Live Stories from Prishtina

LIVE

12 Dhjetor, 2025

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje e ditës së djeshme me lajme që kryesuan ditën dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Kosovën dhe Shqipërinë tonë. Paper ndanë me ty!

I dashur lexues, mendimet tona janë si moti, ato zhduken, ndryshojnë, formësohen nga eksperiencat tona. Kur ndalojmë dhe nuk i “ngjitemi” çdo mendimi, jeta duket më e ndritshme, më me dritë🤍

Por çka nuk mund të zhdukim janë ngjarjet në vendet tona, që gjithqysh janë të lidhura me jetesat tona.

Ja disa ngjarje që e karakterizojnë ditën tek vendet tona:

Jovan Viqentijeviq, i akuzuar për vendosjen e rreth 20 kg eksploziv në kanalin Ibër–Lepenc, ka rrëfyer se në tetor 2024 ishte planifikuar një tjetër sulm në Kosovë, por ai u ndalua nga Milan Radoiçiq, person në kërkim për sulmin terrorist në Banjskë.

Sipas Viqentijeviqit, Radoiçiqi e pezulloi aksionin për të pritur rezultatet e zgjedhjeve amerikane dhe sipas informacioneve të tij, kishte financuar fushatën e Donald Trump-it me 30 milionë euro përmes lobit serb. Në aktakuzë thuhet se Viqentijeviqi po hetohet edhe për spiunazh, ndërsa ka pohuar se një ditë para sulmit në Banjskë ndodhej në një bazë ushtarake në Serbi, ku po trajnohej grupi i Radoiçiqit. Ai, vëllai i tij Dragisha dhe Igor Dimiqi përballen me akuza për terrorizëm, rrezikim të rendit kushtetues dhe armëmbajtje pa leje.

***

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka certifikuar 1,146 kandidatë për deputetë nga 23 subjekte politike për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025, duke refuzuar certifikimin e kandidatëve të Listës Serbe. Edhe pse drejtori i Zyrës për Regjistrim dhe Certifikim, Besnik Buzhala, deklaroi se asnjë kandidat i Listës Serbe nuk e shkel ligjin, pjesa më e madhe e anëtarëve të KQZ-së votuan kundër ose abstenuan: 2 kundër (VV), 6 abstenime (PDK, AAK, LDK dhe përfaqësues joserbë), 3 për.

KQZ ka hasur në një tjetër debat lidhur me kandidaten e koalicionit boshnjak VAKAT, Ena Krasniqi, e cila u refuzua për shkak të dyshimeve të ngritura nga Almir Saiti se ajo ishte paraqitur si shqiptare në listën e boshnjakëve.

Buzhala sqaroi se regjistri civil nuk përmban informacione për etninë, dhe se Krasniqi ka deklaruar se është boshnjake e lindur në Sarajevë. Koalicioni VAKAT u certifikua, por pa përfshirjen e saj. Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, kritikoi largimin e Saitit nga mbledhja pas akuzave të tij.

Ndërkohë, KQZ certifikoi edhe Listën Votuese për zgjedhjet e 28 dhjetorit, që përmban 2,076,290 votues, duke shënuar 7,192 votues më shumë se zgjedhjet lokale të tetorit 2025. Në vendvotime figurojnë 1,999,205 votues, ndërsa 77,085 janë regjistruar të votojnë jashtë vendit. Procesi do të zhvillohet në 948 Qendra të Votimit me 2,614 vendvotime, përfshirë 38 qendra për votimin me kusht.

***

Në Shqipëri, pas një muaji diskutimesh, Parlamenti miratoi buxhetin e vitit 2026 me 81 vota pro dhe 16 kundër, duke rrëzuar të gjitha amendamentet e deputetëve dhe duke pranuar vetëm kërkesat shtesë të institucioneve, të cilat përfituan 504.9 milionë lekë – kryesisht organet e drejtësisë. Buxheti total arrin në 886.7 miliardë lekë (8.8 miliardë euro), i dedikuar për shërbimet publike, pagat, skemat sociale, pensionet, arsimin, bujqësinë, infrastrukturën dhe sigurinë, përfshirë detyrimet ndaj NATO-s.

Kjo konsiderohet buxheti më i lartë ndonjë herë:

Për vitin 2026, buxheti parashikon:

Rritjen e pagës minimale nga 40,000 në 50,000 lekë

Indeksim 2.5% të pagave të administratës

Bonus të përmuajshëm për pensionet, me fond prej 100 milionë euro

16.5 milionë euro për indeksimin e pensioneve

Investime publike 1.8 miliardë euro (nga 1.6 mld euro këtë vit)

13.5 miliardë lekë për kompensimin e medikamenteve

1.5 miliardë lekë për barnat onkologjike

Të ardhura të pritshme prej 8.2 miliardë euro

Borxh publik që arin në 14.9 miliardë euro

Rritje ekonomike të planifikuar prej 4%, mbështetur nga turizmi dhe ndërtimi.

****

A e di çka mbajë vathë në vesh: që vetëdija e njeriut rritet jo duke zgjidhur gjithçka, por duke lënë mendjen të bie në vendin që duhet, kur je i/e hapur ndaj çdo opsioni.