Live Stories from Prishtina

LIVE

15 Janar, 2025

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

E di që ende dhemb që nuk e keni marrë një kërkim falje nga ata. Prandaj, unë do të kërkoj falje për ta. Më vjen keq që u takove me personat e gabuar, më vjen keq që nuk ta vlerësuan mirësinë tënde, më fal që rri në hije të atyre që shtireshin ndryshe. Më fal që nuk e dëgjuan zërin tënd, si dhe më fal që frikësohesh për atë që e ardhmja mban. I love you!

Çka e karakterizoi ditën e djeshme në Kosovë?

***

Nuk ka parti politike që këto ditë nuk ka premtuar më shumë shtesa për fëmijë si tentim për rritje nataliteti. A janë gratë në Kosovë veç për të lindur fëmijë sipas tyre? Askënd nuk e dëgjova që premtoi më shumë vende pune për gratë ose respektim të të drejtave në punë.

Sa gra mbeten pa punë vetëm pse janë në pritje të fëmijës? Sa prej tyre nuk marrin pagë më shumë se 70% edhe pse ju takon me ligj? Askush nuk foli se si kanë ndryshuar pagat, por gratë në pushim lehonie marrin nga shteti vetëm 223 euro. E për fund, sa gra nuk kthehen në vendin e punës vetëm pse janë bërë nëna.

***

Kam menduar që pak liderë përdorin duar kur shprehen edhe gjuhën e trupit me zemër, por në fakt Kurti po ua kalon. Mandej, edhe po është qesharak, karizmatik.

Inskenimi i mbytjes së mizës në tubimin e VV-ës në Pejë, duke e paraqitur LDK-në si partinë të cilën populli do ta mbys, është krahasimi më i çuditshëm i kësaj fushate. “Si ajo miza që lavdohet se njerëzit e presin me duartrokitje”, tha Kurti. Ndërsa ka marrë këtë përgjigje mjaftueshëm të artikuluar pa ofendime, por me zgjuarsi: “Duartrokitjet e popullit; zanafillë e panikut të pushtetit në ikje”.

Fjalët si zuzar, rrokat, kundrejt opozitës nga pozita, kanë marrë një kundërpërgjigje edhe nga kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, i cili tha kështu: “Gjatë tërë jetës time, kam pasur role publike, kam qenë profesor, jam baba dhe gjuha shqipe ka mjaftueshëm fjalë për të shprehur kritikën, lavdimin dhe gjithçka tjetër”.

Çfarë panorame ke përpara lexues?

***

Më 16 janar bëhet hapja e ekspozitës “Arti Kallnorit: Buron Kaceli”, në galerinë Qahili. Kuratore e ekspozitës është Nita Qahili. Ajo tregon se ekspozita hulumton konceptin e lëvizjes në art dhe shqyrton se si figura njerëzore në piktura tërheq sjelljen e shikimit. (Kallnor është emri i bukur i moçëm i muajit janar).

Njeriu gjërave të jetës ua di vlerën vetëm kur nuk i ka më. Por edhe pasi i humbim, janë momentet ato që mbesin dhe kujtohen në fund të ditës. Kohën kur e dëgjuat fjalën: “Më vjen mirë që u njohëm”, si dhe kur ju thonë “E pash këtë dhe më kujtove ti”.