Live Stories from Prishtina

LIVE

25 Shkurt, 2025

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

Si është disponimi yt në këtë ditë, lexues? Sot do të kërkoj një mendim tëndin personal: a mendon se historia që harrohet përsëritet? Nëse veç dëshiron ta ndash atë, shkruaj në [email protected].

Po ashtu, mos ndalo – vetëm vazhdo. Pusho kohë pas kohe, por mos u distanco. Kthimi di të mos jetë i lehtë.

Çka ndodhi dje në Kosovë?

***

Dje Kosova humbi dy figura ikonike, Bajram Qerkinin dhe Faik Rexhepin.

Bajram Qerkini ishte kryetar i shoqatës “Zëri i Prindërve”. Ai, babai i Reshatit, të zhdukur që nga lufta e fundit në Kosovë, nuk ka reshtur së kërkuari për zbardhjen e fatit të djalit të tij dhe të mbi 1,600 personave të tjerë – viktima të luftës së fundit në Kosovë.
Bashkë me familjarë të tjerë dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare, Qerkini jo pak herë ka shprehur zhgënjimin me punën e institucioneve për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

***
E Faik Rexhepi ishte figura qendrore e skalitur në skulpturën e vendosur në sheshin “Zahir Pajaziti”. Ai sfidoi ulur këmbëkryq në mes të rrugës, në kohën kur policët e regjimit serb i ndiqnin pas në vitin 1990.

Ndër të rrallat ide në Kosovë për të vendosur skulptura që nuk janë figura qendrore, artistja Eliza Shala, më 28.11.2022, e kishte ideuar dhe punuar skulpturën e Faik Rexhepit, të bazuar në një fotografi – ide që ishte mbështetur nga Komuna e Prishtinës.

Kur njerëzit që përjetuan dhe dëshmuan të bëmat e luftës po treten e po vdesin, kush do të flasë për historinë që ende nuk ka mjaftueshëm të dhëna të shkruara për brezat e rinj dhe për botën?

***

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka refuzuar rreth 5,000 pako të ardhura nga jashtë, nga 69,000 të verifikuara. Zyrtarët e KQZ-së aktualisht janë duke punuar në skanimin e listave të votuesve për t’i krahasuar ato me votat e pranuara me kusht. Deri në mes të javës, ky institucion synon të nisë numërimin e votave të hedhura në përfaqësitë diplomatike.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve synon që rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit t’i shpallë më së largu më 5 mars.

Paramendojeni: Gjermania, me më shumë se 80 milionë banorë, mbajti të dielën zgjedhjet dhe shpalli rezultatet. Ndërsa te ne, për shkak të problemeve teknike e deri te votat e pavlefshme, duhen një muaj për të dalë me rezultate, me më pak se 1 milion votues.

***

Dhe disa gjëra mund të ekzistojnë njëkohësisht. Çdo përvojë ka potencialin të na formësojë, por është në rregull nëse rritja nuk është gjëja e parë që ndjen. Disa momente janë thjesht të vështira dhe t’i nderosh ato është gjithashtu pjesë e rrugëtimit.