Live Stories from Prishtina

LIVE

26 Gusht, 2024

Shkruan: Erletë Rrustemi

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndan me ty!

Mirëmengjesi lexues i hershëm! Ditën e re sot e fillojmë duke u ngritur edhe nëse jeta ju ka shtypur. Sot forcën do ta kërkojmë tek personat që na bëjnë të ndihemi të dashur dhe tek gjërat që na lumturojnë. 

Në sipërfaqën e saj prej afër 11 mijë km2 mund të konsiderohet që Kosova është vend i vogël për të pasur probleme por  le të shohim shkurtimisht çka ndodhi ditën e fundit të javës në Kosovë, pastaj ju mund t’ia dhuroni kahjen që dëshironi vetë.

Politikë: Këtë të diel janë bërë nëntë vjet prej nënshkrimit të Marrëveshjes së dytë Kosovë-Serbi për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, të konkluzioneve për energjinë, lëvizjen e lirë në urën kryesore mbi Ibër, si dhe Planin e Veprimit për Telekomin. Pas nëntë viteve, opozita po e fajëson pushtetin për pranim të një versioni të Asociacionit që është edhe më i dëmshëm sesa ai që u shpall në shumë pika në kundërshtim me frymën e Kushtetutës.

Përderisa Qeveria po insiston në zbatimin e marrëveshjeve për hapjen për qarkullim me vetura të Urës kryesore të Mitrovicës, këtë e kanë kundërshtuar BE-ja dhe SHBA-ja, për shkaqe të sigurisë. Në veri të vendit ka nis të zbatohet Marrëveshja e energjisë, përfshirë dërgimi i faturave te qytetarët, praktikë që nuk ka funksionuar që prej pasluftës.

Sa i përket Telekomit, ende vazhdon të mos ketë zbatim të Planit të Veprimit të pajtuar më 2015. Mos-harmonizimi i brezave të frekuencave mes rregullatorëve të komunikimeve elektronike bënë që valët e operatorëve të telefonisë e edhe të radiove të Serbisë të depërtojnë në Kosovë.

Vizita e shefit të CIA-së, William Burns, ka hapur diskutime. Ish-drejtori i çështjeve evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Charles Kupchan, ka thënë se nuk ka ftohje të raporteve mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mirëpo sipas tij disa lëvizje të kryeministrit Albin Kurti kanë qenë provokuese për Uashingtonin zyrtar.

Por, vlerëson se nuk është momenti i duhur që në këtë fazë të hapet ura mbi lumin Ibër për qarkullimin e lirë të automjeteve, siç edhe po insiston qeveria e Kosovës në krye me Albin Kurtin.

Prishtinë: 

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka drejtuar kritika ndaj qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti për mospërkrahje të projekteve, ndër to unaza e kryeqytetit.

Rama tha se niveli qëndror i pushtetit po e shpërfill kryeqytetin madje nuk po e konsideron fare si të sajin.

Kronikë:

Aksidente nga veturat:

Një fëmijë ka vdekur në orët e para të së dielës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pasi të shtunën pasdite ishte goditur nga një veturë, në fshatin Korishë të Prizrenit.

Sipas njoftimit të policisë të dielën, deri te aksidenti ka ardhur kur vetura ka goditur një biçikletë në të cilën ndodheshin dy fëmijë, dhe njëri prej tyre nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve.

Një burrë është gjetur pa shenja jete në një banesë në Pejë. Lajmin e ka konfirmuar Driton Rugova, zëdhënës i Policisë për Rajonin e Pejës. Policia është njoftuar se në një banesë në rrugën ” Lekë Dukagjini” në Pejë, një person është pa shenja jete. Rasti është cilësuar si “Hetim i vdekjes”.

Si do të dukej një ditë kur nuk do të dëgjonim për problemet shoqërore… nuk mund të hamendësojmë a po? Sepse nëse jo situata me fatalitet të të tjerëve, në përgjithësi në jetët tona personale do të kemi probleme që na shqetësojnë dhe që janë të mëdha për ne në formën e vetë. Andaj ti që na lexove deri në fjalinë e fundit, nuk mund ta dijë sa e mirë apo e vështirë do të jetë dita për ty sot.., por e di që të gjithë në fund e kemi dikë që të paktën na dëgjon për gjërat që flasim. Dhuro dashuri krijesë e bukur!