Live Stories from Prishtina

LIVE

30 Shtator, 2025

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje e ditës me lajme që kryesuan ditën dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

I dashur lexues, aftësia për të qenë i sinqertë me veten tregon sa i sinqertë je me të tjerët dhe sinqeriteti yt me të tjerët do t’i ndikoj ata të jenë më të sinqertë me veten e tyre. Nëse njeriu nuk është i aftë të përballet me të vërtetën e vet, me dobësitë, dështimet, frikërat, por edhe me vlerat dhe fuqitë e tij, është shumë e vështirë që ai të jetë autentik me të tjerët.

Çka po ndodhë në Kosovë?

Kosova mbetet në bllokadë institucionale, qeveria e re nuk mund të formohet pa një vendim përfundimtar të Gjykatës, i cili pritet pikërisht sot. Ky vendim do të jetë përcaktues nëse Kuvendi do të vazhdoj me procedurat aktuale, apo nëse procesi duhet të përsëritet sipas kërkesave të Listës Serbe.

***

Sot, më 30 shtator, përfundon masa e përkohshme e vendosur nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e cila prej 6 shtatorit kishte bllokuar çdo veprim për formimin e Qeverisë së re.

Vendimi erdhi pas ankesës së nëntë deputetëve të Listës Serbe dhe një deputeti goran, që kontestonin mënyrën e zgjedhjes së nënkryetarëve të Kuvendit nga komunitetet joshumicë. Ata argumentuan se Lista Serbe, si fituese e shumicës së votave të serbëve në Kosovë, duhej ta kishte të drejtën për të propozuar vetë nënkryetarin serb dhe se kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, kishte shkelur Kushtetutën duke lejuar fillimisht propozimin nga grupi multietnik.

Ngërçi politik nisi që më 15 prill, kur u mbajt seanca e parë konstituive e Kuvendit, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Pas muajsh bllokadash dhe dy aktgjykimeve të Kushtetueses, më 26 gusht u zgjodh kryetari i Kuvendit, Dimal Basha nga Vetëvendosje, si dhe nënkryetarët nga partitë shqiptare.

Por zgjedhja e nënkryetarit serb dështoi pasi kandidati i Listës Serbe, Slavko Simiq, nuk mori votat e nevojshme as pas tri rundesh votimi.

Kryeparlamentari Basha u përpoq ta zgjidhte çështjen përmes shortit, duke përfshirë edhe kandidatin tjetër serb, Nenad Rashiq, por as ai nuk u votua. Si pasojë, Basha shpalli Kuvendin të konstituuar, vendim që Lista Serbe e ka kundërshtuar në Kushtetuese.

Për Vetëvendosjen si fituese e zgjedhjeve me 48 ulëse, ky vendim i Gjykatës është pengesë për formimin e qeverisë së re.

Ndërkohë, Lista Serbe, e mbështetur nga Beogradi, e sheh si mbrojtje të rendit kushtetues dhe të rolit të saj politik.

****

Prishtina nga dje ka hapur dyert për një ngjarje të re që i kushtohet plotësisht dizajnit dhe ideve të gjelbra “Prishtina Sustainable Design Week” (29 shtator – 3 tetor). Për pesë ditë me radhë, kryeqyteti do të jetë mikpritës i punëtorive, paneleve, ligjëratave dhe aktiviteteve shoqëruese që kanë në qendër qëndrueshmërinë, mbrojtjen e ambientit, modën e gjelbër, arkitekturën, upcycling dhe recycling.

Programi i pasur nuk është vetëm informues, por edhe argëtues  duke ofruar hapësira për takime, rrjetëzim dhe zbavitje. Aktivitetet janë të shpërndara në disa prej hapësirave më kreative të qytetit, përfshirë Kino Armatën, DYVÓ, Institut Français, Servis Fantazia, Bubble dhe English Pub.

Agjendën e plotë mund ta gjeni online, por një gjë është e sigurt, kjo javë premton të sjellë frymë të re në dizajn dhe në mënyrën se si mendojmë për të ardhmen e qëndrueshme.

***

Kështu ndryshohet bota, jo përmes ndonjë ideologjie të madhe, konvertimit masiv apo ëndrrash të gabuara për të ardhmen, por duke arritur pjekurinë dhe dinjitetin e çdo individi në të tashmen, këtu dhe tani.