Live Stories from Prishtina

LIVE

18 Maj, 2025

Nëse një kërkim në ChatGPT është si të ndezësh një llambë për disa minuta, mijëra kërkime nëpër botë bëhen si një qytet i tërë që rri me drita ndezur gjithë natën.

Sam Altman, CEO i OpenAI, ka treguar se rritja e përdorimit të inteligjencës artificiale nuk është magji por energji.

Në një deklaratë të dhënë për magazinën People, Altman ka theksuar se edhe përdorimi i fjalëve të sjellshme si “ju lutem” dhe “faleminderit” në kërkesat drejtuar ChatGPT-së mund të rrisë ndjeshëm kostot e energjisë, për shkak të kompleksitetit shtesë në përpunimin e këtyre kërkesave.people

Jetojmë në një kohë ku gjithçka është një pyetje larg. Dëshiron një recetë? Një ide për udhëtim? Apo një tekst për projektin tënd? ChatGPT e ka përgjigjen. Por a ke menduar ndonjëherë çfarë kushton kjo përgjigje për botën?

Çdo herë që bëjmë një kërkim në ChatGPT, një server i fuqishëm, diku në botë, ndizet për të përpunuar përgjigjen. Ky server konsumon energji elektrike, jo pak, por shumë më tepër se sa një kërkim i zakonshëm në internet.

Sipas analizave të pavarura, një kërkim i vetëm në një model si GPT-4 mund të përdorë 10 deri në 100 herë më shumë energji sesa një kërkim në Google. Nëse këtë e shumëzojmë me miliona kërkime në ditë, flasim për qytete të tëra që konsumojnë energji vetëm për t’u përgjigjur pyetjeve tona.

Por historia nuk mbaron me energjinë. Për të ftohur qendrat e të dhënave që mbajnë gjallë këto sisteme, përdoret ujë. Shumë ujë.

Sa?

Një bisedë prej 20-50 pyetjesh në ChatGPT mund të konsumoj deri në 1 litër ujë, vetëm për sistemin e ftohjes së serverëve. Është ujë që mund të ishte përdorur për pije, bujqësi apo për natyrën përreth.

Teknologjia është mjet. Zgjedhja është e jotja.

Askush nuk po thotë se duhet të ndalojmë së përdoruri ChatGPT apo inteligjencën artificiale. Përkundrazi është një mjet i fuqishëm, që na ndihmon, mëson dhe na shtynë përpara. Por vetëdija është thelbësore.

ChatGPT, është krijuar për të lehtësuar zgjedhjen por jo ta realizoj atë të gatshme për ty. A të vjen mirë kur zgjidhjen që të ofron ChatGPT, ti e merr dhe i zotëron meritat?

Çdo pyetje që bëjmë në botën digjitale, ka një ndikim në botën reale. Në rrymën që digjet, në ujin që avullohet, në planetin që duam të mbrojmë.

Të jemi kurioz është njerëzore. Të jemi të vetëdijshëm është e domosdoshme.