Live Stories from Prishtina

LIVE

25 Mars, 2026

Rritja e çmimeve të derivateve që nga shpërthimi i luftës në Lindjen e Mesme në fillim të marsit paska sjellë një lajm të mirë të paktën për dikë që, se sa për qytetarët ata po i mbushin veturat me lot në sy.

Ende pa përfunduar muaji mars, shteti ka arritur të “mbledhë” plot 27.5 milionë euro. Prej tyre, mbi 10 milionë nga TVSH-ja dhe 17.5 milionë nga akciza. Pra, sa më shtrenjtë që e paguan qytetari naftën, aq më “patriotik” bëhet kontributi i tij për buxhetin.

Madje, të hyrat nga TVSH-ja janë rritur për rreth 1 milion euro më shumë se në shkurt, sidomos kur merret parasysh se njerëzit thjesht nuk kanë ku të ikin pa naftë.

Sipas të dhënave të Doganës, që nga fillimi i marsit janë importuar mbi 50 milionë litra naftë, në vlerë prej afro 40 milionë euro. Dhe si gjithmonë, pjesa më interesante nuk është sa paguhet për naftën, por sa përfiton shteti prej saj.

Edhe pse në shkurt janë importuar më shumë litra, marsi po e fiton garën në një kategori tjetër “sa më pak naftë, aq më shumë para për shtetin”. Efikasitet në nivel tjetër a?

Derivatet vazhdojnë të jenë një nga produktet më të “dashura” për buxhetin falë tyre, vitin e kaluar janë mbledhur plot 505 milionë euro.

Ndërkohë që çmimi i naftës ka kaluar 1.80 euro për litër, bizneset dhe partitë politike kanë propozuar ide, si heqja e akcizës apo lirimi nga TVSH-ja. Ide interesante, por jo aq sa për t’u marrë seriozisht.

Ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka sqaruar se këto nuk janë opsione sepse për akcizën duhet ndryshuar ligji, ndërsa për TVSH-në është “vështirë të monitorohet”. Pra, na e dimë që është problem, por është edhe pak e lodhshme për ta zgjidhur.

Qe vendet e rajonit nuk e kanë pasur këtë dilemë filozofike. Shqipëria e ka ulur akcizën për 20%, ndërsa Maqedonia e Veriut e ka përgjysmuar TVSH-në përkohësisht.

Por në Kosovë të hyrat po numërohen me shumë kujdes.