Dje n’Kosovë
7 Janar, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
A e di, lexues i dashur, ndjenjën kur gjithçka është e qetë dhe e thjeshtë?
Për mua, ajo është vetë jeta: të ecësh zbathur, të qëndrosh pa lëvizur, të lexosh, të dëgjosh tregime dhe herë pas here të tregosh disa vetë. Të hash fruta, të pish qumësht, të ndjesh dëshirën për të krijuar, por me durim dhe kuptime të thella. S’ka më mirë!
***
Çfarë karakterizoi ditën e djeshme në Kosovë?
Çështja e Listës Serbe nuk po di të na hiqet qafe, që nga fundi i vitit 2024 e deri në fillim të 2025-tës.
E edhe tani me ndarjen e numrave për listën zgjedhore.
A është ky një kalkulim zgjedhor apo qëndrim i vërtetë i LVV-së në raport me të ashtëquajturën “organizatë terroriste”?
Ta bëjmë një gjë të qartë: nuk është qëndrim i KQZ-së të ndalojë një subjekt politik të garojë. KQZ-ja merr vendim vetëm pasi institucionet e tjera të Kosovës mund të shpallin cilindo subjekt politik si antikushtetues. A nuk i është lënë barra padrejtësisht KQZ-së, me vetëdije të plotë, nga një subjekt si LVV-ja, me një historik të njohur në këtë fushë?
Me tendencën “ne e ndaluam,” por instancat e pushtetit të vjetër – PZAP, Gjykata Supreme etj. – vendosën ta kthejnë!
Prapëseprapë, kjo nuk e zbeh faktin se, nëse institucionet e Kosovës kanë prova të mjaftueshme dhe faktike që një parti ka një sfond të tillë, atëherë kjo është kompetencë e qeverisë për ta larguar.
***
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ua ka lënë fajin dinamikave të brendshme të Bashkimit Evropian për mungesën e vendimmarrjes lidhur me heqjen e sanksioneve ndaj Kosovës.
Gjatë gjysmës së parë të vitit 2025, Polonia do të kryesojë Presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian.
Por, shefi i ekzekutivit ka thënë se nuk mund të japë një datë për heqjen e masave.
“Nuk besoj që në qendër të marrëdhënieve Kosovë-Serbi qëndron asociacioni!”
Kur çdo ndërkombëtar e përmend si temë që duhet zgjidhur, pse konsiderohet e parëndësishme nga Kryeministri?
Kulturë
Filharmonia e Kosovës synon që këtë vit të jetë adresë e një numri të madh koncertesh, të cilat, përveç anës përmbajtësore, do të kenë edhe simbolikat e tyre. Ky vit përkon me 25-vjetorin e themelimit të institucionit më të lartë muzikor në vend. Po ashtu, 2025-ta ka një tjetër simbolikë: 50-vjetorin e themelimit të Orkestrës Simfonike të Radiotelevizionit të Prishtinës. Realisht, kjo orkestër ishte baza e muzikës klasike në Kosovë.
Nuk besoj që jeta kërkon të jesh serioz.
Shiko gjërat përreth: a janë pemët serioze? A janë zogjtë? A është lindja dhe perëndimi i diellit?
Duket sikur, në formën e tyre, i buzëqeshin jetës. Pavarësisht nëse pemët humbin një degë, zogjtë një krah, lulëzimi dhe cicërima e tyre është e bukur.