Live Stories from Prishtina

LIVE

May 16, 2024

Pjesë nga ditari i X.

Ndonjëherë mund të duket sikur kalojmë pjesën më të madhe të jetës sonë duke e mbledhur veten. Ndodhin gjëra të këqija, ndihemi të copëtuar, rindërtojmë veten, ndryshojmë, ecim përpara. Megjithatë ja dalim të përmirësohemi nga eksperiencat, rritemi, bëhemi më të fortë, më të thellë.

Ky ishte momenti im për të bërë pikërisht këtë, për të rikonfiguruar veten në diçka më rezistente, më të fuqishme, më pak të thyer. Nuk mund ta humbisja këtë mundësi të çmuar duke u shtrirë përreth duke torturuar veten, duke përsëritur kot të shkuarën, duke menduar se si duhet të kishin qenë gjërat.

Kisha momente kur më dukej si fundi i botës, por nuk ishte. Mu duk sikur bota ishte mizore dhe e pasjellshme, por nuk është ashtu. E kuptova që të pranoja kërkim faljet, të falja dhe të vazhdoja para duke pranuar realitetin ashtu siç është ishte zgjidhja e vetme, dhe e bëra. Falja ishte formë vetë-shërimi dhe më liroi nga ankthi asgjësues, ndërsa pranimi i realitetit më kërkoi një sasi të konsiderueshme energjie.

Bashkëshorti i’u bashkangjit luftës (1998), unë mbeta me djalin 6 muajsh në mesin e kurrkundit, afër vetes kisha familjen e cila u përkujdes për çdo detaj. Shpirtin ma kishte kapluar ndjenja e tradhëtisë, braktisjes dhe vetmisë. Nuk kisha pranë gjysmën tjetër të zemrës. Lotët që derdha deri në përfundim të luftës, mund të shërbenin për ta mbushur një vaskë. Mungesa e informatave ma kishte kapluar shpirtin dhe mendja vetëm keq mendonte. Si për rastësi, takohesha me të gjithë të afërmit e burrit, që mallin për të veç ma rritnin.

Kur u zgjova, përralla kish mbrri fundin, në vesh kisha vetëm klithmën e djalit që mbeti pothuajse pa frymë, kur takoi për herë të parë babain e tij pas sa e sa muajsh (pasi përfundoi lufta). Në anën tjetër kisha mllef për të që më la në mes të rrezikut, në anën tjetër e dija që edhe ai kishte rreziku gjithçka bashkë me shokët e tij për me gëzu një dritë lirie sot. Me bashkimin tonë e solla në pah edhe faljen.

E fala atë që nuk ishte kur ndjeva rrezik, kur ndjeva dhimbje, kur ndjeva braktisje, e fala për gjithçka që atëherë tingëllonte e keqe.

Pse po them tingëllonte? A nuk ishte e tillë?!

Sot e shoh ndryshe, e shoh si fakt që duhej të ndodhte që unë të ndryshoja pikëpamjen time. Ra pikërisht kjo ndjenjë e ma mësoi faktin që veç dashuria fal gjithçka. E përqafova atë që po përjetoja dhe e kalova më lehtë. E mësova që për t’i parë ngjyrat teksa ndryshojnë, fillimisht duhet të jenë vetëm një nuancë.

Pjesë nga ditari i X.