Live Stories from Prishtina

LIVE

March 29, 2024

Note: Ky blog është krijuar për t’iu ofruar juve një këndvështrim të sinqertë rreth temave të caktuara, duke filluar nga librat dhe kultura, e deri tek mendimet dhe qëndrimet tona. Çfarëdo që të duket personale, mos e konsidero të tillë. Disa janë të bazuara në eksperienca personale, disa në vlerësime filozofike e psikologjike, e disa të tjera në evidencë. Ideja është që të mësosh diçka nga përvojat tona dhe pse jo të të gjenden ndonjëherë në jetë. No hard feelings. It’s all based on a true story. Paper Team.

A hint: Zhytu në botën e librit!

Nuk thonë kot se “një dhomë pa libra është si një trup pa shpirt”. Kjo është thënia ime e preferuar, më bën të mendoj se sa magjik është ndikimi i librit tek njeriu, shkruar nga vetë dora e njeriut për njeriun.

Padyshim që ua kam lakmi atyre që udhëtojnë… mirëpo librat më kanë ofruar një përjetim të veçantë të njohjes së vendeve. Përmes librit kam vizituar qëmoti; Evropën e mahnitshme, Afrikën e bukur, Azinë e lashtë e Amerikën e qelqit, ua njoh erën, kulturën, traditën e gjuhën vetëm nga ajo çfarë libri na ka servuar ndër vite.

Libri të njofton me njerëzit më të mirë, më të dhembshur, më të fortë, më emocional e më zemërgur, teksa në të njëjtën kohë të hapë dyert për të parë vendet më paqësore në botë. Këto vende nuk janë fushat me lule, as luginat, as lumenjtë, as malet e kodrinat, por janë hapësirat ku ti mund t’i gjesh këto vende, t’i njoftosh të gjitha personalitetet njerëzore, të mësosh përballjen kundrejt gjitha situatave që gjendesh, madje të mësosh edhe një zanat të ri. Bëhet fjalë për libraritë.

Sot kam kënaqësinë të ndaj me ju librarinë më të vjetër në botë, “Livraria Bertrand” në Lisbonë të Portugalisë, të cilën e njoftova rastësisht kur po kërkoja për ‘hapësirat më të mira për strehimin e librave’.

Me të parë hapësirën, ju do të keni këtë ndjenjë: “Është si të takohesh me të gjithë dhe me gjithçka që ke admiruar ndonjëherë gjatë historisë, të gjitha në një dhomë” .

Bertrand ka një lashtësi prej më shumë se 300 vjetësh dhe daton nga shekulli i 17-të. Kjo lashtësi bëri që hapësira e saj të rinovohet disa herë, me qëllimin që t’i bëjë ballë kohës.

Vendi ku ndodhet dyqani tani, në Chiado, nuk është në fakt vendndodhja origjinale. Hapësira origjinale u shkatërrua në një tërmet në vitin 1755, i cili i detyroi pronarët të zhvendoseshin dhe ta vendosnin atë në një hapësirë më të qëndrueshme. Sot kjo librari posedon një rrjet prej 50 dyqanesh në gjithë vendin.

Brendësia e “Livraria Bertrand”

Kur jeni duke shëtitur rrugët e Lisbonës, takimi i parë me këtë librari mund t’iu ngjasojë me një dyqan karamelesh i vendosur në qoshen e rrugës, por me të hyrë brenda ju do të ndesheni me një mori tunelesh të mbërthyera nga librat.

Harqet e tavanit brenda hapësirës i japin librarisë një natyrë të frymëmarrjes. Hapësira është krahasuar me objektet religjioze si një kishë, në kuptimin që ajo është kaq e qetë dhe paqësore, edhe në momentet e saj më kaotike kur pushtohet nga vala e vizitorëve.

Çfarë mund të blini në “Livraria Bertrand” në Lisbonë

Pavarësisht nga popullariteti i saj në mbarë botën, Libraria Bertrand i qëndron besnik literaturës portugeze. Rreth 95% e veprave është përqendruar rreth librave në gjuhën portugeze, duke filluar nga gatimi deri te veprat artistike, shkenca deri tek fotografia, e patjetër edhe letërsia portugeze.

Ekziston një seksion i vogël anglisht brenda librarisë që përmban shumicën e veprave klasike dhe disa nga librat më të shitur bashkëkohorë.

Brenda librarisë, ju do të gjeni një kafene të vogël e cila lejon vizitorët të shijojnë leximin duke e shoqëruar me pije.

Çfarë tjetër në Lisbonë?

Lisbona njihet si zona e letërsisë në Evropë. Jo shumë larg librarisë Bertrand, gjendet një hapësirë magjepsëse në dukje e dalë nga një përrallë që strehon 36 mijë libra. Bëhet fjalë për Bibliotekën Kombëtare të Pallatit Mafra. Aty ishte edhe libraria Lello & Irmão, ku thuhet se JK Rowling gjeti frymëzimin e saj fillestar për të shkruar serinë e Harry Potter.