Prishtinë
16 Dhjetor, 2024
Njerëzit që nuk e njohin Ukshin Hotin, duhet m’i marrë, m’i ulë përballë dhe me ju fol për rëndësinë që Kosova ka pasur një personalitet të tillë.
Kur flasim për filozofinë e një shteti, janë disa veprimtarë, teoritë e të cilëve janë përdorur për ndërtimin e kulturës.
Kosova kishte Ukshin Hotin. Figura e tij shpesh mbetet në heshtje por Hoti përshkruhet si shkrimtar, filozof, intelektual dhe atdhetar. Jeta dhe veprimtaria e tij simbolizojnë rezistencën ndaj regjimit serb dhe përkushtimin për bashkimin kombëtar shqiptar. Ai lind në Krushë të Madhe më 17 qershor 1943 dhe u zhduk më 16 maj 1999 pas lirimit nga burgu i Dubravës.
Në prodhimet teatrore dhe filmike çdo temë e luftës dhe për luftën duhet të shndërrohen në filma dhe shfaqje që edukojnë dhe ngrisin vetëdijen e saj që ka ndodhur. Për ndryshe me çka të mësojnë brezat e ri? Me literaturën shkollore e cila nuk flet për gjysmën e figurave? Apo me dokumentarët e shumtë?
Çdo histori që gërsheton sakrificë dhe shkrirje të personalitetit meriton vëmendje. Teatri rastin po ja jep edhe atij, fati i të cilit sot e asaj dite nuk dihet.
Në Teatrin “Hadi Shehu”, në Gjakovë, po shfaqet drama “Bëje ose vdis”, me tekst të Jeton Nezirajt dhe regji të Blerta Nezirajt. Shfaqja trajton fatin e Ukshin Hotit dhe të të burgosurve politik shqiptarë.
Drama “Bëje ose vdis” mesazhi dhe qasja
Fokus minimalistik dhe dokumentar, duke u bazuar kryesisht në fakte historike. Homazh për Ukshin Hotin dhe brezin e veprimtarëve të sakrifikuar. Instalacioni me emrat e të zhdukurve simbolizon dramën dhe mesazhin e saj për ruajtjen e historisë.
Interpretimi dhe qëllimi
Aktorët shmangin emocionet e tepruara dhe fokusohen në dokumentimin e historisë. Ideja është të përcillet historia e Ukshin Hotit pa imponuar ndjeshmëri te spektatori, por duke e lënë të lirë për interpretim.

Simbolika e Ukshin Hotit në dramë
Paraqitet si emblemë e kujtimit të të zhdukurve dhe si simbol i idealizmit kombëtar. Fjalia “Populli shqiptar duhet bashkuar” mbetet moto e tij në disa pjesë të shfaqjes.
Pse kjo shfaqej duhet të përcjellet në teatrot tjera dhe të shikohet nga të gjitha brezat?
Shfaqja synon të informojë brezin e ri për historinë e viteve ’90 dhe sakrificat e intelektualëve dhe atdhetarëve. Mesazhi kryesor është ruajtja e historisë për të shmangur përsëritjen e saj.
Drama është ndërtuar mbi rrëfime autentike, shkrime të Ukshin Hotit dhe intervista të të burgosurve. Ndërsa në hollin e teatros po jepet edhe ekspozita me emrat e të zhdukurve që shërben si hyrje simbolike për dramën.