Live Stories from Prishtina

LIVE

8 Korrik, 2024

Të qash mund të konsiderohet si një nga mekanizmat më të mirë për t’u qetësuar dhe si rrjedhojë, ndonjëherë njerëzve ju duhet një nxitje më e fortë emocionale që të lirohen nga emocionet negative.

Por çka më duket më elegante, është kur shoh njerëz që qajnë nga ngjarjet e romaneve, qoftë nga historia e trishtë apo e lumtur që ato portretizojnë, ndoshta edhe thjeshtë kur janë të mahnitur nga një fjali e përshkruar në mënyrë të bukur.

Njësoj siç reflekton edhe libri “It Only Happens in the Movies” nga Holly Bourne, i cili është një libër i shkëlqyer lidhur me temat si marrëdhëniet ndërpersonale, dashuria e parë, tradhtia dhe fuqia që bartë një miqësi. Unë e konsideroj si një libër i cili patjetër duhet të gjendet në raftet e adoleshentëve, por edhe të të gjithë lexuesve. Mund t’iu them se do t’i shijoni të gjitha 410 faqet.

Titulli i përkthyer në shqip “Ndodh vetëm në filma”, tregon historinë e një vajze e cila është e frustruar me mënyrën se si marrëdhëniet portretizohen në filma, se si djemtë e këqinj bëhen të mirë, forma romantike e një puthje në shi, ngjitja nëpër dritaret e dhomës së gjumit… gjëra të cilat ndodhin vetëm në filma sipas Audreyt, personazhit kryesor të këtij libri.

Audrey fillon një punë në kinema, të cilën e përdorë si pretekst për t’u larguar nga përditshmëria e saj në shtëpi, në mënyrë që të lidhet me gjërat e tjera që e përshkruajnë jetën.

Ajo që më pëlqeu shumë është se si libri sfidon përfaqësimin e romancës nëpër filma dhe se si jeta nuk është gjithmonë e përsosur dhe e lumtur. Ka një ndjenjë të tillë në këtë libër që është aq e afërt me realitetin saqë në fakt të mahnitë.

Ne mund të shohim sfidat me të cilat përballet Audrey kur prishet një marrëdhënie, si ajo me prindërit dhe miqtë e saj dhe pasojat që shkaktojnë ato.

Jeta e saj zhvillohet për disa muaj nëpër faza krejtësisht të ndryshme. Audrey përjeton shumë gjëra në jetën e saj, si ndarjen me Milon, pastaj nuk e di ku qëndron me shoqet e saj dhe nuk ka asnjë lloj mbështetje nga babai dhe vëllai. Si fillim, nuk dija çfarë të mendoja për të pasi vetë ajo i kishte larguar këta persona nga vetja dhe i kishte ndaluar të gjitha gjërat që dikur i donte, por sa më shumë që ngjarja ecte, mund t’i arsyetoja veprimet e saj.

Pastaj kemi Harryn, i cili punon me Audreyn në një kinema luksoze, i pëlqen të filmojë dhe është shumë simpatik. Nuk kam prirje të më pëlqejnë këto lloj personazhesh, por për disa arsye ishte e vështirë të mos e pëlqeja Harryn si personazh. Obsesioni i tij me punën e bënte atë të dukej shumë i përkushtuar ndaj gjërave që i donte. Ai kishte një grup të mirë miqsh që nuk i ndërronte kurrë.

Çfarë më pëlqeu?

Shoqet e Audreyt. Ndihem sikur të gjithë kemi nevojë për miq edhe pse nganjëherë priremi të largohemi nga njerëzit. Por, është gjithmonë ndihmesë të shohësh se çfarëdo që ndodhë në jetën tënde, si rezultat ke gjithmonë mbështetjen e miqve tuaj.

Nuk dua të shpalos më shumë historinë e librit për ju pasi nuk do të kishte kuptim pastaj që ta lexonit.

Autorja Holly Bourne është një autore britaneze e trillimeve për të rinjtë. Ajo është autorja e romanit më të shitur “Am I Normal Yet?”. Ajo gjithashtu shkruan për çështje feministe dhe shkruan për portalin The Mix.

Librat që duhet t’i lexoni: “The Places I’ve Cried in Public”, “What’s a Girl Gotta Do?”, “Pretending”, “…And a Happy New Year?”.

Bourne mund të cilësohet si një shkrimtare për të rinjtë, e cila të afron me situata duke i lidhur me realitetin që jetojmë.