Live Stories from Prishtina

LIVE

22 Janar, 2025

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

Mirëmëngjesi lexues, ajo që na tremb më së shumti rreth diçkaje që përfundon, është që nuk e dimë çfarë të presim, por me ndryshimet nuk ke nevojë të dish çfarë do të ndodhë; thjesht duhet të dish se ajo që është më e mira për ty do të ndodhë.

***

Ka mundësi që e tëra çka mbaj mend prej 2006-ës, është moti i ftohtë i madh dhe kolonat e njerëzve që përcillnin kufomën e presidentit historik, Ibrahim Rugova.

21, 22, 23 janari i vitit 2006 janë data të pashlyeshme. Dje, me homazhe e me akademi përkujtimore, është përkujtuar presidenti i parë i Kosovës, Ibrahim Rugova, në 19-vjetorin e vdekjes. Ai është vlerësuar si arkitekti i pavarësisë dhe si njeriu që ndërkombëtarizoi çështjen e Kosovës në periudhën më të vështirë për vendin.

Si arkitekt të pavarësisë e si njeri që pati rol kyç në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, të martën e përkujtuan liderë shtetërorë e ata politikë ish-presidentin, Ibrahim Rugova, në 19-vjetorin e vdekjes.

Bashkëshortja e ish-presidentit të ndjerë, Fana Rugova, duke ia uruar dhe besuar një fitore të bindshme kandidatit të LDK-së, Abdixhikut, e “hodhi” poshtë propagandën e Listës Guxo, prej të cilës Donika Gërvalla pretendonte se shpirti i Ibrahim Rugovës banon në Guxo. Përndryshe, pse të njëjtën nuk ia uroi Gërvallës?

***

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, ka konfirmuar se janë duke mbledhur informata nëse anëtarët e Komisionit të Pavarur të Mediave kanë kryer vepër penale të premten kur ndryshuan Rregulloren e Punës të KPM-së për ta mundësuar zgjedhjen e kryetarit të ri, Besnik Berisha, pa i skaduar mandati kryetarit paraprak.

***

Kino Lumbardhi po fillon programin e vitit 2025, më 25 janar, në ora 21:00, me një jazz koncert nga ‘Taxi Consilium’, në mbrëmjen e parë muzikore sivjet të programit “Off the Record” në Kino Lumbardhi. Katërshja e Taxi Consilium me Dragan Todosiev në bateri, Filip Bukrshliev në kitarë, Blagojche Tomevski në klarinetë dhe Andrea Mircheska në double bass, njihen për interpretimet e tyre në skenën e jazz-it në Maqedoninë e Veriut, sidomos për shkrirjen e veçantë të elementeve tradicionalë me ato modernë, duke rikrijuar një tingull të dallueshëm e të errët, me performanca që e marrin me vete audiencën.

***

LIROHU
Nëse ka dikë ose diçka në jetën tënde që të bën të ndihesh sikur duhet të jesh dikush që nuk je, ndoshta nuk janë të destinuar të jenë pjesë e jetës tënde.