Live Stories from Prishtina

LIVE

3 Dhjetor, 2024

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

Sot vizitues i rregullt ke nevojë ta lexosh këtë: “Por kishte një gjë tjetër që të rriturit e dinin gjithashtu dhe ishte kjo: që sado e vogël të jetë shansi për të qenë me fat, shansi është atje. Edhe mundësia duhej të ishte atje.”

Çka e karakterizoi ditën e djeshme në Kosovë?

Deklarata***

Prokurorisë Speciale, ka bërë të ditur se 10 persona janë arrestuar për sulmin sabotues-terrorist në kanalin e “Ibër-Lepencit”. Por aktualisht vetëm një i dyshuar është në paraburgim prej 30 ditësh e një tjetër në mbajtje 48-orëshe. Të tjerët janë të lirë.

Copa në Kuvend…

“Kemi mbyllur strukturat paralele të Serbisë, e kemi arritur që të gjithë qytetarët në komunat veriore t’i konvertojnë targat në RKS. Pikërisht ky sukses i shtetit tonë i përbashkët edhe në veri të Kosovës e ka rritur nervozën dhe agresivitetin në Beograd”, ka thënë kryeministri Kurti, në adresimin e tij ndaj deputetëve në Kuvend.

Por, sipas opozitës, sukseset e ekzekutivit janë inekzistente. Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-ës Abelard Tahiri, e gjeti kohën të flasëpër migrimin e qytetarëve në shtetet perëndimore në këtë qeveri.

Ndërsa LDK, ka thënë se suksesi i Qeverisë është vetëm miratimi i doracakëve për edukimin seksual dhe shëndetin riprodhues.

Kqyre për çka flitet dy ditë pasi ishin duke na lënë pa rrymë pa asgjë…

Prishtinë***

Komuna vazhdoi projektin për kthimin e rrugëve “Rexhep Luci” dhe “Qamil Hoxha” në minisheshe. Gjykata Komerciale e pati kundërshtuar këtë vendim, por rrugët mbeten të mbyllura për automjete. Banorët? Ata presin që konflikti të zgjidhet me dialog, jo vetëm përmes aktgjykimeve.

Ka mbet veç me i vendos veturat në qafë edhe me ec!

Politikë***

Pretendimet e Serbisë për juridiksion ligjor në Kosovë u cilësuan si shkelje e detyrimeve ndërkombëtare. Matthew Miller, zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, bëri thirrje për zbatim të marrëveshjeve të dialogut dhe krijimin e Asociacionit, që synon mbrojtjen e të drejtave të serbëve në Kosovë.

Kulturë***

Mbrëmë u ndezën dritat në sheshin e Prishtinës duke sjellur magjinë e festave në zemër të kryeqytetit! Se a ju duket bukur apo jo, atë vendoseni duke e parë vetë. Këtë vit pjesa e shtëpizave i është dhuruar me qira një kompanie private.

Përveç dritave këtë vit ju pret edhe patinazhi.

Çka këtë javë në Prishtinë?***

CEL po sjellë një ekspozitë zemër-thyese. Nëpërmjet tre dhomave të hotelit, tu shfaqë poezi dhe instalacione multimediale, ekspozita hulumton thymjen e zemrës përmes kandvështrimeve të artistëve të rinj. Rrëfimet dhe reflektimet e tyne ekspozojnë brishtësinë e dashurisë dhe kompleksitetin e ekzistencës queer. Ekspozitën ‘Heartbreak Hotel’ të kuruar nga Bjeshkë Guri dhe Simon Kurti mundeni me pa në Grand Hotel Prishtina, të premten me datën 6 dhjetor në ora 7.

***

Dhe mbi të gjitha, shikoni me sy të shkëlqyeshëm të gjithë botën rreth jush, sepse sekretet më të mëdha fshihen gjithmonë në vendet më të pamundshme. Ata që nuk besojnë në magji nuk do ta gjejnë kurrë….