Live Stories from Prishtina

LIVE

26 Shtator, 2025

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje e ditës me lajme që kryesuan ditën dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

Merr kohë por bëhet më mirë… gjithçka!

Nëse Prishtina po e zgjedhka Përparim Ramën, probabiliteti për me pas një tramvaj elektrik nga Fushë Kosova tek rrethi në hyrje të Prishtinës e deri tek menza qenka bajagi i madh.

Paramendojeni pak… ose jo mos e paramendoni, hyni shikone një video që e ka publiku Përparim Rama në faqen e tij në “Facebook”.

Një shesh deri te rrethi me flamur, një tramvaj elektrik në mes… wow as Londër, as Taksim as…

***

Serbia fluturon dronë mbi Kosovë, ekspertët fluturojnë me paralajmërime për tensione, ndërsa faktori ndërkombëtar fluturon me… heshtje.

Serbia ka shkelur hapësirën ajrore të Kosovës me dronë, gjë që Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e ka konfirmuar publikisht, duke thënë se kjo ka ndodhur disa herë. Ekspertët e sigurisë e kanë cilësuar veprimin si provokim të organizuar dhe cenim të sovranitetit, ndërsa kanë kërkuar që Kosova të koordinohet me faktorët ndërkombëtar. Megjithatë, KFOR-i, BE-ja dhe SHBA-ja nuk kanë dhënë asnjë sqarim.

***

Sondazhi i fundit i Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI) tregon ndarje të thellë mes orientimeve të qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë. Kosovarët mbeten pothuajse unanimisht pro Perëndimit, me 85 për qind që përkrahin NATO-n dhe BE-në, ndërsa Serbia shfaq përkrahjen më të madhe për Rusinë dhe Kinën, me vetëm 3 për qind të qytetarëve pro integrimit në NATO dhe 39 për qind pro BE-së, ndonëse është shtet kandidat.

Diferenca shtrihet edhe në aspektin kulturor e moral: 70 për qind e kosovarëve e konsiderojnë veten pjesë të botës perëndimore, kundrejt vetëm 22 për qind të serbëve.

Në Kosovë, sfida kryesore sipas qytetarëve është ekonomia, kostoja e jetesës dhe ndërtimi i një shteti social, ndërsa Serbia përballet me kërkesën masive për ndryshim udhëheqjeje dhe luftë kundër korrupsionit.

Në të dyja vendet, mbi gjysma e qytetarëve mendojnë se vendi po ecën në drejtim të gabuar.

Analistët e shohin Kosovën në një proces evolutiv drejt modernizimit socio-ekonomik, ndërsa Serbinë përballë një revolucioni të mundshëm politik, ku shoqëria kërkon shkëputje nga rrjetet korruptive.

Ky sondazh është zhvilluar gjatë muajve maj-korrik.

***

Galeria “Hani i 2 Robertëve”, ka hapur dje ekspozitën “What Time Could Not” të fotografit të njohun Agron Dragaj, e cila është kuruar nga Shkelzen Maliqi.

Ideja e kësaj ekspozite është që autori të tregoj përmes punës së tij të gjatë në dokumentimin e jetës dhe transformimeve shoqërore në Kosovë e mbarë botën, sjellë një retrospektivë që nuk synon me impresionu, po me dëshmu.

***

Duke qëndru larg prej situatave që të shqetësojnë dhe që të pengojnë, nuk i bjen që i ke shpëtu një konfrontimi që nuk don me pas, veç je tu ja shty afatin e tu ja shtu vetës kohën me u marrë me diçka që po të pengon. Kështuqë do it, thuaje çka po të pengon deri në pikën që nuk e lëndon dhe cënon tjetrin. Çysh njerëzit sillen me ty nuk është pasqyrë e jotja, është sjellja e tyre.