Live Stories from Prishtina

LIVE

17 Gusht, 2026

Nëse kalon pak kohë në Instagram apo TikTok, mund të krijosh përshtypjen se mëngjesi ideal duhet të nisë në orën 5:30. Një vrap para lindjes së diellit, një gotë ujë me limon, një matcha perfekte, një mëngjes plot proteina, 20 minuta meditim, pak journaling dhe, natyrisht, kohë për t’u bërë gati për ditën.

Por realiteti për shumicën prej nesh është pak më ndryshe.

Alarmi bie, e shtyjmë edhe pesë minuta, pastaj edhe pesë të tjera. Kafja pihet ndonjëherë në këmbë, ndonjëherë në veturë dhe, në ditët më të ngarkuara, mund të na duhet të dalim nga shtëpia pa ngrënë fare.

Një rutinë e mirë mëngjesi nuk duhet të duket bukur në Instagram. Nuk ka nevojë të jetë e gjatë, perfekte apo e mbushur me dhjetëra zakone. Në fakt një rutinë shumë e thjeshtë mund të ketë ndikim pozitiv në mënyrën se si e përjetojmë pjesën tjetër të ditës.

Pse na duhet një rutinë mëngjesi?

Ditët tona janë të mbushura me gjëra që kërkojnë vëmendjen tonë: puna, universiteti, fëmijët, familja, trafiku, mesazhet, afatet dhe të gjitha ato “duhet ta bëj këtë sot” që na vijnë në mendje sapo hapim sytë.

Prandaj, një rutinë e vogël mëngjesi mund të jetë një mënyrë për ta nisur ditën duke bërë diçka për veten, para se të fillojnë kërkesat e të tjerëve.

Nëse dita fillon me nxitim, telefonin në dorë dhe mendjen te dhjetë gjëra njëkohësisht, shpesh ndihemi sikur jemi duke vrapuar pas ditës që nga minuta e parë.

Por nëse kemi edhe vetëm 10-15 minuta që i përkasin vetëm nesh, mund ta ndryshojmë mënyrën se si ndihemi.

Së pari, nuk ka një orë magjike për t’u zgjuar

Një nga mitet më të mëdha të rutinave të mëngjesit është ideja se duhet të zgjohesh në 5:00 të mëngjesit për të qenë produktiv.

Nëse zakonisht zgjohesh në 8:00 dhe vendos që nga nesër do të ngrihesh në 5:30, ka shumë mundësi që pas disa ditësh ta braktisësh krejt idenë.

Më mirë është ta bësh gradualisht, nëse aq shumë të është fikësuar që dëshiron të zgjohesh më herët, provo ta shtysh alarmin vetëm 15 minuta më herët, pas disa ditësh, provo edhe 15 minuta të tjera.

Qëllimi nuk është të zgjohesh i pari i mahallës por të gjesh një orar që funksionon për ty.

Gjyshja gjithë thoshte: rutina që të lodh më shumë sesa të ndihmon nuk është rutinë e mirë.

Prej detajeve të para për ta filluar ditën që konsiderohet si “by default” është “me pi kafe”.

Për shumë shqiptarë, kafja është aI 10-minutëshi para se të nisë dita, kafja në ballkon, në kuzhinë, në kafenenë e lagjes ose ajo që pihet me dikë tjetër para se të nisësh punën.

Por ky nuk është detaji që duhet ta ndryshosh ajo që duhet ta kesh në konsiderat është në vend që ta pish kafenë duke kontrolluar telefonin dhe duke iu përgjigjur mesazheve, provo ta kthesh atë në një moment të vogël vetëm për vetën.

Pije kafen pa bo asgjë tjetër për pesë minuta.

Ndonjëherë edhe kaq mjafton për t’i dhënë trurit pak kohë para se të futet në ritmin e ditës.

Çfarë mund të përfshish në rutinën tënde? (nuk ke nevojë t’i bësh të gjitha, zgjidh vetëm një ose dy gjëra.)

1. Mos e prek telefonin menjëherë

Ky mund të jetë ndryshimi më i thjeshtë.

Në vend që gjëja e parë që shikon sapo zgjohesh të jetë Instagrami, TikToku apo lajmet, jepi vetes disa minuta pa telefon.

Nuk ke pse ta bësh për një orë edhe 10 minuta janë fillim i mirë.

2. Pije një gotë ujë

Pas disa orësh gjumë, një gotë ujë është një mënyrë e thjeshtë për ta nisur ditën.

Nuk ka nevojë të jetë ndonjë ritual i komplikuar me fara, pluhura apo përbërës ekzotikë, veç ujë.

3. Ha diçka

Jo të gjithë kanë oreks në mëngjes dhe jo të gjithë kanë kohë të përgatisin një mëngjes perfekt.

Por nëse mundesh, ha diçka që të mban të ngopur dhe të jep energji.

Vezë, kos, fruta, bukë me djathë, tërshërë apo çfarëdo që funksionon për ty.

Mëngjesi shqiptar nuk ka nevojë të bëhet pa prit e pa kujtu rreth “wellness”.

4. Ec pak

Nuk ke nevojë të shkosh në palestër në 6:00 të mëngjesit (shumë mirë për të gjithë ata që shkojnë).

Ec deri në dyqan, shko në këmbë për një pjesë të rrugës, pak lëvizje është më mirë se hiç.

Po nëse nuk arrin ta mbash rutinën?

Mos e kthe edhe këtë në arsye për t’u ndier keq me veten, do të ketë ditë kur do ta shtypësh alarmin “snooze” tri herë, do të ketë mëngjese kur do të zgjohesh me vonesë, do të ketë ditë kur kafja do të jetë mëngjesi yt dhe kaq edhe kurgjo të keqe këtu nuk ka.

Rutina është thjeshtë një strukturë që të ndihmon kur ke nevojë për të.

Nëse e humbet një ditë, thjesht vazhdo të nesërmen, krejt çka harrojmë ti kujtojmë vetës është që “nuk kemi nevojë që edhe mëngjesi të jetë një tjetër presion”.

Rrjetet sociale na tregojnë vazhdimisht njerëz që zgjohen herët, ushtrohen, meditojnë, lexojnë, hanë shëndetshëm, punojnë dhe arrijnë gjithçka para orës 9:00, është e lehtë të mendosh se edhe ti duhet të bësh të njëjtën gjë.

S’ki pse bre… vete vetën “çfarë më bën të ndihem më mirë në fillim të ditës?”

A të pëlqen me ngu muzikë gjatë ditës, apo ke qejf mos me hapë telefonin hiç përgjatë kohës deri të arrish tek puna.

Nuk ka rëndësi nëse zgjohesh në 5:00 apo në 8:00, nuk ka rëndësi nëse pi matcha apo kafe turke, nuk ka rëndësi nëse bën Pilates apo thjesht ec deri te furra e lagjes.

Ajo që ka rëndësi është që mëngjesi yt të mos fillojë gjithmonë me nxitim, stres dhe ndjenjën se je tashmë vonë për jetën.

Veç krijoj pak hapësirë vetës për vetën para se dita të fillojë të kërkojë gjithçka nga ti.