Live Stories from Prishtina

LIVE

4 Dhjetor, 2024

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

Nuk ke shumë kohë, dhe këtë nuk po ta them për të të frikësuar. Po ta them me qëllimin që ta rikujtoj: ta përdorësh kohën dhe t’i gëzohesh asaj. Shikoje kohën që ke para syve dhe refuzo ta lësh të të rrëshqasë tutje. Të lutem…

Cilat ngjarje e karakterizuan ditën e martë në Kosovë?

***

Dy vëllezërit serbë, Vicentijeviq nga Prevallka e Zubin Potokut, po akuzohen nga prokuroria se kryen sulmin terrorist në kanalin e Ibër Lepencit. Njërit prej tyre iu caktua masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Natyrisht, pretendimet nga prokuroria do të cilësohen nga ana serbe vetëm si gjetje dhe asgjë më shumë!

***

Kryeministri i Kosovës, Kurti, dhe ai i Serbisë janë takuar ndaras me shefen e re të diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas. Kurti i ka kërkuar Kallasit që Serbia ta dorëzojë Radoiçiqin në Kosovë.

Ndërsa Kallas ka kërkuar nga Vuçiq zgjidhjen e rastit Banjska dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

Fakti që Radoiçiq nuk u ekstradua asnjëherë nga Serbia, a nuk ishte indikator kyç që inkurajoi serbët për një sulm tjetër? Pastaj, banorët poshtë kanalit, të cilët ishin të vetë komunitetit serb, a nuk u përzgjodhën me qëllim që faji t’u mbetej shqiptarëve?

Shpresoj që këtij sulmi nuk do t’ia përkujtojmë përvjetorin pa ndëshkimin e fajtorëve! Mbështetja e Amerikës, kësaj radhe, duhet të shfrytëzohet në maksimum.

Gjithçka që ndodh në Kosovë dhe që shkaktar është Serbia, nuk do të thotë se tani nuk kemi përgjegjësi.

***

Investimi i qytetarëve, i dashur lexues, a nuk është për ndërtimin e një shteti që ofron siguri përmes forcave mbrojtëse, ushtrisë dhe policisë? Themelimi i ushtrisë ka përfunduar, kjo pjesë është kryer. E tani? Përforcimi, armatimi?

A nuk varet kjo nga institucionet, fuqizimi i tyre dhe nga kreu politik se si e realizon këtë?

A nuk fuqizohet ushtria për mbrojtje të jashtme dhe jo për luftë të brendshme (kundër njëri-tjetrit)?

Çfarë është ky sentiment i frikës i theksuar? Pse po mbillet frika? Për të zbutur zërat?

***

“Armata” pret kineastin hollywoodian!

Emri i shquar i kinematografisë hollywoodiane, regjisori, kineasti dhe producenti britanik Peter MacDonald, dje ka qenë në Prishtinë, ku ka zbërthyer një pjesë të retrospektivës së karrierës së tij. Veprimtaria e tij, prej më shumë se një gjysmëshekulli, u prezantua sipërfaqësisht në një ligjëratë si bashkëbisedë me publikun. Në figurën e tij projektohen filmat epikë të skenës së kinematografisë, ata me të cilët është rritur pjesa më e madhe e publikut në kinemanë “Armata”.

***

Të kesh pushtet nuk është aq e rëndësishme sa ajo që zgjedh të bësh me të! Unë nuk kam të drejtë gjatë gjithë kohës. Shpeshherë, jam i majtë në vend të të djathtës.