Dje n’Kosovë
3 Qershor, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
A e dinë, lexues, çka është e bukur në këtë jetë? Kur prindërit nuk “këpusin” shkarravinat tua kur ke qenë i vogël, veç për të ruajtur kujtimin për ty. Kur nuk e largojnë atë këndorën tek dollapi që e patën vendosur që ti ti të mos e lëndosh kokën, apa kur nuk e kanë fshirë atë bredhin e vogël që ti e pate vizatuar në mur edhe pse t’i kishin fshehur ngjyrat! Kur i vëren këto, e kupton bukurinë e jetës!
Çka ka ndodhur dje në Kosovë?
A ju ka marrë malli me ditë sa ka qenë çmimi i bukës, tamlit, vajit e me ditë çka është e çysh duket Kuvendi edhe atëherë kur dështon për 25 herë?
Po, edhe mu, vallë! 25-shin bile e kom njofto mas shumti veç si përgjigje të shpejt kur dikush ka pyet kur kemi qenë të vogël sa bojnë 5×5!
E për numra tjerë dje na ka fol minitri Murati. Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se paga mesatare në sektorin privat ka shënuar “rritjen më të lartë historikisht”.
Ai ka thënë se, bazuar në të dhënat e ASK-së, në vitin 2024 paga mesatare në sektorin privat ka arritur 598 euro bruto, apo 83 më shumë se në vitin paraprak.
Eh, na falni që nuk e kemi vërejtur te bankomati. Ndoshta na ka shpëtuar për shkak të rritjes së bukës, vajit, tamlit e tjerave që i blejmë me histori… jo me euro. Por hej, 83 euro më shumë në letër – yuhoo…
“Sa për krahasim, rritja e pagës mesatare në sektorin privat vetëm në vitin 2024 e tejkalon krejt rritjen e pagës mesatare për 7 vite gjatë qeverisjeve të kaluara: Thaçi 2, Mustafa, Haradinaj (vetëm 74 euro rritje në periudhën 2012–2019). +218 euro (apo 57%) për 4 vite me Qeverinë Kurti 2; +74 euro (apo 22%) për 7 vite të qeverisjeve të kaluara. Kjo është dëshmia më e mirë se Qeveria Kurti 2 ka qenë qeveria e cila ka mbështetur më së shumti sektorin privat”, ka shkruar Murati në Facebook.
***
A nuk është fantastike kur tregu i lirë është aq “i lirë”, sa që KEK-u duhet me i dalë garant bizneseve milionëshe?
Vendimi që Korporata Energjetike e Kosovës t’i furnizojë përkohësisht me energji elektrike kompanitë e mëdha, të cilat nga 1 qershori kanë kaluar në tregun e hapur, ka nxitur reagime nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe ekspertë të energjisë.
KEK-u do të jetë furnizues i përkohshëm për një periudhë dymujore për të gjitha bizneset me qarkullim mbi 10 milionë euro ose më shumë se 50 të punësuar, duke e blerë energjinë në bursën ALPEX.
Ky vendim është marrë duke u bazuar në Ligjin për Energjinë Elektrike dhe aktet nënligjore përkatëse, sipas të cilave KEK-u vepron si furnizues i mundësisë së fundit deri më 30 korrik 2025.
***
Prapë jemi në skenarin ku “punëtorët më të pafajshëm” që pastrojnë qytetin… po ndëshkohen me papastërti politike!
Të hënën, në Kuvendin Komunal të Prishtinës, s’ka kaluar propozim-vendimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për subvencionim të pagave të punonjësve të Ndërmarrjes “Pastrimi”.
Propozimi s’kaloi pasi pro tij ishin 20 vota, 21 kundër e asnjë abstenim. LDK-ja kishte propozuar që për punonjësit e “Pastrimit” të ndaheshin 300 mijë euro.
Para asamblistëve, shefja e asamblistëve të LDK-së, Jeta Rafuna, shprehu propozimin, ku deklaroi se punëtorët e “Pastrimit” janë më të pafajshmit dhe padrejtësisht po qëndrojnë në grevë.
***
Festivali UNUM, që organizohet nga djemt e shehrit tonë, Zone, në bregdetin e bukur të Shëngjinit në Shqipëri, është zhvilluar në një nga ngjarjet kryesore të muzikës elektronike në Ballkan. I njohur për atmosferën e çmendur, ama edhe përzierjen harmonike të natyrës dhe ritmeve elektronike, UNUM bashkon artistët ndërkombëtarë me skenën lokale, tu sjellë performanca që zgjasin nga perëndimi deri në agim, mes pyjeve me pisha dhe vijës bregdetare, me zërim dhe lightshow spektakular.
***
Qetësia nuk është diçka që e ndjekim – është një zgjedhje. Është ai moment kur nuk ke nevojë të shpjegohesh, kur të mjaftojnë këngët, librat dhe një kafe. Kur lumturia nuk varet nga kush qëndroi apo iku, por nga rehatia me veten tënde.