Live Stories from Prishtina

LIVE

7 Shkurt, 2023

Autore: Rozafa Bashota

Note: Ky blog është krijuar për t’iu ofruar juve një këndvështrim të sinqertë rreth temave të caktuara, duke filluar nga librat dhe kultura, e deri tek mendimet dhe qëndrimet tona. Çfarëdo që të duket personale, mos e konsidero të tillë. Disa janë të bazuara në eksperienca personale, disa në vlerësime filozofike e psikologjike, e disa të tjera në evidencë. Ideja është që të mësosh diçka nga përvojat tona dhe pse jo të të gjenden ndonjëherë në jetë. No hard feelings. It’s all based on a true story. Paper Team

“Të rritesh në një shtëpi ku libri është pasuria më e madhe, i cili gjendet në çdo cep të shtëpisë, diku i hapur e dikur i mbyllur (më beso që po), pa vetëdije bëhet edhe pjesë e rëndësishme e jotja.”

Të krijohesh dhe të zhvillohesh në një mënyrë që fillon ta njohësh veten dhe thellësinë tënde, padyshim se indikator i madh është njohuria, e cila vjen më së lehti direkt nga librat.

Kjo e fundit bëhet e arritshme duke lexuar libra nga më të ndryshmit, por me fokus në ata psikologjik.

Tani, dua t’iu tregoj rrugëtimin tim rreth “rënies në dashuri” me librin.

Në shoqërinë tonë, qasja e imponueshme ndaj leximit më ka penguar gjithmonë. Kjo sepse leximi është perceptuar si një obligim dhe assesi si dëshirë dhe kënaqësi. Sesi kemi arritur deri këtu nuk e shoh të arsyeshme ta gjykoj, mirëpo sesi më ka ndikuar mua ta dua akoma më shumë librin dhe mos t’iu bindem këtyre “gjykimeve” do t’ua them tani.

Këtë dua ta shpjegoj në tre (3) hapa, në vijim:

Dëshira e vazhdueshme për ta njohur veten

Ta njohim veten është një nga dëshirat tona më të mëdha, por besoj që e vështirë për shumë nga ne. Ta njohësh veten se ku qëndron intelektualisht nuk është gjë e lehtë, pasi që duhet t’i kushtosh shumë kohë dhe përkushtim procesit së njohjes. Duke filluar nga një hulumtim i thellë se çfarë janë qëllimet e tua, e kështu rrugës duke i zbuluar ato. Këtu hynë në punë librat, të cilët e luajnë një rol mjaft të rëndësishëm.

Të njohësh kultura dhe mentalitete të ndryshme

Pamundësia të udhëtosh e të njohësh kultura për së afërmi padyshim se nuk ka rezultuar me përmbushje. Këtë jam munduar ta arrij përmes leximeve dhe perceptimeve të intelektualëve, shkencëtarëve dhe shkrimtarëve të huaj, si në shkencë, ashtu edhe në letërsi dhe në art. Kur zhytem në lexime, e ndjej veten sikur po e përjetoj tërë atë ngjarje në realitet. Përfytyroj të gjitha rrugët, vendet dhe njerëzit që autori i përshkruan dhe rrëfen për to.

Të jesh rehat në çdo vend ku rrethohesh me njerëz

Një nga pikat e mia që synoj vazhdimisht ta përmbush mund të them se është të njoh çdo koncept dhe ideologji. Po, e di që është e pamundur, mirëpo entuziazmi i vazhdueshëm për të mësuar gjëra të reja dhe të panjohura dhe t’i shpërndajë ato me njerëz është një dëshirë e jashtëzakonshme, të cilën mundohem ta përmbush duke hulumtuar dhe lexuar gjëra të reja.