Live Stories from Prishtina

LIVE

March 15, 2024

Rikthim:

Të zgjohesh në mëngjes dhe ta jetosh ditën duke shijuar çdo moment është kënaqësi e veçantë, mirëpo jo çdokush di ta shijojë këtë mënyrë të jetesës.

Janë disa popuj të cilët shquhen për jetesën e mirë, jetesën pa brenga, të cilët arrijnë ta shijojnë momentin duke harruar për disa çaste problemet e përditshme, të cilat më besoni se nuk zgjidhen duke i menduar shumë.

Italianët dhe francezët dinë të shijojnë edhe pjatën më të vogël me ushqim me orë të tëra vetëm për ta shfrytëzuar mirë kohën e të qenurit vetëm.

Sot do të flasim për disa nga thëniet e famshme që morën vëmendje për rendësinë që bartin dhe për simbolin që u dhanë vendeve të tyre.

Nëse e keni vizituar ndonjëherë Italinë ose nëse do ta vizitoni në të ardhmen, fjalinë e parë që do ta mësoni është “Dolce far niente”.

Por, çka nënkuptojmë me këtë fjali dhe çfarë simboli bartë ajo?

‘Dolce far niente’, nëse përkthehet fjalë për fjalë do të thotë ‘aq ëmbël sa nuk bëj asgjë’, por nëse tentojmë t’i japim kuptim në gjuhën tonë do të thotë ‘esenca për të mos bërë asgjë dhe për ta shijuar atë’. Në këtë rast, Asgjë cilësohet si përvojë e këndshme e të shijuarit kohën që kalon, duke i lënë mendimet tuaja të pushojnë… e cila më shumë lidhet me mentalitetin italian. Kultura që posedon Italia, i dhuroi botës shumëçka, si picat e famshme, shpagetat e famshme, modën e paparë, muzikën e padëgjuar, romancën dhe filmat e papërsëritur. Duke i konsideruar të gjitha këto si vepra arti, të gjitha morën kohë për t’u bërë me dashuri dhe përkushtim. E nëse e kërkojmë përgjigjjen për pyetjen se nga rrjedhën të gjitha këto, atë mund ta kuptojmë lehtë nga mentaliteti që posedon ky popull, duke i cilësuar si të matur, punëtorë dhe shfrytëzues të shkëlqyeshëm të kohës së lirë, ku dhe lindi termi ‘dolce far niente’, me të cilën italianët krenohen sot më së shumti.

Fati që ky vend gëzon me bukurinë e peizazheve të mahnitshme, nga brigjet e detit e deri te malet më të larta, kjo është ajo ku dolce far niente shërben në të mirën e saj, ku gjithçka që ka rëndësi është të jetosh momentin. Pa stres, pa presion, asgjë nuk ka rëndësi; thjesht jeto momentin, një moment ‘duke mos bërë asgjë’.

Praktika për të mos bërë asgjë, më vonë mori edhe konotacion tjetër psikologjik. Kjo praktikë ndihmon për të ngadalësuar trupin tuaj, frymëmarrjen tuaj, duke përmirësuar fokusin tuaj mendor dhe duke rregulluar emocionet tuaja.

Kushtojani 5-10 minuta çdo ditë kësaj praktike, synoni ta praktikoni në një kohë të qetë, në një vend në shtëpinë tuaj dhe do ta vëreni rezultatin.

Ju mund të habiteni kur zbuloni se ka përfitime të vërteta nga të mos bërit absolutisht asgjë. Kur fikni të gjitha shpërqendrimet, kjo lejon hapësirë për zgjerimin e nënvetëdijes tuaj, duke rritur përfundimisht kreativitetin tuaj. Kur shkëputemi për pak qaste nga realiteti, mendja jonë hidhet në përgjigjet më të dukshme dhe përpiqet të kërkojë zgjidhje për problemet.

Mbi të gjitha, mbani mend se nuk është gabim të fikni listën tuaj të detyrave për një ditë, madje edhe për disa ditë. Ju nuk jeni një person i papërgjegjshëm nëse e bëni këtë, edhe nëse kjo do të thotë të pezulloni të gjitha detyrimet tuaja, qofshin ato ndaj vetes, shefit apo klientit tuaj, familjes dhe miqve tuaj, për sa kohë që ato nuk janë çështje urgjente.

Tash e tutje kur e dëgjoni fjalinë ‘Dolce far niente’, ju menjëherë do ta kuptoni se lidhet me jetesën italiane.

Nga rëndësia që mori kjo praktikë, u shkruan edhe libra për të. ‘The Sweetness of Doing Nothing: Live Life the Italian Way with Dolce Far Niente’ , libri eksploron filozofinë italiane jugore për t’iu ndihmuar të gjeni kënaqësi në të përditshmen.

Pavarësisht nëse jeni ulur jashtë në një kafene duke parë botën që kalon para këmbëve apo duke ikur orët me të dashurit tuaj duke pirë një gotë verë ose duke u zhytur në natyrë apo në plazh duke e shijuar diellin, këto momente në dukje të zakonshme janë ato që sjellin lumturinë në kontekstin afatgjatë dhe nxjerrin në pah gëzimin në të jetuar.

Italianët e dinë rëndësinë e shijimit të ushqimit të mirë dhe shoqërisë së mirë. “Ëmbëlsia e të mos bërit asgjë” ndan këtë filozofi, duke i përfshirë recetat, sugjerimet dhe këshillat për t’iu ndihmuar të hiqni dorë nga ankthi dhe të shijoni momentet e çmuara të jetës, e sidomos duke e jetuar të tashmen.