Live Stories from Prishtina

LIVE

8 Shkurt, 2025

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

Shpresoj që sot të jetë dita jote. Dielli të prek në fytyrë fiks ashtu siç duhet. Rroba jote e preferuar të rri tamam ashtu siç të pëlqen. Të mos ketë radhë në ‘drive-thru’ për të marrë kafen tënde dhe në fund uroj që dikush të dërgon një mesazh që të bën të buzëqeshësh.

Çka ndodhi dje në Kosovë?

Ky përshkrim për simbolin “V”, që po i nënkuptoka dy gishtat, duket si gërshërët që presin korrupsionin, hajninë, etj., etj. Do të uroja të ishte simbol për paqe…

Po çka po flas edhe unë, po të ishte ashtu, AGK nuk do ta kishte dënuar për gjuhën e urrejtjes dhe fyerjet ndaj gazetarëve.

Kështu thotë shkrimi i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës:

“AGK-ja e dënon fushatën e vazhdueshme kundër mediave dhe gazetarëve nga kryeministri Kurti dhe Vetëvendosje.
Në vazhdimësi të 4 viteve të qeverisjes, partia politike Vetëvendosje dhe lideri i saj, kryeministri Albin Kurti, kanë intensifikuar sulmet e papranueshme ndaj mediave dhe gazetarëve gjatë gjithë muajit të fushatës elektorale për zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit.”

Teksa tha se marrëdhëniet me SHBA-në dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë kurrë s’kanë qenë më mirë. Thuaj ti se nuk e pamë ne që djali i Trump-it e bëri repost statusin e Grenellit.

Tani, postimi a është qëndrimi i tij apo qëndrimi i administratës amerikane, besoj do ta marrim vesh së shpejti.

***

Fushata përfundon sot dhe nesër në mëngjes nis heshtja zgjedhore deri në mbylljen e vendvotimeve.

Nuk mbaj mend që ndonjë fushatë të ketë qenë kaq dinamike sa kjo e kësaj radhe. Partitë më të mëdha u mobilizuan maksimalisht për të mbledhur simpatizantët në sa më shumë komuna; shprëndanë aktivistë e kandidatë për deputetë nëpër shumë fshatra.

***

Dje në Mitrovicë është dhënë shfaqja e parë.

“Provinca” shënon jo vetëm shfaqjen e parë për këtë vit të teatrit “Muharrem Qena” në Mitrovicë, por edhe “prerjen e shiritit” të sallës së rinovuar. Me autor dhe regjisor Ard Islamin, shfaqja komedi satirizon politikën dhe zbulon prapaskenat e punës së një shfaqjeje teatri. Hipokrizia dhe paradokset e pushtetit vijnë në skenën e teatrit si reflektim mbi gjendjen e shoqërisë. Aty ka përplot mesazhe, e mesazhi për publikun është misioni i teatrit.

***

Nuk ka kuptim të kërcesh nëse intuita jote të thotë se tani është koha për të pushuar. Ashtu siç nuk ka kuptim të pushosh nëse momentumi po të rrethon si një uragan i bukur.
Pra, cila është gjendja jote sot?