Live Stories from Prishtina

LIVE

10 Maj, 2025

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

Lexues i dashur, në vazhdën e shumë ngjarjeve në Kosovë, kujto detajet e vogla. Mos u mërzit me njerëzit e tu më të dashur! Dikush mund të jetë duke i thënë lamtumirë nënës, teksa ti mos u bezdis pse ajo të thirri dy herë sot. Ndërsa dikush lutet që të kishte vetëm edhe një bisedë me babain, ti mos rrotullo sytë kur ai tenton të jap një këshillë. Vlerëso gjërat e vogla sepse kur nuk i ke bëhen gjëra të mëdha!

Çka ndodhi dje n’Kosovë?

Një vendim i gabuar politik i marrë njëmbëdhjetë vjet më parë, po shndërrohet sot në gurin e rëndë që po e zvarrit pafund procesin institucional, për të cilin jemi dëshmitarë tashmë prej gati një muaji.

(Rikujtim: Pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura në qershor 2014, koalicioni i partive opozitare atëkohë – LDK, AAK dhe Nisma – së bashku me Vetëvendosjen pretendonin të kishin shumicën për të formuar qeverinë, edhe pse partia që kishte dalë e para ishte PDK-ja e Hashim Thaçit. Ata argumentonin se pas konstituimit të Kuvendit, mandati për formimin e qeverisë mund t’i jepej çfarëdo grupi që kishte shumicën parlamentare, jo domosdoshmërisht partisë së parë.

Gjykata Kushtetuese në një vendim shumë të kontestuar, vendosi se e drejta për të propozuar mandatarin për kryeministër i takon ekskluzivisht partisë së parë fituese të zgjedhjeve — në këtë rast PDK-së. Ky vendim u kritikua gjerësisht si një lëvizje politike më shumë se juridike, që i hapi rrugë PDK-së për të mbajtur pushtetin përmes një koalicioni me LDK-në, e cila më parë ishte deklaruar publikisht kundër bashkëqeverisjes me PDK-në.)

Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2014, la pas vetes jo vetëm precedent të diskutueshëm, por edhe një hapësirë të rrezikshme për interpretime të lira, interpretime që sot po i shfrytëzon secila palë, sipas interesit të saj politik.

Në këtë kaos të qëllimshëm të kuptimeve, Vetëvendosje këmbënguli për javë të tëra se i kishte numrat për formimin e Qeverisë, numra që, siç u pa më vonë, nuk mjaftuan as për zgjedhjen e Kryetares së Kuvendit.

Topi është gjithsesi në fushën e VV-së. Po dështoi edhe seanca e 13-të.

Për një dreq insistimi për votim të fshehtë, por dje është hedhur poshtë vlerësimi i kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, se mospjesëmarrja e deputetëve në votimin e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit dhe në votimin për formimin e Komisionit për zhvillimin e votimit të fshehtë është antikushtetuese. Ish-hartuesi i aktgjykimit të 2014-ës, Enver Hasani, ka thënë se mandati i deputetit është i lirë dhe se gjykata nuk e ka pasur për qëllim disiplinimin e tij.

***

Seanacat vazhdojnë rrogat ecin, për deputetë a qytetari??? Hajt se ja del.

Çfarë mund të pres një popull që mbështetet kryesisht në sektorin privat, kur nga 1 qershori ky sektor pritet të goditet me çmime të papërballueshme të energjisë elektrike? Bizneset që kanë mbi 10 milionë euro qarkullim vjetor apo më shumë se 50 të punësuar do të përballen me tarifa të reja që kërcënojnë jo vetëm funksionimin e tyre, por edhe vetë vendet e punës që mbajnë gjallë ekonominë. Rritja e çmimeve të rrymës, pa një plan të qartë për të rritur të hyrat apo për ta lehtësuar barrën mbi ta, do të detyrojë shumë kompani të shkurtojnë vendet e punës, thjeshtë sepse nuk do të kenë më mundësi t’i paguajnë.

Dhe kjo ndodh në një kohë kur edhe ashtu mezi i përmbushin obligimet. Megjithatë, qeveria vazhdon të vetëkënaqet me statistikat e rritjes ekonomike, të shkëputura nga realiteti në terren.

***

Ka prej tyre që ju kujtohen tema të tjera përveç karriges.

Lidhja Demokratike (LDK) e ka iniciuar të premten kërkesën për anulimin e dy vendimeve, atij për shtrenjtimin e rrymës prej 16.1 për qind, si dhe për daljen në treg të hapur të energjisë të rreth 1 mijë e 300 bizneseve.

Deputetja e kësaj partie, Hykmete Bajrami, në vazhdimin e 13-të të seancës konstituive të përbërjes së re të Kuvendit ka mbledhur nënshkrime nga deputetët për dërgimin e kësaj kërkese në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).

Iniciativa ka marrë përkrahje nga deputetë të subjekteve politike, të cilat në mandatin e shkuar kanë qenë në opozitë, por jo edhe prej atyre që kanë qenë në pushtet.

***

“Tingujt e Evropës” në Gjermani ka marrë edhe ngjyrat e muzikës e të valles shqipe me “Shotën”. Chemnitzi si Kryeqyteti Evropian i Kulturës, për tri ditë nga 7 deri me 9 maj, është mbërthyer nga kultura e tradita e shteteve evropiane, e Ansambli Kombëtar të Këngëve dhe Valleve ka qenë përfaqësues i Kosovës në qytetin i cili sivjet, tok me Nova Goricën e Sllovenisë, ka statusin e Kryeqytetit Evropian të Kulturës. Është shndërruar në skenë kulturore për të shfaqur diversitetin kulturor të Evropës.

***

“Shoqëria shpesh fal kriminelin, por kurrë ëndërrimtarin.”

Kriminelin, me kohë, shoqëria e sheh si të penduar. Ai pranohet sërish në gjirin e saj, ndoshta sepse krimi që ka bërë është i matshëm, i njohur, i sistemuar në kodin penal. Ëndërrimtari, nga ana tjetër, nuk ka thyer ligje, por ka shkelur rregulla të pashkruara, ka guxuar të shoh përtej. Dhe kjo është më e rrezikshme.