Live Stories from Prishtina

LIVE

17 Qershor, 2025

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

Njeriu nuk ndryshon kur ka kohë, por kur nuk ka zgjidhje tjetër. E megjithatë, pikërisht në ato momente kur mendon se nuk ke asgjë më për të dhënë zbulon forcat që nuk e dije se i kishe. Aty lind rritja: jo kur është lehtë, por kur është e nevojshme.

Ja çfarë ndodhi dje n’Kosovë?

Më pak se katër muaj kanë mbetur nga mbajtja e zgjedhjeve lokale. Teksa dita e zgjedhjeve po afrohet, a do të shoqërohet ky proces me të njëjtat probleme si më 9 shkurt?

Njohës të procesit zgjedhor tërheqin vërejtjen për sfida të njohura. A është KQZ-ja vërtet e përgatitur për t’i shmangur mangësitë e mëhershme?

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës tha se në këto zgjedhje lokale do të ndikojë edhe polarizimi politik, i përcjellë nga ato të përgjithshme, e po ashtu, e sheh si problematik zhvillimin e dy proceseve zgjedhore brenda një viti.

Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për zgjedhjet parlamentare i janë dashur më shumë se një muaj e gjysmë që t’i certifikojë rezultatet e zgjedhjeve të mbajtura më 9 shkurt.

***

Përmendja tri/katër herë e Kosovës nga Donald Trump, nuk është bash shenjë e mirë, sidomos kjo përmendja në kontekstin e Iranit-Izraelit dhe jo në një kontekst tjetër. S’po di sa mund të ketë vend për entuziazëm se mund të iniciohet shpejt çështja e një marrëveshje Kosovë – Serbi, ndoshta edhe ndër tjera për shkak të situatës që është në “vlim” e sipër.

***

Xhudistja Laura Fazliu ka fituar medalje të bronztë në Kampionatin Botëror që po mbahet në Budapest të Hungarisë. 24-vjeçarja është e treta në botë në kategorinë deri 63 kilogramë.

Në luftë për medalje të bronztë, Laura e mposhti brazilianen Nauana Silva. Ndaj 22-vjeçares fitoi me Ippon e bukur. Realizoi hedhje mjeshtërore pas vetëm 70 sekondave luftë.

Ktyneherë a ju kujtohet sa jehonë merrke fitorja e Majlindes në xhudo, tash kishe u mësum me fitore të sportit s’po bëhet qaq e madhe. Bravo krejt vajzave tona!

***

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarit për krime lufte, Gavrilo Milosavleviq.

Në këtë rast Milosavleviq, në cilësinë e gardianit në Burgun e Dubravës, akuzohej për krime lufte kundër popullatës civile më 1999.

Aktgjykimi është shpallur të hënën nga gjykatësi Vesel Ismaili, sipas të cilit nuk është provuar se i akuzuari ka kryer veprën penale për çka akuzohej.

A e dëgjuat dje historinë e Sadik Zeqirit, ish-pjesëtar i UÇK-së, i mbijetuar i masakrës së Dubravës, që tha se prej 24 marsit, për çdo ditë, katër gardian, të gjithë kanë ushtruar dhunën edhe kuzhinierët, kështu që të gjithë kanë bërë krime.

Ne ende i vuajmë pasojat, e gjykata merr vendim me e liru.

***

Ti nuk je vlerë që të matet me arritje apo dështime. Je histori në zhvillim, je njeri në përpjekje. Vlera jote është e pandryshueshme, edhe kur bota s’të kupton, edhe kur ti vetë dyshon në vete.