të mirën nga vetja.
Për ata që nuk e dinë dhe që nuk gjenden rregullisht në këtë faqe, ky artikull është nisur që të jetë i përditshëm dhe që çdo ditë në një formë sa ma të lehtë për secilin prej jush, t’u tregoj se çka ndodhi apo se çfarë po ndodhë në Kosovë e Shqipëri.
Rreth arsyejes se pse Iliri deshi që unë ta shkruaj këtë artikull, nuk ka thënje më të mirë se ajo e Charlie Chaplin që e shpjegon atë:
“Jeta është tragjedi kur e sheh nga afër, por komedi kur e shikon nga larg.”
Andaj pa zvogëluar vështirësitë e secilit në atë që kalon çdo ditë, e sidomos të atyre ku sistemi ka ndikim direkt, asnjëherë mos harro se premtimet e atyre që ndikojnë në xhepin tonë janë të personave të njëjtë që mund të flasin me orë të tëra… pa thënë asgjë!
Ja çka ndodhi këto ditë në Kosovë?
Deri kah mesi i javës do të kuptohet nëse vendi sapo ka kaluar një palë zgjedhje apo vetëm një provë gjenerale për rundin tjetër që mund të na bie në fund të vitit. Se këtu zgjedhjet rrallë mbarojnë, kur mbarojnë.
Procesi i votimit u krye, por numërimi dhe “oficializimi”, si zakonisht, u penguan nga një dramë e re, këtë herë fletëvotimet “kapriçoze”, me numra serikë që shfaqeshin e zhdukeshin, sidomos në Mitrovicë, që papritmas u shndërrua në epiqendër kombëtare sikur Prishtina të mos ekzistonte fare kësaj here për VV-në.
Sidoqoftë, doli më pas se këso fletëvotimesh kishte pasur thuajse në të gjithë Kosovën dhe se numri i tyre kishte qenë, megjithatë shpërfillës, krahasuar me numrin e përgjithshëm të votave të përgatitura për balotazh.
Sido që të jetë, PZAP-ja e refuzoi kërkesën e PDK-së që votimi të përsëritej. Tash i mbetet Supremes që të merret me këtë punë, ndërkohë që thuajse gjysma e votave nga diaspora nuk janë marrë fare parasysh, thuhet për shkak të dokumentacionit të parregullt.
Ndërkohë shumë vota të diasporës mbetën jashtë lojës për shkak të dokumenteve të pasakta, klasikja.
Sa për rezultatet, të gjitha partitë dolën fitimtare sipas versionit të tyre: VV mori disa komuna, LDK ruajti Prishtinën, AAK ruajti bastionet e veta, PDK numëroi vota më shumë se të tjerat. Fitorja e Prishtinës për LDK-në ishte e madhe, edhe pse kryeqyteti realisht ka nevojë urgjente për një menaxhim më tokësor sesa ç’ka parë katër vitet e fundit.
Te PDK-ja ndodhi edhe lëvizja e parë serioze, Memli Krasniqi dha dorëheqjen pas humbjes në Drenas e Mitrovicë, duke hapur garën e re mes Bedri Hamzës dhe Enver Hoxhajt.
Krasniqi do të mbahet mend si njeriu që e mori kryesimin e partisë disa muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 2021-ës dhe e mbajti deri para disa ditësh. Gjatë gjithë kohës së krizës së sivjetme politike mbajti qëndrim parimor; nuk e refuzoi bashkëbisedimin me Kurtin; qe i vetmi kryetar që komunikonte me gazetarët pas çdo vazhdimi seance të dështuar të Kuvendit dhe u tërhoq kur e vlerësoi se partisë së tij i duhet një figurë unifikuese, duke treguar se rrymimet brenda partisë nuk janë aq të dobëta sa për t’i injoruar.
Ndërsa VV e festoi Mitrovicën sikur t’i kishte fituar zgjedhjet parlamentare më shumë për simbolikën e veriut sesa për numrin e votave. Tani mbetet të shihet sa ndihmë financiare do t’i vijë qeverisjes së re atje, gjë që varet prej krijimit të qeverisë së re në nivel qendror.
Pjesa më ironike e gjithë historisë? Partitë që deri dje ishin opozitë thonë se nuk duan ta votojnë qeverinë e re edhe pse pa qeveri nuk ka buxhet, dhe pa buxhet nuk ka rroga, furnizime, barna, shkolla, as shërbime bazike. Por duket se ideja për zgjedhje të reja u tingëllon më e ëmbël sesa akti i thjeshtë i bashkëpunimit.
Partitë premtojnë gjëra të mëdha për të fituar simpatinë e votuesve pa garanci për realizimin e tyre, vendimet e rëndësishme shpesh vendosen në pika simbolike që dramatizojnë çdo zgjedhje, dhe konfliktet e vazhdueshme, mosmarrëveshjet ndërpartiake dhe interesat e brendshme e kthejnë çdo proces në një teatër ku qytetari ndihet spektator, ndërsa mungesa e vazhdimësisë dhe besueshmërisë bën që premtimet dhe fitoret e vogla të duken më shumë si cirk politik sesa si zgjidhje reale për problemet e përditshme.