Dje n’Kosovë
25 Shtator, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje e ditës me lajme që kryesuan ditën dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Çka është puna e këtij premtimit në kohë të fushatës “digjitalizimi i shkollave, qasja e prindit në notat e fëmijëve, tabelat smart”, kur shumica e shkollave në fshatra e besa edhe në disa qytete ende kanë “stufa” nëpër klasë, nuk kanë ujë nëpër tualete e po flasim për digjitalizim.
E dëgjova debatin për Lipjan dhe gjithë kandidatët për kryetar përjashtim kryetarin aktual që nuk ishte fare prezent, të gjithë e patën prezantim “digjitalizimin e shkollave”, okej, po e kuptoj që jemi në kohën kur teknologjia ka ecur, inteligjenca artificiale etj, por ne si vend ende nuk jemi aty, nashta këto kushte i gjejmë në shkollat private, por si premtim për shkollat publike, s’di sa llogaritet real e valid. Ai “qejfi tash ma i madh se Stambolli”, po të flasim e të “shtrihemi aq sa na e mbërrin jorgani”.
***
Diaspora serbe në SHBA paska vendosur ta luftoj “gjendjen e rëndë në Kosovë” me një “diplomaci të re”… me kamionë reklame! Sikur të ishim në promovim për naj biznes, e jo për çështje ndërkombëtare.
Kamionët me postera që qarkullojnë para OKB-së, kinse do t’i bëjnë amerikanët të ndalen e të mendojnë: “Hmm, ndoshta e kemi keqkuptuar gjithë konfliktin në Ballkan. Le të pyesim kamionin për më shumë detaje”.
Në tre kamionë gjenden fotografi të krimeve të pretenduara të UÇK-së dhe ankesa se si serbët në Kosovë po janë nën presion të vazhdueshëm nga “autoritetet që udhëhiqen nga Kurti”.
Ironia më e madhe është se këta thonë që Trump e shpalli çështjen e Kosovës të zgjidhur, por ata megjithatë dolën me bilbila vizual në rrugë, për t’i kujtuar botës që “jo, jo, këqyre posterin, ende ka dramë”.
Me këtë ritëm, herën tjetër ndoshta e shohim ndonjë furgon akulloresh me altoparlant duke shpallur “drejtësinë për serbët në Kosovë” teksa shpërndante korneta me vanilje.
E kjo po ndodhë bash në kohën kur kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka udhëtuar për në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku do të zhvillohen takime bilaterale me liderë në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ka njoftuar të enjten Zyra e Kryeministrit.
***
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, e cilësoi si të padrejtë mosanëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë dhe kërkoi njohjen e plotë të pavarësisë së saj, duke e konsideruar këtë akt si drejtësi për popullin kosovar dhe një hap për forcimin e paqes në Ballkan.
Ai gjithashtu bëri thirrje për respektimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, nënvizoi angazhimin e Shqipërisë për paqe dhe zgjidhje diplomatike të konflikteve, dënoi agresionin rus në Ukrainë dhe kërkoi përfundimin e luftës në Gazë.
Begaj përsëriti synimin e Shqipërisë për anëtarësim në BE deri në vitin 2030, duke theksuar reformat në digjitalizim dhe luftën kundër korrupsionit, si dhe vendosjen e rinisë në qendër të strategjive kombëtare për zhvillim të qëndrueshëm.
Po bre po, veç Kosova do dyer vetë vetes ja mshel.
***
Është festivali “MuralFest”, ai i cili i ka dhënë Ferizajt epitetin e qytetit të muraleve. E ka ngjyrosur tash e një dekadë. Pos që pjesët e zymta me beton i ka hijeshuar, ka përçuar mesazhe emancipimi për shoqërinë. E ka bërë edhe sivjet në edicionin jubilar në temën “The Stamp” (Vulë).
Në njërin ballë të objektit të Komunës së Ferizajt qëndron një shpend gjigand me ngjyra të ndezura. Në objektin e shkollës së bujqësisë “Zenel Hajdini” ka zënë vend vepra që shfaq një copë peizazhi të natyrës. Përplot ngjyra, në formë mozaiku, pjesa qendrore shfaqë fundin e një dege peme brenda një rrethi ku sfondi jashtë saj ngjanë se ilustron gjethe të thara. Aty janë ngjyrat e natyrës. Lulet janë simbole.
2016-ta, ka qenë viti i fillimit e urojmë të mos e ketë edhe për shumë vite mbarimin.
***
Sa herë e dëgjon fjalinë “hajt se shnosh”, duhesh me e ditë që kjo fjali nuk është aq e thjeshtë sa tingëllon dhe e shkurtër sa shkruhet. Brenda saj ka shpresë të kahmotshme, që e kemi zhvillu kolektivisht ndër breza. Ka shpresë që nesër dhimbja kalon, që sot është ma mirë se dje. Andaj lexues i dashur, “hajt se shnosh”!
