Live Stories from Prishtina

LIVE

1 Shtator, 2025

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje e ditës së djeshme me lajme që kryesuan ditën dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

Sot është fillimi i shtatorit, e fundi i gushtit dhe këtë artikull dua ta filloj duke cituar rreshtat nga filmi “Dead poets society”:

Pavarësisht se çka të thonë njerëzit, fjalët dhe idetë mund ta ndryshojnë botën. Ne nuk lexojmë e shkruajmë poezi sepse është diçka e ëmbël.

Ne lexojmë e shkruajmë poezi sepse jemi pjesë e njerëzimit dhe njerëzimi është i mbushur me pasion. Mjekësia, ligji, biznesi, inxhinieria – këto janë përpjekje fisnike dhe të domosdoshme për ta mbajtur jetën gjallë por poezia, bukuria, romanca e dashuria, këto janë arsyet pse ja vlenë të jetosh.

Çka ndodhi këto ditë në Kosovë?

Sot fillon viti i ri shkollor, disa fëmijë nisin rrugëtimin në shkolla për herë të parë, disa po vazhdojnë rrugëtimin që kanë nisur, e të tjerët po kalojnë në etapa të reja.

Edhe kësaj here, jo të gjithë nxënësit e shkollave fillore do ta nisin vitin e ri shkollor të pajisur me libra.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë as këtë vit nuk ka arritur që t’i ekzekutojë mjetet për subvencionimin e librave para fillimit të procesit mësimor.

Përveç vonesave, prindërit janë ankuar edhe për pamjaftueshmërinë e mjeteve për t’i blerë librat.

Për shkak të strategjive të dështuara, ku vitin e kaluar paratë e subvencionimit janë keqpërdorur, prap këtë vit ata që “e hajnë” janë prindërit.

Në vend që shkolla ta nisë numrin e saktë të nxënësve të saj dhe në bazë të këtyre informatave të ndahen mjetet, aplikuesi në këtë rast prindi, duhet të presë pas aplikimit në e-Kosova, që shkolla ta konfirmoj që fëmija i saj/tij është nxënës i shkollës përkatëse… sa kot!

“As me to, as pa to”, prindërit kanë deklaru, në lajme të mbrëmjës e pashë… që edhe pasi i janë rimburësuar paratë e librave, prap kanë qenë në minus, pasi më shumë u ka kushtuar blerja e librave sesa shuma që ka ndarë qeveria për mbulimin e shpenzimeve.

Kjo është “ma mirë me ja dasht, se me ua rrokë” librarive private!

***

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, të shtunën ka shpallur konstituimin e Kuvendit, ani pse nuk është zgjedhur nënkryetari nga radhët e komunitetit serb.

Kjo u vlerësua antikushtetuese nga partitë tjera, jashtë LVV-së. Thanë se u shkel Kushtetuta dhe Rregullorja e Punës së Kuvendit. Kushtetuta përcakton mënyrën e zgjedhjes së kryetarit dhe të 5 nënkryetarëve, e Rregullorja e Punës së Kuvendit thekson se seanca konstituive konsiderohet e përfunduar me zgjedhjen e Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

3 kandidatët serb kishin mbetur në garë për nënkryetar Kuvendi, të cilët do të votoheshin në 6 runde dhe asnjëri nuk mori votat e mjaftueshme.

Basha ka ftuar mbledhje të kryesisë për të hënën (sot) nga ora 13:00, në mënyrë që të konsultohet me nënkryetarët se si do ta vazhdojë punën tutje Kuvendi i Kosovës!

Për moszgjedhjen e të propozuarit për nënkryetar nga Lista Serbe, ky subjekt i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

***

Këtë artikull me informata po e përmbyllim me një rikujtim nga fusha e kulturës.

Më 23 gusht u mbushën 18 vjet nga ikja e Faruk Begollit, aktorit që la gjurmë të pashlyeshme në artin e Kosovës dhe më gjerë. Ai nuk ishte vetëm një figurë e ekranit, por një ikonë e kinemasë së ish-Jugosllavisë, ku me mbi 100 role, u bë fytyra e heroit romantik, të dashuruarit të flaktë apo partizanit të guximshëm që shpesh përfundonte tragjikisht.

I ri, i bukur dhe i njohur, Begolli u kthye në idhullin e miliona shikuesve, sidomos të grave që e shihnin tek ai mishërimin e ëndrrës së kinemasë. Por fama e tij nuk u ndal me dritat e ekranit: në Kosovë ai u bë themelues i Degës së Aktrimit, profesor i përkushtuar dhe drejtues i teatrit “Dodona” në Prishtinë.

Në fund të viteve ’80 ai la Beogradin për t’u kthyer në qytetin e tij, ku jetoi e punoi deri në frymën e fundit, në vitin 2007. Ishte vetëm 63 vjeç kur iku, por la pas një trashëgimi që vazhdon të frymëzojë breza të tërë artistësh.

***

Fillimi i shtatorit na kujton se vjeshta gjithmonë sjellë kthesa të reja, fëmijët nisin shkollën, institucionet përballen me teste të reja, e shoqëria pret përgjigje ndaj sfidave që përsëriten vit pas viti. Por siç na mëson edhe vargu i poezisë, jeta vazhdon dhe secili prej nesh mund të shtoj nga një varg në lojën e madhe të jetës. Pyetja që mbetet është: cili do të jetë vargu ynë në këtë fillim shtatori?