Dje n’Kosovë / foto: Nita Meqa
13 Maj, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
I dashur lexues, a nuk mendon edhe ti se dy ditët më të rëndësishme në jetën tënde janë: dita kur ke lindur dhe dita kur kupton pse?! Të gjithë lindim si pjesë e një cikli natyror, por jo të gjithë arrijmë të kuptojmë se pse jemi këtu. Dita kur e kupton qëllimin tënd, çfarëdo qoftë ai: të ndihmosh të tjerët, të krijosh, të luftosh për drejtësi, apo thjeshtë të jetosh me dashuri është dita kur jeta merr një dimension të ri.
Çka ndodhi dje n’Kosovë?
Lidhja Demokratike e Kosovës ka dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit për Energji një kërkesë për anulimin e dy vendimeve: vendimit për rritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe atij për kalimin e rreth 1.300 bizneseve në tregun e lirë të energjisë.
Pas takimit me bordin e këtij institucioni, deputetja Hykmete Bajrami deklaroi se nuk presin një përgjigje pozitive ndaj kësaj kërkese.
Dokumenti është nënshkruar nga vetëm 30 nga 120 deputetët e Kuvendit të Kosovës, çka e dobëson bazën e përfaqësimit parlamentar të kërkesës.
Deklarata e deputetes Hykmete Bajrami se “nuk presin përgjigje pozitive” është e pazakontë për një forcë politike që kërkon ndryshim. Ajo i zbehë efektin politik të kërkesës dhe krijon përshtypjen se vetë LDK nuk beson në efektin e saj. Kjo mund të interpretohet ose si sinqeritet, ose si mungesë strategjie dhe kohezioni të brendshëm.
***
Janë sekuestruar banesa dhe prona të tjera në vlerë mbi dy milionë euro në lagjen “Mati” në Prishtinë për shkak të dyshimeve se ishin ndërtuar për të mundësuar shpëlarjen e parave.
Në Prokurorinë Speciale kanë thënë që pronat e sekuestruara janë të Sh.C, i arrestuar në muajin shtator të vitit të kaluar bashkë me dy persona të tjerë.
Si dyshohet se është kryer shpëlarja? Përmes shitjeve fiktive? Me kompani ndërtimi pa histori reale?
***
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e përkrahur nga deputetë të PDK-së dhe LDK-së ka dorëzuar në Kushtetuese vlerësimin e propozimit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit. Po ashtu kërkon edhe pezullim të përkohshëm të seancave deri në shqyrtim të lëndës.
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka thënë se kërkesa është nënshkruar nga 11 deputetë që vijnë nga AAK-ja, LDK-ja dhe PDK-ja.
Përmes saj është kërkuar edhe pezullimi i përkohshëm i seancave deri në shqyrtim të lëndës.
***
Një gjuajtje me armë zjarri ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në Rrugën B.
Atje po dyshohet se u përdor edhe kallashi.
Nacionale ka publikuar mbrëmë pamje të veturave që u dëmtuan, e të cilat ishin të parkuara afër ngjarjes.
Sipas burimeve të sigurta brenda Policisë, në vendin e ngjarjes janë gjetur 16 gëzhoja që dyshohet të jenë të armës AK-47 dhe 6 të tjera të kalibrit 9×19 mm, që dyshohet se janë shkrepur nga pistoleta.
***
Dje ka filluar, “Java e Terapisë së Artit”, festival ky vjetor që zhvillohet në Prishtinë, i cili synon me promovu rëndësinë e shëndetit mendor përmes artit dhe me i luftu stigmat që lidhen me këtë temë. Edicioni i shtatë i këtij festivali po mbahet nga data 12 deri më 17 maj 2025.
***
Në të vërtetë, frika është njerëzore ajo na mbron dhe na paralajmëron. Guximi nuk është një mungesë frike, por një zgjedhje për të ecur përpara pavarësisht saj. Të jesh i guximshëm do të thotë të qëndrosh në këmbë kur të tronditin, të flasësh kur të tjerët heshtin, dhe të veprosh edhe kur zemra të rreh me frikë.