Live Stories from Prishtina

LIVE

27 Nëntor, 2024

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

Mirëdita i dashur lexues! Ja disa momente të vogla që të kujtojnë se kjo jetë vlen: dikush ka në mendje zërin tënd kur merr vendime, dikush i mban ende biletat e koncertit si kujtim që keni shkuar bashkë, dikush pendohet për fjalët e fundit që t’i ka thënë, dhe dikush tjetër merr rrugën tjetër vetëm për të kaluar pranë shtëpisë tënde. Ti ke shumë njerëz që e dashurojnë kohën që kalojnë me ty.

Ja disa pika përmbledhëse se çfarë e karakterizoi ditën e djeshme në Kosovë:

Më 17 dhjetor zhvillohet rundi i ri i takimit në nivel të kryenegociatorëve në Bruksel. Qeveria nuk tregon temat që do të diskutohen, as nëse do të ketë takim trepalësh. Deri tash, runde të dështuara për Kosovën sa të duash! Serbia po i quan këto bisedime të mundimshme dhe tregon se fokusi i tyre është në krijimin e asociacionit.

Jam kurioze: me cilat pika Besnik Bislimi do të paraqitet në tavolinë për normalizimin e marrëdhënieve?

Falsifikim i historisë! Mohim i luftës së Serbisë nëpër Ballkan! A është ky kalkulim apo sulm i qëllimshëm, si kripë në plagë ndaj të mbijetuarve të luftave ku agresori ka qenë Serbia?

Pse ky përshkrim? Në një intervistë në Hard Talk, presidenti serb Aleksandar Vuçiq është pyetur nëse vizioni për “Serbinë e madhe” çoi në luftë dhe humbje masive jetësh. Me pak fjalë, ai tha që nuk pajtohet me qëndrimin se kush ka qenë fajtor dhe përgjegjës për gjërat e këqija që kanë ndodhur. Person më imagjinar unë nuk kam parë! Në një periudhë kur të ndryshojnë gjeneratat, krimi dhe gjenocidi serb në Kosovë do të pranohet dhe do të kërkohet falje. Por kur? Nuk e di!

Nëpërmjet një shkrese nga ekipet mbrojtëse të të akuzuarve në rastin më të madh para Gjykatës Speciale, është alarmuar se trupi gjykues në rastin e Thaçit dhe të tjerëve po mban anën e prokurorisë gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarëve.

Si do t’i përgjigjet Specialja kësaj shkrese të përbashkët?

Tetë dekada më parë, Biblioteka Kombëtare e Kosovës do të themelohej në Prizren. Por ajo do të kalonte në disa faza zhvillimi, dhe ndryshim do të pësonte edhe emri i institucionit. Biblioteka do të bartej në Prishtinë.

Përfundimisht, shtëpia e saj e përhershme u bë zemra e kryeqytetit në vitin 1982, kur u inaugurua objekti ikonik brutalist. Të hënën u kremtua 80-vjetori i institucionit më të lartë bibliotekar në vend. Në ngjarje mori pjesë edhe projektuesi i ndërtesës së Bibliotekës, akademiku kroat Andrija Mutnjakoviq.

Në fund, dua të të pyes diçka: a i kontrollon ti emocionet e tua, apo ato ty? Nëse dhimbjen, gëzimin, vajin nuk i kontrollon ti, për kë vendosin ato që të shpërthejnë? Mendoje