Live Stories from Prishtina

LIVE

4 Shtator, 2025

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje e ditës së djeshme me lajme që kryesuan ditën dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

Mik i përditshëm, përjavshëm… apo ti që na viziton vetëm nganjëherë, a e pyet ndonjëherë veten se nëse nuk do të ndjeheshe i paragjykuar, a do t’i jepje më shumë liri shpirtit tënd? A do ta lejoje veten të ishe plotësisht këtu, në këtë moment, pa frikën e syve të të tjerëve? Me të gjitha ndodhitë që kanë kaluar mbi jetën tënde, me plagët që i ke bartur e me gëzimet që shpesh i ke fshehur, nëse nuk i shpjegon qartë ato që kërkon, si do ta gjejë bota rrugën për t’i kuptuar?

Çka ndodhi në Kosovë?

Dje kryeministri në detyrë u paraqit si palë e dëmtuar, nga kanosja që ja bënë dy persona publik, njëri nga ata Faton Klinaku, që e drejtoi deri vonë Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Në sallën ku po përcjellej nga truprojat, Kurti tha se nuk ka nevojë për avokat.

Xhipat e zi e sollën, e truprojat shefin e lanë te hyrja. E si i dëmtuar nuk dinte as nga cila anë i binte të ulej.

Bazuar në aktakuzën e prokurorit Bekim Kodraliu, ish-kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës të UÇK-së, Faton Klinaku, e ka publikuar në Facebook një shkrim, me të cilin e ka kanosur kryeministrin në detyrë.

Klinaku pati shkruar në Facebook-un e tij: “as nuk kam votuar, as ndryshim për të mirë kurrsesi që nuk pres nga ai, e sa i përket daljes jashtë më parë e vras Albin Kurtin sesa që ja lëshoj rrugën e iku nga Kosova”.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka qenë i pranishëm në seancë, ani pse pjesëmarrja e tij nuk ka qenë obligative.

Do të thotë: thirrjeve për rastin e rezervave shoqërore nuk u përgjigjej, duke i kërkuar prokurorisë që deklaratën t’ia marrë në zyrën e tij. Pra për një “krim” të Klinakut ia bon “sefte” gjykatës – shkon, por për me dëshmu në raport me një keqperdorim të madh zyrtar nuk shkon. Wow!

A ka najfarë ligji që e dënon mospërfilljen a jo a?

***

Diskursi “tradhëtarët e patriotët”, ka fillu që prej epokës së “VLAN-IT”, që në emër të Republikës, blloku opozitar, bllokoi dhe e çoi në zgjedhje të jashtëzakonshme vendin.

Nga kjo periudhë filloi përçarja në Kosovë, por kemi nevojë që e ardhmja politike të jetë më e qartë, të jetë kështu duke pasur në qendër “të mirën qytetare”.

Si atëherë kur për një post qeveritar u veniten zotimet e vizionet e VLAN-it, njësoj do jetë edhe në vazhdim me politikë.

Ministri në detyrë, Nenad Rashiq, vlerëson se Kuvendi nuk është i konstituuar. Ai pret masë të përkohshme nga Gjykata Kushtetuese, e nga presidentja e vendit pret që të mos e mandatojë të propozuarin e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, derisa të zgjidhet një nënkryetar i Kuvendit nga komuniteti serb.

Çka thua ti i dashur lexues, a mbyllet ky proces pa u zgjedhur nënkryetari i Kuvendit nga komuniteti serb?

***

Prej dekadash, diaspora shqiptare ka ditur ta mbajë gjallë kulturën dhe identitetin e saj, kudo që ka mërguar. Në të njëjtën frymë, këtë rol e merr mbi vete edhe festivali i filmit “Kino Kosova”, i cili sjellë para publikut jo vetëm kinematografinë kosovare, por edhe muzikën dhe artin vizual.

Sivjet, festivali hynë në edicionin e gjashtë dhe do të mbahet në Bernë, nga 10 deri më 14 shtator. Me temën “Sense of Purpose”, ai synon të shtrojë pyetjen e madhe mbi qëllimin e njerëzimit përballë sfidave të epokës moderne.

***

Për kandidatët për asamble komunale që po bëjnë fushatë në rrjete sociale, a janë ndjekësit në Tiktok e Instagram edhe votues? A munden rrjetet sociale ta zëvendësojnë televizionin në fushatë?

***

Nëse nuk i flet vetes së pari, si do të dëgjojnë të tjerët? Nëse nuk i përkufizon qartë dëshirat dhe kërkesat e tua, rrezikon të humbasësh në zhurmën e përditshme të botës. Por sapo të guxosh të shpjegosh, qoftë me fjalë të thjeshta, qoftë me heshtje që mbajnë peshë, atëherë i jep vetes një leje të re: lejen për të qenë aty ku je, jo vetëm fizikisht, por edhe shpirtërisht.