Dje n’Kosovë / foto:
21 Janar, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Më i/e dashuri/a im/e, mbaje mend këtë: Ti je gjallë për të mësuar dhe ç’mësuar, për të rimësuar dhe ç’mësuar e mësuar sërish. Je këtu për të analizuar, zhvilluar dhe kuptuar vlerën e përpjekjes. Je këtu për ta mbajtur dhimbjen tënde ashtu si meriton të mbahet, për aq kohë sa të zgjasë. Je këtu për të mësuar se nuk ka gjykim aty ku ka dashuri. Je këtu për të kuptuar se ti nuk je i/e vogël. Je këtu dhe po mëson se kjo është një gjë e madhe.
Çfarë e karakterizoi ditën e djeshme në Kosovë?
Dikush nga ana tjetër e botës dje i tha presidentit më të ri amerikan, Donald Trump: “Mirë se erdhët në shtëpi.” Dikush tjetër, ndërkohë, filloi të mendojë për ndikimin e kësaj administrate në raport me Kosovën.
Fjalimi i paprecedent i Trump ishte me akuza të rënda ndaj ish-presidentëve dhe ishte diçka e papritur për ceremonitë e inaugurimit. Një goditje e papritur ndaj politikave të “gjelbërta” dhe paralajmërimi për tërheqje nga Marrëveshja e Parisit.
E çfarë e pret Kosovën nën administratën Trump?
Trump nuk njihet si njeri i dialogut, por më shumë si njeri i marrëveshjeve. Duke parë trazirat nëpër botë, a është Ballkani prioritet për Trump? Logjika thotë që jo.
A varet kjo pak edhe nga fakti se cili pushtet mbetet në Beograd dhe cili do të vendoset në Kosovë?
A do ta vazhdojë edhe Trump, si Biden, politikën e lënies së dialogut në dorë të BE-së? E rëndësishme është që ndikimi i Trump për Kosovën duhet të përqendrohet te partneriteti me SHBA-në.
36 mijë euro të fituara kundërligjshëm do t’i kthehen buxhetit të Prishtinës, në rast se Gjykata pranon marrëveshjen e Prokurorisë Themelore me zyrtarin komunal Ylber Jashari, si dhe me Bekim Baftjarajn, përfaqësuesin e kompanisë punëkryese për rikonstruksionin e kulmit të objektit të ri të Komunës, me ç’rast ishte lënduar rëndë një 23-vjeçare.
Sipas organit të akuzës, Jashari, si menaxher i kontratës, ka raportuar rrejshëm se janë përfunduar të gjitha punimet, me çka ka kryer veprën penale: keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Ndërsa Baftjaraj, i akuzuar për veprën penale: Punime Ndërtimore të Kundërligjshme, sipas Prokurorisë, nuk i ka kryer punët e parapara në kontratë.
Galeria Kombëtare e Kosovës po fillon me ekspozitën e parë madhore të vitit 2025, edicionin e 17-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Fotografisë dhe Imazhit Lëvizës “Gjon Mili.” Ekspozita është kuruar nga Valentine Umansky, nga Tate Modern, Londër. Ajo titullohet “…Ajo që ia thotë këngës…” dhe përfshin veprat e 23 artistëve, pjesa më e madhe e tyre nga Ballkani, të përzgjedhur përmes një thirrjeje të hapur.
***
Ne nuk e dimë sa do të zgjasë dhimbja jonë. Ne supozojmë se, meqë tani dhemb, ka shumë mundësi që dhembja të vazhdojë edhe nesër. Madje mendojmë se mund të dhembë edhe ditën tjetër. Por ne flemë, dhe përgjatë gjumit ne shërohemi. Dhe e nesërmja nuk është gjithmonë ajo që mendonim se do të ishte. Është më e lehtë.