Live Stories from Prishtina

LIVE

February 19, 2024

Note: Ky blog është krijuar për t’iu ofruar juve një këndvështrim të sinqertë rreth temave të caktuara, duke filluar nga librat dhe kultura, e deri tek mendimet dhe qëndrimet tona. Çfarëdo që të duket personale, mos e konsidero të tillë. Disa janë të bazuara në eksperienca personale, disa në vlerësime filozofike e psikologjike, e disa të tjera në evidencë. Ideja është që të mësosh diçka nga përvojat tona dhe pse jo të të gjenden ndonjëherë në jetë. No hard feelings. It’s all based on a true story. Paper Team.

Kur zgjedhim të lexojmë diçka, padyshim se ne e bëjmë përzgjedhjen në bazë të preferencave tona, çfarëdo qoftë ajo e cila na tërheqë, duke filluar nga ngjyrat, shkrimi, estetika, materiali, fonti i shkronjave, ndjesia që na përcillet, pra çdo gjë e cila realizohet përmes letrave dhe kopertinave të një libri apo një reviste.

Shpesh kur zgjedh të lexoj një libër, më marrin vëmendjen librat të cilat kanë letrat më të vjetërsuara dhe një font të shkronjave më minimalist, i cili shpesh di të jetë edhe vështirë i lexueshëm. Por, pamja e këtyre librave krijon nostalgji tek unë dhe e shijoj duke e ndjerë edhe erën e librit. Sikurse unë, edhe një shumicë tjetër pëlqejnë këto detaje, teksa ka prej tyre të cilët janë të fiksuar pas magazinave të modës.

Revista Vogue, e cila ndodhet në tregun ndërkombëtar që nga viti 1892, ka një audiencë të lexuesve që është shtuar ndër vite dhe ka mbetur e tillë, duke e bërë atë revistën më të kërkuar të kësaj fushe në botë.

Vogue, e themeluar nga Arthur Baldwin Turnure, shquhet si revista me ndikim amerikan të modës dhe stilit të jetesës. Vogue u krijua si një revistë javore e shoqërisë së lartë, e cila si target kishte elitën sociale të qytetit të New York-ut, e cila mbulonte lajmet e skenës sociale-lokale, traditat e shoqërisë së lartë dhe etiketimin shoqëror. Revista shqyrtoi gjithashtu libra, pjesë teatrale dhe muzikë, teksa fokusin kryesor vazhdon ta ketë tek gratë.

Në vitin 1909 revista u ble nga Conde Naste Publishers, teksa botohet në 27 shtete të ndryshme të botës, duke shfaqur gratë më me ndikim të atij vendi.

Më e njohura nga të gjitha magazinat Vogue është British Vogue.

Tradicionalisht Vogue, vendos në kopertinën e saj personin e muajit, dikë me ndikim dhe me një stil të jetesës më të veçantë e me detaje më të rralla. Personi i cili ka pozuar më së shumti për magazinën Vogue është modelja Lauren Hutton, me plot 40 kopertina.

Teksa kopertina më e shitur ka qenë ajo me Princeshën Diana, e titulluar “Tribute to Diana”, e cila shiti më shumë se 3.1 milionë kopje.

Por, cila është arsyeja që e bënë Vogue kaq të kërkuar?

Padyshim se kopertina e magazinës ka një ndikim të madh e cila e nxit audiencën ta blej atë, andaj dizajnerët e magazinës si fokus kryesor i kanë ngjyrat, shkronjat, linjat e kopertinës dhe identitetin e revistës.

Fotografitë

Kopertina e parë fotografike me ngjyra të plota të revistës Vogue u printua në korrik të vitit 1932, ajo vetëm nga mesi i vitit 1939 filloi të përdorte fotografi në kopertinat e tyre për dallim nga ilustrimet. Duke e ditur që imazhet kryesore reprezentative të revistës kanë qenë kryesisht aktore, këngëtare dhe personazhe të tjerë të famshëm, si ndryshuan ndër vite?

Deri në fillim të viteve 2000, Vogue shfaqte kryesisht modele në kopertinat e tyre. Ndër më të njohurat ishin Lauren Hutton, Kate Moss, Gisele Bündchen dhe Karen Graham.

Kur magazina krijoi impakt më të gjerë, ajo filloi të bashkëpunonte edhe me aktore dhe këngëtare, duke e filluar me aktoren Emma Stone dhe ikonat e muzikës, Beyonce, Lady Gaga dhe Adele.

Trendi

Teksa magazinat si Elle, Marie Clarie, Cosmopolitan, Harper’s Bazaar përdorin për kopertinë tërë trupin ose tri të katërtën e trupit, Vogue e ndryshon atë çdo muaj, ku shpesh fokusohet vetëm në fytyrë, teksa muajin tjetër përdorin fotot me gjatësi tri të katërtat.

Tipografia

Edhe pse Vogue e krijoi identitetin e tij duke përdorur vetëm një font direkt, revista si kriter ka të ndryshojë ngjyrën e fontit nga muaji në muaj. Çdo kopertinë e Vogue zakonisht përmban tre fonte të ndryshme; fontin direk, një font me ngjyra për titullin më të theksuar dhe një font neutral që përdoret për nëntituj. Ndërsa, këto stile definitivisht ndryshojnë nga një çështje në tjetrën, ato janë relativisht konsistente. Vogue është zhvilluar dhe është vendimtar në stilin e fontit të tij ikonik, i quajtur Didot.

Layout

Vogue vazhdon me ndarjen e njejtë tash e sa vite. Ndarja e cila vë në pah tek audienca titujt kryesor, temat kryesore dhe fytyrën e magazinës.

Vogue Brazil

Në vitin 2013, Vogue Brazil, publikoi numrin e saj të 121 me modelen Gisele Bündchen, i cili njihet si numri më i rrezikshëm i të gjitha kohërave. Dizajneri vendosi fonte të pazakonta me ngjyra neon, diçka e paparë më herët, e cila u cilësua “si eksperimenti më i dështuar… në më të mirën e tij”. Rreziku i parë nga kjo revistë inspiroi revistat e tjera që mund të rrezikohet me ngjyra, duke krijuar mendimin se edhe revista më e mirë e gjitha kohërave mund të dështojë. Ky numër shton edhe një karakteristikë më shumë për ta pëlqyer Vogue.

Tani, me një audiencë prej 12.5 milionë lexuesish ndërkombëtarë dhe 31.1 milionë përdoruesve të veçantë mujorë ndërkombëtarë, Vogue është magazina më me zë në botë.

Vogue është e suksesshme sepse redaktorët dhe dizajnerët kanë përsosur kopertinat e tyre, përmes ekzaminimit të shembujve të fotografisë, tipografisë, ngjyrave dhe se si funksionojnë të gjitha së bashku për të krijuar një kopertinë konsistente dhe ikonike.

Zgjedhjet e Vogue janë më të suksesshme sepse janë planifikuar me kujdes që të mos jetë në përputhje me çështjet e mëparshme, por të përqafojë stilet aktuale dhe të ardhshme.

Vogue është një lider dhe një përcaktues i trendeve për revista të tjera. Kjo nuk do të thotë vetëm se ata parashikojnë tendencat e modës paraprakisht, por ata kanë krijuar gjithashtu një perandori revistash, e gjitha e markuar me kujdes për t’u dukur pothuajse identike.

Sot kjo perandori është përhapur gjithashtu me Teen Vogue dhe variatete të tjera në mbarë botën.